Thaçi e çon në Kushtetuese Haradinajn, i del në ndihmë edhe Veseli

19 nëntor 2018 19:05

Lufta mes presidentit Hashim Thaçi e kryeministrit Ramush Haradinaj po vazhdon.

I pari i shtetit e ka dërguar në Kushtetuese kryeministrin për vendimet e Qeverisë që pronat e paluajtshme të Kosovës të barten në pronësi të komunave duke i tërhequr nga procesi i privatizimit, raporton KTV.

Presidenti pretendon se kryeministri me këtë vendim e ka shkelur Kushtetutën dhe ka rrezikuar sigurinë kombëtare.

Madje, presidenti këtë e ka quajtur si nisje të zbatimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.

Prandaj, në kërkesën e tij drejtuar kushtetueses, presidenti ka kërkuar interpretim të neneve 92 paragrafi 4 dhe 93 paragrafi 4 të Kushtetutës, që të qartësohen këto dispozita kushtetuese lidhur me atë se a ka të drejtë Qeveria që pronat e paluajtshme të Kosovës t’ua bartë në shfrytëzim komunave me vendime, kur Kosova nuk ka ligj për prona publike.

Në mbrojtje presidentit i ka dalë pasardhësi i tij në parti, Kadri Veseli.

Ai i ka kujtuar Haradinajt se koalicioni do të qëndrojë aq sa do të mbrojnë interesat e qytetarëve. Ai ka thënë se çdo vendim i Kushtetueses në këtë rast do të zbatohet.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Veseli ka folur edhe për INTERPOL-in.

Ai ka thënë se janë optimistë se Kosova do të pranohet, por ka shtuar se edhe Serbia po punon shumë për të dëmtuar Kosovën.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seanca plenare të enjten dhe të premten.

Të enjten do të jetë seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për skandalet në diplomacinë kosovare, ndërsa të premten vazhdimi i seancës së mbetur dhe një seancë e re ku do të shqyrtohen projektligjet që lidhen me agjendën evropiane.

Veseli ka shprehur optimizmin se BE-ja do të marrë vendim pozitiv për liberalizimin në fund të këtij viti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme