TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür Eki

Arnavutların Arap dünyasındaki ve kültüründeki varlığı

1842'de Şam

1842'de Şam

Kemi një libër që doli vjet në Marok (2025) dhe na arriti në Levent më 2026 nga historiani maroken Bilal al-Dahija që depërtoi thellë në historinë e kulturën shqiptare. Ai deri tani ishte i interesuar për historinë e Sirisë gjatë sundimit osman dhe për praninë e marokenëve në Sirinë osmane. Siç duket, me hulumtimet në Siri për marokenët e të tjerët, gjeti atje edhe prani shqiptare, gjë që e nxiti ta zgjerojë interesimin për shqiptarët në përgjithësi për ta paraqitur këtë monografi interesante për praninë e shqiptarëve në botën dhe kulturën arabe si valinj, ushtarakë, gjykatës, kopjues të dorëshkrimeve dhe autorë në fusha të ndryshme gjatë sundimit osman, 1389-1912.

Me themelimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare për të Huaj në Prishtinë më 1974, Prishtina u bë qendër tërheqëse për albanologë të huaj e për ata që filluan të interesohen për albanologji për një arsye a tjetër. Një prej tyre ishte historiani egjiptian Antoni Sorjal që mori pjesë më 1983 në Seminar dhe tregoi interesim për burimet angleze në lidhje me Lidhjen e Prizrenit dhe më 1985 botoi në Kajro librin “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881”, i cili ishte libri i parë në arabisht për Lidhjen e Prizrenit. Siç duket, me këtë botim u pa ç’rëndësi e ç’domethënie kishte Lidhja e Prizrenit për botën arabe, e cila ishte po ashtu nën sundimin osman për nja 400 vjet.

Kështu, pas tij u paraqit historiani libanez Abdulrauf Sinno më 2008 me librin “Konfliktet provinciale në Perandorinë Osmane: Siria, Hixhazi, Kurdistani e Shqipëria”, në të cilin zbërthen një qasje komparative duke u bazuar në burimet e literatura gjermane që ishin më të interesuara për këtë pjesë të Ballkanit. Më vonë, u botua në Amman më 2023 libri “Çështja shqiptare në aspektin politik e kulturor 1878-1908” nga dy historianë irakianë Farkad A. Kasim dhe Maisun N. Al-Kinani.

Në krahasim me tjerat, kjo monografi përmbledh historinë e kulturën shqiptare në një fazë të pasur që çoi në Shpalljen e Pavarësisë më 1912.

Me gjithë vlerën që kanë këta libra për historinë e kulturën shqiptare, ku më pak e ku më shumë, tani kemi një libër që doli vjet në Marok (2025) dhe na arriti në Levent më 2026 nga historian maroken Bilal al-Dahija që depërtoi thellë në historinë e kulturën shqiptare. Ai deri tani ishte i interesuar për historinë e Sirisë gjatë sundimit osman (2015) dhe për praninë e marokenëve në Sirinë osmane (2019). Siç duket, me hulumtimet në Siri për marokenët e të tjerët, gjeti atje edhe prani shqiptare, gjë që e nxiti ta zgjerojë interesimin për shqiptarët në përgjithësi për ta paraqitur këtë monografi interesante për praninë e shqiptarëve në botën dhe kulturën arabe si valinj, ushtarakë, gjykatës, kopjues të dorëshkrimeve dhe autorë në fusha të ndryshme (poezi, prozë, histori etj.) gjatë sundimit osman, 1389-1912.

Gjeneza e shqiptarëve nga mitet te historia reale

Në kaptinën e parë dhe të dytë, autori merret me gjenezën historike të shqiptarëve nga mitet deri në rezultatet më të reja të projektit të madh “Albanian Blodlines” të institutit “Famliy Tree DNA” që paraqitën më pak ndryshime në Kosovë e më shumë rreth saj. Më tutje autori përcjell paraqitjen e disa miteve që lidhen me origjinën shqiptare si miti fenikas-ilir dhe miti i origjinës nga fisi Gassan nga Jemeni ose nga fisi Kurajush nga Hixhazi, duke shpjeguar në ç’rrethana u paraqitën ato dhe në shërbim të kujt ishin.

Në kapitullin e tretë autori fillon të merret me historinë reale shqiptare, përkatësisht me paraqitjen e arnautëve (siç njiheshin shqiptarët në shekullin XV) në elitën ushtarake, politike dhe kulturore të Shtetit të Mamlukëve (1260-1517) me qendër në Kajro i cili përfshinte Egjiptin, Leventin, Hixhazin dhe Jemenin. Prej kësaj elite ai përqendrohet te dy sulltanët arnautë (Hoshkadam dhe Damirboga) që sunduan gjatë gjysmës së dytë të shekullit XV dhe një historian i njohur (Ibn Tagri burdi) i Egjiptit të asaj kohe.

Ky libër, në të vërtetë, sjell shumë risi për lexuesin arab sikurse pasuron njohuritë e orientalistëve tanë me kontributin e intelektualëve shqiptarë në gjuhët orientale, përkatësisht në gjuhën arabe

Princat e parë në Mesjetën e vonë

Në kaptinën vijuese autori paraqet historinë shqiptare me princat e parë në Mesjetën e vonë nga Karl Thopia deri te Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe rezistencën e madhe që tregoi kundër ushtrive osmane deri kur viset shqiptare u bënë nën sundimin osman.

Në kaptinën e pestë autori merret me institucionin e Devshirmës, pra me rekrutimin e djemve shqiptarë që dërgoheshin në qendër të Perandorisë (në Aderne e më vonë në Istanbul) për përgatitje profesionale e më vonë dërgoheshin në funksione të ndryshme ushtarake e administrative. Prej këtyre u shquan dhjetëra figura në vilajetet osmane në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore si Ahmet pashë Dukagjini, Ijas Pasha, Lutfi Pasha, Sulejman Pasha, Sinan Pasha e shumë të tjerë. Prej këtyre u shquan Mehmet pashë Dukagjini (djali i Ahmet pashë Dukagjinit) dhe Sinan Pasha me ndërtimin e komplekseve urbanistike në Damask dhe Halep, që janë karakteristike deri në ditët tona.

Arnauti në krye të Vilajetit të Damaskut

Në kaptinën vijuese autori përqendrohet te një figurë ushtarake (Ahmet pashë Arnauti) i cili emërohet në krye të Vilajetit të Damaskut më 1635. Ky u shqua me kompleksin urbanistik që e ndërtoi në hyrje të Damaskut për shërbim të haxhilerëve që kalonin nëpër Damask në rrugë për në Mekë. Ky kompleks mori më vonë një famë pasi u bë qendër prej nga nisej karvani i madh për haxh çdo vjet që mblidhte edhe ata të Ballkanit e të Anadollit dhe mbeti si monument historik deri në ditët tona.

Si historian maroken autori na tërheq vëmendjen për praninë e figurave shqiptare në Afrikën Veriore, përkatësisht në Algjeri dhe Marok. Prej këtyre ishte Memi Arnauti, komandanti detar që plaçkiti shumë anije në Mesdhe, në mesin e të cilave ishte një më 1575 ku në mesin e udhëtarëve qëlloi shkrimtari Miguel de Cervantes, i cili kaloi disa vjet në Algjeri deri kur u lirua dhe u kthye në Spanjë. Më 1482 e dërgoi bashkëvendësin Reis Murati në Sela të Marokut, kur ndërtoi tri anije me të cilat e pushtoi ishullin Lanzarote të Kenarieve, kurse më 1584 ai u vendos për një kohë në krye të vilajetit të Algjerisë. Rreth asaj kohe ai i solli në Algjer gruan dhe dy djemtë e tij (Muhamedin e Mustafën) ku i vendosi në pallatin që e ndërtoi në Algjer që ende ruhet si monument historik me emrin “Shtëpia e madhe” ose “Pallati i Memi Arnautit”.

Memi Arnauti u bë i njohur edhe në Marok si kapiten detar pasi më 1589 lundroi nga Tatwani me anijen që e çoi ambasadori i sulltanit të Marokut te sulltani osman në Stamboll. Po në atë port u shquan dy kapitenë detarë shqiptarë, Ramadan Aga dhe Musa Aga që mendohet se ishte nipi i Memi Arnautit, të cilët luajtën rol në historinë e këtij vendi në atë kohë.

Shqipëria e shekullit XVII dhe alfabetet

Në kaptinën vijuese autori e prezanton Shqipërinë e shekullit XVII, pra pas dy shekujve të sundimit osman, në bazë të veprës kapitale “Sijahetname” të Evlija Çelebiut që u përkthye edhe në arabisht, kurse në kaptinën tjetër flet gjerësisht për sektin e bektashizmit në aspektin fetar dhe kulturor.

Në aspektin kulturor autori prezanton gjuhën shqipe dhe alfabetet që u përdorën nëpër shekuj, në mesin e tyre edhe alfabeti arab. Në këtë kontekst flet edhe për disa poetë të asaj kohe si Jahja bej Dukagjini, i cili krenohet me origjinën shqiptare, si dhe për Ahmet bej Dukagjinin, Suzi Çelebiun nga Prizreni, Nezim Frakullën nga Berati, Sulejman Naibin, Hasan Zyko Kamberin e shumë të tjerë.

Shqiptarët, kopjues të dorëshkrimeve orientale

Kaptina vijuese ka vlerën e vet pasi ndriçon kontributin e shqiptarëve në kopjimin e dorëshkrimeve orientale, përkatësisht arabe, qoftë në vendin e tyre ose në vendet ku shërbyen. Nga ana tjetër, autori prezanton edhe disa intelektualë shqiptarë që shkuan me shërbime në vende të ndryshme dhe aty lanë ca vepra sikurse Mula Fevzi i cili u emërua myfti i Damaskut më 1570, por ishte i njohur si poet e kaligraf duke lënë disa vepra në arabisht. Po ashtu, autori flet shumë e gjatë për Sami Frashërin dhe veprën e tij që e botoi në arabisht “Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit”.

Për praninë e re shqiptare në Lindjen e Mesme autori i kushton Egjiptit një kaptinë pasi u ngrit atje Mehmet Ali Pasha, i cili e shndërroi Egjiptin në një shtet modern, që tërhoqi shumë shqiptarë nga jugu i Shqipërisë, me çka kolonia shqiptare u bë e pesta në vend dhe Kajroja u shndërrua në një nga qendrat e Rilindjes Kombëtare shqiptare.

Në fund të librit kemi një kaptinë që tregon rëndësinë e Lidhjes së Prizrenit qoftë në aspektin politik ose kulturor, pasi Sulltan Abdulhamidi II deshi ta ngjyrosë me islamizmin, por shqiptarizmi dominoi dhe përfundoi me konflikt të armatosur midis ushtrisë osmane dhe forcave shqiptare.

Ky libër, në të vërtetë, sjell shumë risi për lexuesin arab sikurse pasuron njohuritë e orientalistëve tanë me kontributin e intelektualëve shqiptarë në gjuhët orientale, përkatësisht në gjuhën arabe. Si i tillë, autori i këtij libri meriton të jetë vitin e ardhshëm në Seminar dhe të na kumtojë risi të tjera nga hulumtimet e tij serioze në këtë fushë.