Gjithçka rreth protestës së serbëve sot në Veri

23 November 2018 19:14

Liderët politikë të veriut, pas një mbledhjeje të mbajtur në Mitrovicën Veriore, zgjodhën fshatin Rudar të Zveçanit për të protestuar.

Bashkë me udhëheqësit e Listës Serbe, ka qenë edhe Zvonko Veselinoviç, i dënuar në Kosovë dhe i dyshuar për aktivitete kriminale edhe në Serbi dhe person i afërt me tashmë të kërkuarin e policisë së Kosovës, Milan Radojçiq, raporton KTV.

Goran Rakiq ka folur edhe për bastisjen që u bë në shtëpinë e nënkryetarit të Listës Serbe, Radojçiqit, nga Policia e Kosovës.


“Krahas këtyre arrestimeve, tentuan që politikisht të veprojnë dhe të kryejnë presion duke hyrë në banesën e përfaqësuesit të Listës Serbe, vëllait tonë Milanit duke maltretuar gruan e fëmijët e tij me pretendimin se po kërkojnë të dyshuarit për vrasësit”, ka thënë Rakiq.

Masës iu është drejtuar edhe Ivan Todosijeviq, i cili mban postin e ministrit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.
“Të jemi të bashkuar dhe unikë dhe askujt të mos i japim rast sepse ata presin që ne të jemi ata të cilët do të ndërmarrim veprime të pamatura dhe të na sulmojnë. Për çdo ditë presin diçka të tillë”, ka thënë Todosijeviq.

Protestat është paralajmëruar se do të vazhdojnë, derisa tri kërkesat e tjera kanë qenë heqja e masës së qeverisë, lirimi i të arrestuarve dhe që siguria e veriut të garantohet nga KFOR-i dhe institucionet e tjera ndërkombëtare të Kosovës.

Dhe KFOR-i ishte pikërisht duke e bërë këtë.

Pak kilometra nga fshati Rudar i Zveçanit, ku serbët e katër komunave të veriut protestuan, KFOR-i ka qenë në gjendje gatishmërie për gjithçka.

Megjithatë, nuk pati nevojë për angazhim të tyre derisa protestuesit filluan të shpërndahen gati 1 orë pasi ishin grumbulluar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme