Gjithçka rreth takimit të pestë të qeverive Shqipëri e Kosovë

26 November 2018 19:08

Peja ka qenë vendi nikoqir i mbledhjes së dy qeverive këtë vit.

Burrat e Qeverisë së Kosovës u renditën krah gardës ceremoniale të FSK-së për të pritur dy shefat e qeverive, Ramush Haradinajn e Edi Ramën.

Aty ishte edhe kabineti i Edi Ramës, por për dallim nga Kosova kishte shumë gra.

Në një nga hotelet e Pejës, dy qeveritë kanë arritur shumë marrëveshje.

Ndër to, protokolli për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë, marrëveshja për bashkëpunim në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare, marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming për rrjetet publike të komunikimeve e të tjera.

Me taksën ndaj Serbisë, kryeministri shqiptar u mor edhe gjatë takimit që nuk ishte i hapur për të gjitha mediat.

Ai tregoi se si është habitur nga një rrëfim i ministrit Skënder Reçica për presionin që ka pasur nga Serbia e BE-ja në një ngjarje ku ishte ai.

Të dy kryeministrat u zotuan se Kosova e Shqipëria do të jenë si shqiponja dykrenare.

Por, derisa takimi zhvillohej brenda, jashtë në sheshin e Pejës, familjarët e grupit të Kumanovës protestonin kundër Edi Ramës.

Por, forcat e policisë arritën të mbanin nën kontroll protestën derisa ata u shpërndanë të qetë.

Kur takimi përfundoi, të gjithë dolën jashtë për një fotografi të përbashkët.

Ramush Haradinaj kërkoi që të gjithë ta bënin simbolin e shqiponjës, por ndryshe nga të gjithë zgjodhi ta bënte zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme