TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür Eki

Surroi: Ekonomi ve demografi, Arnavut toplumunun karşı karşıya olduğu çarpıcı zorluklar

Veton Surroi

Veton Surroi: “Jetojmë në një moment kur rendi botëror i pas Luftës së Dytë Botërore po shembet dhe rendi i ri ende nuk është krijuar. Nga ai rend Kosova ka përfituar. Shembja e Murit të Berlinit i ka ndihmuar Kosovës. Çlirimi i Kosovës dhe Shpallja e Pavarësisë janë bërë në një rend botëror unipolar, me rol më të madh të SHBA-së”

“Jetojmë në një moment jo të zakonshëm dhe këso momentesh i kemi përjetuar më 1989 dhe 1990. Disa prej këtyre momenteve i kemi shënuar edhe në Gjakovë, si Kongresi i Sindikatave e manifestime të tjera. Gjakova tradicionalisht është vendi i lirisë”, ka thënë shkrimtari, politikani e publicisti Veton Surroi në diskutimin e mbajtur të shtunën mbrëma në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, në kuadër të manifestimit “Ditët e Nëntorit”

Veton Surroi ka vlerësuar se Kosova dhe shoqëritë shqiptare po përballen me tri sfida kryesore, të cilat lidhen me ndryshimet e rendit global, konfliktet e papërfunduara dhe problemet e brendshme të shtetndërtimit, ekonomisë e demografisë. Në një bashkëbisedim në Gjakovë, Surroi ka thënë se bota po hyn në një periudhë të pasigurt, në të cilën rendi botëror i pas Luftës së Dytë Botërore po shembet, ndërsa rendi i ri ende nuk është krijuar. Ka paralajmëruar se Kosova ka një dritare të kufizuar kohore për t’i arritur objektivat e saj zhvillimore, duke vlerësuar se sfidat demografike do të bëhen dramatike në vitet që vijnë.

“Jetojmë në një moment jo të zakonshëm dhe këso momentesh i kemi përjetuar më 1989 dhe 1990. Disa prej këtyre momenteve i kemi shënuar edhe në Gjakovë, si Kongresi i Sindikatave e manifestime të tjera. Gjakova tradicionalisht është vendi i lirisë”, ka thënë shkrimtari, politikani e publicisti Veton Surroi në diskutimin e mbajtur të shtunën mbrëma në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, në kuadër të manifestimit “Ditët e Nëntorit”.

Ai ka identifikuar tri sfida me të cilat, sipas tij, ballafaqohen shtetet dhe shoqëritë shqiptare në vitet që vijnë. Sfida e parë është ajo globale, e cila prek të gjitha shtetet, në një kohë kur rendi botëror i pas Luftës së Dytë Botërore po shembet dhe rendi i ri ende nuk është krijuar.

“Jetojmë në një moment kur rendi botëror i pas Luftës së Dytë Botërore po shembet dhe rendi i ri ende nuk është krijuar. Nga ai rend Kosova ka përfituar. Shembja e Murit të Berlinit i ka ndihmuar Kosovës. Çlirimi i Kosovës dhe Shpallja e Pavarësisë janë bërë në një rend botëror unipolar, me rol më të madh të SHBA-së”, ka thënë Surroi në bashkëbisedimin e moderuar nga Arbnor Pula, ku të pranishëm ishin një numër i konsiderueshëm qytetarësh nga Gjakova. Para panelit ka vizituar Varrezat e Gjakovës, “në Ditë të Flamurit një nderim për Fadil e Vahide Hoxhën, bartësit dinjitoz të tij“.

Shembja e rendit unipolar dhe revolucioni teknologjik

Sipas tij, momenti unipolar që kishte karakterizuar periudhën deri në Pavarësinë e Kosovës tashmë ka përfunduar dhe nuk ekziston më në botë. Ai ka thënë se aktualisht bota po hyn edhe në një revolucion të ri teknologjik, pasojat e të cilit ende nuk janë të njohura.

“Ky moment unipolar, pas Pavarësisë së Kosovës, ka përfunduar dhe nuk ekziston më as në botë. Tash jemi në hyrje të revolucionit të radhës, atij  teknologjik. Pasojat e revolucionit teknologjik ende janë të pakapshme dhe po hyjmë në një proces të panjohur. Janë dy të panjohura: rendi i ri botëror dhe revolucioni teknologjik”, ka thënë Surroi.

Ai ka vlerësuar se këto zhvillime po shoqërohen me luftëra dhe përplasje, duke përmendur Ukrainën dhe Iranin, ndërsa boshtet kryesore ekonomike, politike e ushtarake po ndërtojnë një balancë të re.

Surroi ka përmendur edhe zhvillimin e Kinës, duke e krahasuar gjendjen e shtresës së mesme në vitin 2000, kur vendi hyri në Organizatën Botërore të Tregtisë, me atë të sotmen.

“Në vitin 2000, kur Kina ka hyrë në Organizatën Botërore të Tregtisë, 5 për qind e kinezëve ishin shtresë e mesme, ndërsa tash 50 për qind janë shtresë e mesme”, ka thënë ai.

Sipas Surroit, sfida e Kosovës është mënyra se si do të përfshihet në rendin e ri global, duke paralajmëruar se zhvillimet në Ukrainë mund të kenë ndikim edhe në rajon, përfshirë Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën.

“Sfida e parë është se si të inkorporohemi në rendin e ri global. Nëse Ukraina lëshon një pjesë të territorit në emër të paqes, kjo do të kishte ndikim deri te ne e te Bosnja dhe Hercegovina”, ka thënë Surroi.

Ai ka vlerësuar se Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina përbëjnë konflikte të papërfunduara, ndërsa raportet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të tilla, për shkak se Serbia nuk e njeh sovranitetin e Kosovës dhe vazhdon ta pretendojë atë në Kushtetutën e saj.

“Kosova dhe Serbia jetojnë një konflikt të papërfunduar, pasi Serbia nuk e njeh sovranitetin e Kosovës dhe nuk e njeh as vetë atë në kuadër të kësaj. Serbia pretendon se në Kushtetutën e vet e ka edhe Kosovën”, ka thënë Surroi.

Sipas tij, konfliktet e papërfunduara kanë ndikim edhe në vende të tjera, duke përmendur Malin e Zi, ku identiteti shtetëror dhe kombëtar vazhdon të vihet në pikëpyetje.

Ai ka kritikuar edhe Evropën, duke thënë se pas përfundimit të Luftës së Ftohtë nuk ka arritur të krijojë një hapësirë unike të sigurisë, gjë që, sipas tij, përbën sfidë edhe për shqiptarët.

Surroi ka thënë se sfidat e tjera janë ato që shoqëritë shqiptare ia krijojnë vetvetes, pa ndikimin e jashtëm. Për Kosovën, sfida fillestare lidhet me shtetndërtimin dhe sigurinë, çështje që, sipas tij, kanë arritur kulmin me rastin e Banjskës më 2023.

Problemet e tjera, ka thënë ai, lidhen me funksionimin e shtetit dhe shoqërisë kosovare.

Shtatë vjet për objektivat ekonomikë dhe rënia demografike

Surroi ka paralajmëruar se Kosova ka një periudhë të kufizuar për t’i arritur objektivat e saj ekonomikë dhe për t’u përgatitur për rënien demografike, e cila, sipas tij, do të bëhet dramatike pas vitit 2035.

“Nga viti 2017 deri më 2035, Kosova ka gjasa të zhvillohet, ndërsa më 2036 hyn në një rënie dramatike demografike, nga e cila e ka të vështirë të dalë. Sot kemi 55 për qind të popullsisë që është nga 16 deri në 65 vjeç. Kjo është gjendja demografike dhe ajo vetëm do të përkeqësohet”, ka thënë Surroi.

Ai ka vënë në pah edhe përbërjen demografike të shoqërisë, duke thënë se edhe në sallën ku po zhvillohej bashkëbisedimi kishte një pakicë të të rinjve në raport me të moshuarit.

Sipas tij, me trendin aktual, Kosova më 2031 mund të ketë rreth 1.3 milion banorë, duke u kthyer në nivelin e popullsisë që kishte në vitet ’70.

“Çfarëdo faktori politik e shoqëror i ka vetëm shtatë vjet për t’i arritur objektivat ekonomikë. S’ka afat të padefinuar. Politikat zhvillimore të Kosovës, në masë të madhe, kanë qenë inerci, janë trashëguar nga një pushtet te tjetri”, ka thënë Surroi.

Ka kritikuar mënyrën e mbledhjes dhe shpërndarjes së buxhetit, duke vlerësuar se ajo nuk ka ndryshuar dhe se pjesa më e madhe e të hyrave vjen nga doganat, ndërsa shpenzimet orientohen kryesisht në konsum.

“Mënyra e mbledhjes dhe distribuimit të buxhetit nuk po ndryshon. Deri në 80 për qind e buxhetit mblidhet nga dogana dhe shpenzohet njëjtë, kryesisht në konsum, dhe s’ka ndryshim të madh”, ka thënë ai.

Surroi ka folur edhe për kostot e rritjes së fëmijëve, të cilat, sipas statistikave që ka përmendur, arrijnë nga 300 deri në 400 euro në muaj për një fëmijë, prej lindjes deri në moshën 18-vjeçare.

Ai ka thënë se vështirësitë financiare janë ndër arsyet pse çiftet nuk vendosin të kenë fëmijë të dytë.

“Në statistikat tona llogaritet që për ta rritur një fëmijë duhet të shpenzohen 300 deri në 400 euro në muaj, nga zero deri në 18 vjet. Përgjigjja pse çiftet nuk kanë një fëmijë të dytë është se s’mund ta përballojnë financiarisht. Për ta pasur të dytin duhet migracioni, për ta përballuar”, ka thënë Surroi.

I ka cilësuar demografinë dhe ekonominë si sfida dramatike për shoqërinë kosovare, duke e lidhur këtë edhe me mënyrën e qeverisjes dhe shpenzimin e buxhetit.

Surroi ka thënë se deri më 30 shtator të këtij viti, 30 për qind e buxhetit është shpenzuar në investime, ndërsa ka vlerësuar se ciklet zgjedhore nuk duhet ta paralizojnë administratën.

“Nuk kemi vëmendje të mjaftueshme ndaj kësaj sfide”, ka thënë ai.

Shqipëria, mes integrimit evropian, SPAK-ut dhe krimit të organizuar

Surroi ka paralajmëruar se edhe Shqipëria do të përballet me një kombinacion të jashtëzakonshëm sfidash. Ai ka përmendur rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se ky shtet mund ta nënshkruajë marrëveshjen me BE-në në qershor të vitit 2027 dhe të hyjë në një periudhë dyvjeçare të ratifikimit, me synimin që të anëtarësohet më 2029 ose 2030.

Sipas tij, Shqipërisë do t’i duhet më shumë kohë për këtë proces, ndërsa sfidë mbetet edhe legjitimiteti politik.

“Shqipëria do të ballafaqohet me një kombinacion të jashtëzakonshëm sfidash. Me këtë trend, Mali i Zi, në qershor 2027, e nënshkruan marrëveshjen me Bashkimin Evropian dhe hyn në një periudhë dyvjeçare të ratifikimit të marrëveshjes. Më 2029 ose 2030 do të jetë në BE. Shqipërisë i duhet më shumë kohë. Ka një proces me kapituj dhe një efekt të delegjitimitetit politik”, ka thënë Surroi.

Ai ka vlerësuar se Shqipëria nuk ka një lëvizje të ngjashme horizontale me atë në Serbi, që do ta shtynte procesin përpara, duke thënë se mungon një lëvizje politike që do ta zëvendësonte pushtetin ose opozitën në rast se njëra prej tyre lë hapësirë bosh.

Surroi e ka cilësuar SPAK-un si institucionin më të besueshëm në Shqipëri, por ka paralajmëruar se forcimi i tij po shoqërohet me zbrazëti në hapësirën politike.

“Çështja e tretë është SPAK-u. Është institucioni më i besueshëm në Shqipëri. Sa më i fortë të jetë SPAK-u, aq më shumë hapësirë boshe politike”, ka thënë ai.

Surroi ka përmendur edhe çështjen financiare dhe të sigurisë, duke e lidhur atë me paratë që hyjnë nga droga, shpëlarjen e parave dhe ndikimin që kjo ka në ekonomi e institucione.

“Problem i katërt në Shqipëri është ai financiar dhe i sigurisë. Kjo është zvogëlimi i parave që hyjnë nga droga. Nga pandemia deri më sot, Shqipëria është një nga lavatriçet më të mëdha të parave të pista në Evropë. Për këtë ka pasur dritë të gjelbër nga autoritetet dhe konsensus të heshtur në Shqipëri. Kjo ka pasoja”, ka thënë Surroi.

Ai ka vlerësuar se shpëlarja e parave ka ndikuar në forcimin e panatyrshëm të lekut dhe në rritjen e kostos së jetesës. Sipas tij, në momentin kur të zvogëlohet shpëlarja e parave, euroja do të rritet në raport me lekun dhe do të ketë çrregullim të tregut.

“Krimi i organizuar ka ndikim shumë të madh në politikë dhe po ashtu edhe në institucionet e sigurisë. Shqipëria është mbase vendi i vetëm ku shefja e shërbimit sekret del se ka lidhje direkte me krimin e organizuar”, ka thënë Surroi.

Dilema për shkollimin dhe shëndetësinë publike

Në bashkëbisedim, Surroi ka folur edhe për dilemat e prindërve në Kosovë, të cilët, sipas tij, përballen me pasiguri në vendimet për lindjen dhe rritjen e fëmijëve, për shkak të mungesës së një sistemi të mirëfilltë social.

Ai ka krahasuar Kosovën me Gjermaninë dhe Austrinë, ku prindërit, sipas tij, e kanë më të qartë se fëmijët do të kenë shkollim të mirë publik, ndërsa në Kosovë dilema është nëse fëmijët duhet të dërgohen në shkolla publike apo private dhe nëse shërbimet shëndetësore duhet të kërkohen në institucionet publike apo private.

“Dilema e prindërve është a ta lindin fëmijën në Kosovë apo jo. Kosova nuk është shtet social si Gjermania ose Austria, ku ti e di se fëmija yt do të ketë shkollim të mirë publik. Këtu jetojmë në një shoqëri ku ka dilemë të madhe prindi nëse ta dërgojë fëmijën në shkollë publike apo jo dhe nëse të shkojmë te institucionet shëndetësore publike apo private”, ka thënë Surroi.

Mungesa e konsensusit politik dhe zhvillimet rreth Gjykatës Speciale

Surroi ka rikthyer vëmendjen edhe te mungesa e konsensusit politik në Kosovë, duke e krahasuar periudhën prej Rambouillet deri në Vjenë me zhvillimet pas Planit të Ahtisaarit, i cili, sipas tij, shërbeu për Pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se në periudhën e mëvonshme Kosova nuk ka pasur unitet politik, ndërsa mungesa e tij është reflektuar në çështje si Asociacioni, Gjykata Speciale, ndarja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve.

“Prej Rambouillet deri në Vjenë kemi pasur disa karakteristika kryesore. E para është se është ndërtuar një konsensus në shoqëri dhe midis forcave politike. Prej momentit kur Plani i Ahtisaarit shërbeu për Pavarësinë e Kosovës e deri më sot, s’kemi pasur unitet politik. Mungesa e unitetit ka qenë hyrë te Asociacioni, Gjykata Speciale e problemi i ndarjes së Kosovës, shkëmbimi i territoreve”, ka thënë Surroi.

Ka vlerësuar se në këtë aspekt Kosova i ka bërë dëm vetvetes dhe se rruga përpara nuk është e lehtë. Megjithatë, ka thënë se Qeveria Kurti ka bërë lëvizje politike në dy aspekte, duke ndërprerë, sipas tij, rrjedhën e delegjitimimit të Kosovës dhe duke shtrirë legjitimitetin në gjithë territorin.

“Rruga përpara nuk është e lehtë. Mendoj se këtu Qeveria Kurti ka bërë lëvizje politike në dy aspekte: e ka ndërprerë rrjedhën e delegjitimimit të Kosovës dhe ka shtrirë legjitimitetin në gjithë territorin. Ka hapësira për kritika, por jo në këto dy aspekte”, ka thënë Surroi.

Ai ka thënë se ndryshimet në botë e bëjnë të domosdoshëm konsolidimin e brendshëm, ndërsa ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar Gjykata Speciale. Sipas tij, zhvillimet që nga shtatori i këtij viti kanë shënuar momente dramatike dhe prapakthim.

“Bota ka ndryshuar shumë, prandaj duhet një konsolidim i brendshëm. Nga shtatori i këtij viti po merremi me Gjykatën Speciale. Kemi pasur momente dramatike që kanë shënuar prapakthim. Ligji për këtë Gjykatë ka kaluar brenda një nate, shkaku i 10 mijë vetave jashtë, edhe të armatosur, ku ka pasur edhe kërcënim fizik. Në vend të debatit parlamentar, është bërë kjo. Kosova në këtë drejtim po bën hapa prapa”, ka thënë Surroi.

Diaspora dhe mundësitë për bashkëpunim ekonomik

Në pyetjen se si mund të shfrytëzohen kapacitetet e diasporës në raport me krizat që priten, Surroi ka thënë se tashmë një pjesë e bizneseve po zhvendosin aktivitetet e tyre në Kosovë, duke përmendur kuzhinat zvicerane dhe gjermane.

Ai ka vlerësuar se ky trend mund të vazhdojë përmes zgjerimit të bizneseve të diasporës në Kosovë, ndërsa ka përmendur edhe mundësinë e bashkëpunimit në sektorin e mjekësisë, përfshirë stomatologjinë.

“Një pjesë e kuzhinave zvicerane e gjermane po bëhen në Kosovë. Besoj se do të ketë zgjatime të bizneseve të diasporës drejt Kosovës. Nëse ndodh kjo, do të jetë shumë mirë. Nuk do të jetë larg momenti kur një pjesë e mjekësisë do të bashkëpunojnë, për shembull dentistët. Nëse ky është trendi, atëherë kjo është çështje që duhet analizuar nga Qeveria”, ka thënë Surroi.

Dialogu me Serbinë dhe Lëvizja Studentore

Surroi ka kritikuar edhe drejtimin e ligjërimit të Lëvizjes Studentore, duke paralajmëruar se rrezikon të hyjë në një diskurs të ngjashëm me atë të Millosheviqit, Sheshelit dhe Akademisë së Shkencave, gjë që, sipas tij, do t’i bënte dëm kësaj lëvizjeje.

Ai ka vlerësuar se interesi i Evropës për ta larguar Serbinë nga Rusia mund ta bëjë Bashkimin Evropian më tolerant ndaj Serbisë, ndërsa ka thënë se dialogu nuk duhet të vazhdojë pa u trajtuar çështjet e brendshme të Serbisë.

“Lëvizja studentore rrezikon të hyjë në ligjërimin e njëjtë me Millosheviqin, Sheshelin, të Akademisë së Shkencave, dhe kjo i bën shumë dëm asaj lëvizjeje. Interesi i Evropës që ta largojë Serbinë nga Rusia mund ta bëjë BE-në që të jetë më tolerante. Nuk duhet të ketë dialog derisa Serbia të merret me Radoiçiqin, Vuçiqin e të tjerët”, ka thënë Surroi.

Ka insistuar se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nuk mund të ndodhë pa normalizimin e brendshëm të Serbisë, ndërsa ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’ia japë Kosovës statusin e vendit kandidat.

“S’mund të ketë dialog për marrëdhënie dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën pa normalizim të brendshëm të Serbisë. BE-ja duhet t’ia japë statusin e vendit kandidat Kosovës”, ka thënë Surroi.