Kohë më parë, vetë ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e kishte pranuar para Komisionit për Punë të Jashtme se e kanë tejkaluar 50 përqindëshin e lejuar dhe përcaktuar me ligj për emërime politike në Shërbimin e Jashtëm.
Por, emërimet politike po vazhdojnë.
Partitë që janë në pushtet po rehatojnë njerëzit e tyre, edhe për së paku katër vitet e ardhshme, raporton KTV.
Kështu ka ndodhur me emërimin e katër konsujve të ri, nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Koha Ditore ka raportuar se ish-kandidati për kryetar të Therandës, Kadri Balaj, nga Nisma e Fatmir Limajt, është emëruar për mandat 4-vjeçar konsull në Ambasadën e Kosovës në Podgoricë.
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Lutfi Bilalli është emëruar konsull në Frankfurt të Gjermanisë.
Ndonëse aktualisht nuk është në pushtet LDK-ja, emri i Xheraldina Rexhepit është i lidhur me politikën.
Ajo ka lidhje të ngushta me LDK-në, derisa në kohën sa ishte kryeministër Isa Mustafa ajo ishte zëvendës-shefe e stafit.
Rexhepi do të shërbejë në ambasadën e Kosovës në Vjenë.
Rexhepi, para dy vitesh, sa ishte Isa Mustafa kryeministër, kishte kaluar të gjitha procedurat për t’u bërë ambasadore në Çeki, por nuk ishte dekretuar prej atëherë.
Edhe 23 vjeçarja Modesta Imeri do të shërbejë konsulle në misionin diplomatik në Uashington.
Ajo u bë e njohur kur ambasadorja Vlora Çitaku e lavdëroi në rrjetet sociale për arritjet e saj në SHBA.
Këto emërime, Ministri Pacolli i ka bërë pavarësisht se Shoqata Sindikale i kishte kërkuar të mos i bënte.
Sindikata konsideron se me këtë janë bërë shkelje drastike meqë janë shpërfillur kriteret dhe procedurat ligjore.
Por, kështu nuk mendojnë në MPJ.
Këshilltari i Ministrit Pacolli, Jetlir Zyberaj, i ka thënë KTV-së se emërimi i konsujve është i bazuar në ligj dhe bëhet nga ministri i Punëve të Jashtme, sepse dallon emërimi dhe pranimi me konkurs.
Ndërkohë, Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, i ka thënë televizionit se në Komision, Ministria dërgon vetëm propozimet për ambasadorë, pra jo emërimet tjera.
Komisioni për Punë të Jashtme ka kohë që e ka ftuar ministrin Pacolli për raportim, por ai ende nuk i është përgjigjur ftesës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.