Video

Vazhdojnë përplasjet PSD-VV, e para kërkon ndërprerjen e bashkëpunimit me VV-në

Partia Socialdemokrate ka kërkuar ndërprerje të bashkëpunimit Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës.

Asamblistët e partisë së të parit të kryeqytetit, kanë akuzuar ish-bashkëpartiakët për shpifje e sjellje armiqësore në kuvend, përkundër që udhëheqin me tri drejtori në ekzekutiv, raporton KTV.

Me këtë qëndrim Socialdemokratët kanë dalë pas përplasjeve me Vetëvendosjen në vazhdimin e mbledhjes së nëntë të Kuvendit të Kryeqytetit, e cila u ndërpre përsëri.

Vazhdimi i saj u pamundësua, pasi PSD-ja e partnerët e saj të koalicionit u larguan nga salla në momentin që LVV-ja, LDK-ja e PDK-ja kërkuan të votohej për shkarkimin e aksionarëve komunal në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Para këtij momenti, Egzon Azemi i VV-së tha se vendimi për shkarkimin i tij nga pozita e anëtarit në komisionin komunal të aksionarëve në NPB, paraqet konflikt interesi, pasi sipas tij, Bashkim Beha i PSD-së që votoi për shkarkimin e tij dhe zgjedhjen e një aksionari tjetër, mban një pozitë të lartë në ndërmarrje.

Por vetë Beha, mohoi këtë, duke thënë se në kohën kur ka votuar ka qenë jashtë mandatit.

Lidhur me këtë, zyra ligjore nuk dha një sqarim të qartë – duke nxitur asamblistët e opozitës të kërkonin shkarkim të aksionarëve në ndërmarrje.

Në mungesë kuorumi, për një asamblist - 25 nga 26 të nevojshme për vazhdim të seancës, kryesuesi Agim Kuleta e shpalli atë të mbyllur.

Në një takim të mëvonshëm ndërmjet shefave të grupeve është vendosur që vazhdimi i kësaj seance dhe seanca e re, të mbahen të mërkurën nga ora 10.