TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür Eki

"Moisiu" Festivali: Sahnenin ihtişamı, seyircinin sadakati ve jürinin gölgesi

Musa Festivali

Festivalin e sivjetmë “Moisiu”, sipas një rendi, e ka organizuar Teatri Shqiptar i Shkupit, i cili aktualisht është i vetmi Teatër Kombëtar që i ka kushtet infrastrukturore që t’ia japë suksesshëm dorën e duhur organizimit të një festivali

Sivjet vlerësimet duket se u bënë sipas kritereve të një qendre tregtare, bazuar në çmimoren “Black Friday”: “më lirë s’ka, veçse afati i përdorimit i tejkaluar”, apo kësaj pune i thonë si të mbjellësh lule në asfalt. Kur do ta kuptojmë se teatri është art aristokrat dhe ne shumicën e rasteve po e trajtojmë si rast social apo me ligjësi ekonomike që kalkulohen në dëm të kritereve artistike

Festivali si manifestim dhe si art

Festivali i tre teatrove kombëtare “Moisiu”, sigurisht se çështje primare do të duhej ta kishte prezantimin e repertorit dhe filozofisë së zhvillimit të teatrit në nivel kombëtar, duke insistuar që shfaqjet të jenë të përzgjedhura me kritere artistike. Si shenjë respekti dhe koherence, puna e parë që do të duhej të bënin organizatorët është të ftojnë bardët e teatrove, si shenjë respekti për ta dhe një mundësi më shumë për komunikim ndërmjet gjeneratash. Me prezencën e tyre do ta madhëronin festivalin: Fadil Hysaj, Agim Sopi, Selman Lokaj, Selman Jusufi, Nebi Islami, Josif Papagjoni, Besim Rexhaj, Roza Anagnosti, Robert Ndrenika, Ligoraq Riza, Bujar Asqeriu, Raimonda Bulku, bashkë me Refet Abazin dhe Bajrush Mjakun, Teuta Ajdini Jegenin, Ahmet Jakupin, e të tjerë, këtij grupi do të duhej t’i bashkëngjiteshin edhe fituesit e viteve paraprake. Kështu do të bëhej një fotografi e dëshiruar përtej simbolikës, si një pasqyrë e një të vërtete se çfarë teatri duam, me artistë brenda që japin, apo me pozerë që marrin.

Sigurisht se këto potenciale do të ndihmonin që rrjedhat e zhvillimit të teatrit të konsolidoheshin në të gjitha dimensionet, deri edhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore që shpesh e dëmtojnë, deri edhe e kontaminojnë ambientin artistik, në stilin “ky bën, ai s’bën... ai është me ne, ky është me ata”, ku shpesh i fut hundët edhe politika, duke marrë nga teatri manifestimin si formë e duke ia lënë marrëdhënien konfliktuoze si metodë për të selektuar të dëgjueshmit që duan karrierë.

Organizimi i nikoqirit, Teatri Shqiptar, Shkup

Festivalin e sivjetmë “Moisiu”, sipas një rendi, e ka organizuar Teatri Shqiptar i Shkupit, i cili, dorën në zemër, aktualisht është i vetmi Teatër Kombëtar që i ka kushtet infrastrukturore që t’ia japë suksesshëm dorën e duhur organizimit të një festivali aq pretencioz.

Është për t’u lavdëruar niveli i lartë i kujdesit organizativ të stafit të Teatrit Shqiptar të Shkupit, të drejtuar nga Ismet Ramadani, në të gjitha hallkat organizative. Pjesëtarë të stafit të festivalit, edhe kur dukeshin, edhe kur zhdukeshin, ishin në funksion të festivalit, përkatësisht mysafirëve të festivalit dhe performuesve të shumtë gjatë 7 mbrëmjeve në të dyja skenat e teatrit. Angazhimi i tyre me plot pozitivitet dhe kujdes është për t’u duartrokitur falënderueshëm.

Përveç ndoshta me një kujdes artistik të shtuar që ceremonia e hapjes dhe e përmbylljes të dukeshin më bukur në formë dhe më domethënëse në përmbajtje, nëse do të kishte një skenar më përfshirës për t’i dhënë shtrirje më përfaqësuese dhe artistike aktit të hapjes dhe të mbylljes, si kopertina të festivalit. Edhe pse kjo, mbase, është përgjegjësi e të tre teatrove e jo vetëm e nikoqirit.

Repertori me shfaqje të vëna në skenë dhe të inskenuara

Repertori i shfaqjeve sivjet ishte i kënaqshëm, bazuar në nivelin e realizuar të shfaqjeve, përfshirë këtu edhe temat që u trajtuan. Aktualiteti dhe kontekstualiteti me problemet të cilat e gërryejnë shoqërinë tonë konkretisht dhe njerëzimin. U trajtuan çështja e despotizmit, ndërgjegjes dhe ndërgjegjësimit në dramën “Drejtësi në Nuremberg”, dashurisë dhe fatalitetit te tragjedia “Romeo dhe Xhulieta”, rrëshqitja morale në pyllin e dëshirave te drama “Pylli”, mendimi filozofik i ndritur “Përtej hekurave”, durimi si formë e shprehjes së dashurisë në dramën “Amour”, pritja si akt i veprimit për mosveprim “Duke pritur Godonë”, dilema e dyshimi si mjete për të kapur të vërtetën, “Hamleti”, ai që gërmon gropën bie në të, “Mbytma burrin”, ballafaqimi me produktin e dhunës seksuale, “Sytë e ujkut”, dhe gjetja e guximit, zemrës e mendjes te njeriu “Magjistari i Ozit”. Karakteristikë e dukshme ishte se disa tekste ishin vënë në skenë (“Drejtësi në Nuremberg”, “Amour”, “Mbytma burrin”...), ndërsa disa ishin inskenuar, ndër to: “Duke pritur Godonë”, “Përtej hekurave”, “Hamleti”... Kjo ndarje nuk do të thotë se automatikisht nënkupton vlerë tek inskenimi, apo dobësi vënia në skenë por gjithsesi kreativiteti i shtuar e përcjell inskenimin si lexim autorial i regjisorit, derisa vënia në skenë është literare për të mos thënë lineare.

Spektatorët imponojnë

Spektatorët ishin pjesa më e mirë e festivalit. Një numër i respektueshëm, plot kulturë e çmim për angazhimin e të gjithë aktorëve, regjisorëve, skenografëve, kostumografëve dhe përbërësve të tjerë teatrorë, jep shpresë për jetën e teatrit dhe fuqinë e tij dëshmuese të kulturës si shtyllë identitare e kombit dhe urë e komunikimit njerëzor.

Kritika, kritikët nuk janë klakistë

Kritikën paska thënë dikush ta heqim prej festivali; të njëjtët e rezervojnë pastaj të drejtën të thonë se s’kemi kritikë teatrore. Apo mendojnë që kritikën ta shndërrojnë në njësi të klakistëve aplaudues profesionistë për të ushqyer ambiciet e patalentuara të bërësve të shfaqjeve. Aktualisht, kritika është e përjashtuar nga shumica e festivaleve prej disa neoteatrologëve, të cilët teatrin e konsiderojnë (lexo: shfrytëzojnë) trampolinë prej ku mund të katapultohen diku tjetër në rastin më të mirë aderojnë suksesshëm në ndonjë parti. “Po flasin pa lidhje e po na i prishin lidhjet”, thonë ata për kritikët. Teatrit, ashtu si gjithë kulturës e skenës artistike, i ka hije të jetë opozitë konstruktive e çdo pushteti e jo të integrohet në interesa puro politike. Po nejse, temë për tjetër herë: “Sa i dha teatri politikës dhe çka i mori politika teatrit”.

Kritika është medium i rëndësishëm shqyrtues, andaj ishte organizuar tryeza e debateve pas secilës shfaqje pjesëmarrëse në edicionin e katërt të festivalit “Moisiu”. (Mos)pjesëmarrja në debatet që organizoheshin ditën e nesërme ishte shenjë se kritikën nuk e duan ata të cilët i kanë gjërat e ditura para se ato të ndodhin. Atyre u intereson pjesa manifestive e assesi jo analiza dhe qëmtimi i përbërjes dhe nivelit të shfaqjeve, korelacioni midis formës dhe përmbajtjes. Edhe juria e anashkaloi tryezën e kritikës sepse i frikësohej ndikimit në vendimmarrje, tha dikush. Frika mbase tregon papjekurinë e kritereve vlerësuese tek anëtarët e jurisë, çmimorja e të cilëve dukej se ishte si “black friday every day”. Duke mos e përfillur kritikën në formë debatesh për nivelin e shfaqjeve, ata mbyllën veshët për të mos dëgjuar diçka tjetër nga e planifikuara dhe bënë siç bënë: shpëtuan nga kritikët, por i zuri turpi. Andaj, them se ka ardhur koha që kjo specie e rrallë që quhen kritikë të mbrohet e stimulohet nga mediat, sepse investimi në këtë institucion i ndihmon zhvillimit të teatrit, e të vijë dita kur kritika e heq një shfaqje nga repertori, siç ndodh në botë, ku vlera nuk kalkulohet me kontabilitet as me pozitën apo autoritetin politik të fituar me servilizëm, por me nivel të vlerësueshëm artistik. Mbase kritikën do të duhej ta mbështeste ndonjë segment i caktuar i Ministrisë së Kulturës. Fuqizimi i kritikës do të ndikonte pozitivisht në krijimin e shijeve artistike, që është një objektiv i pashkruar i kritikës. Apo do ta shndërrojmë teatrin në publicistikë?

Juria dhe çmimet “Black Friday”

Formulimi i jurisë do të duhej të bëhej ndryshe. Nëse anëtarët e respektuar të jurisë janë aktivë në teatrot prej nga vijnë, kjo sigurisht e zbeh objektivitetin dhe besueshmërinë e vendimmarrjes për çmimet e festivalit. Një juri e përzgjedhur prej anëtarëve të dëshmuar si artistë, që nuk janë pjesë aktive e teatrove, do të objektivizonte dhe thellonte kriteret vlerësuese për çmimet e festivalit në të gjitha kategoritë vlerësuese; besa edhe çmimet, për të qenë më përfshirëse, do të duhej të riformuloheshin për të vlerësuar edhe përbërësit e tjerë dhe karakteristikat veçuese të nivelit artistik, që pastaj këto vendime të përkthehen në mbështetje për zhvillimin e teatrit si art, i cili e ka për mision detektimin e të vërtetave jetike për shoqërinë. Juria e sivjetme, e përbërë nga tre aktorë të teatrove organizatore të festivalit: Teatri Kombëtar, Tiranë; Teatri Kombëtar i Kosovës dhe nikoqiri i sivjetmë, Teatri Shqiptar, Shkup, sikur e zvogëlon gamën e trajtimit dhe aspekteve të vlerësimit të shfaqjeve si tërësi dhe të emrave e mbiemrave konkretë që sivjet u nxorën fitues, derisa vlerësimet e kritikës dhe në debatet spontane, ku u debatua për shfaqjet, kishte krejt një tjetër zë. Pse pa pikë zori duhet të ndihemi keq me vendimet (apo qëllimet) e një jurie? Teatrot kanë mundur të ofrojnë anëtarë kredibilë, të dëshmuar në nivele artistike dhe akademike. Nëse juria e sivjetme, po e zëmë, ka dashur të stimulojë të rinjtë, do të duhej gjetur një formë vlerësimi si mbështetje që aktorët e rinj të stimulohen, por assesi nuk pajtohem që stimulimi të tejkalojë masën dhe të anashkalojë kreacionin e të tjerëve, siç ndodhi këtë vit. Shembulli i sivjetmë është rast eklatant i mbylljes së syve për të mos parë elefantin. Si është e mundur që përmbajtja e interpretimit të Luiza Xhuvanit dhe Edona Reshitajt të kalojë pa u vlerësuar në nivelin e të prezantuarës në skenë? Apo si është e mundur të mos vërehen e vlerësohen amplitudat e interpretimit të Ylber Murtezit, Musa Isufit, Amos Zaharias, Xhevdet Dodës, Alfred Trebickës...?

Nuk them se këta që morën çmimet nuk i kanë merituar, por dua të them se edhe një ndarje tjetër do të ishte më e vërtetë. Ka raste ku përcaktimi për njërin apo tjetrin është thuajse i pamundur; atëherë pse të mos jenë dy fitues, po e zëmë: Kushtrim Bekteshi dhe Ilir Bokshi për regji, apo Luiza Xhuvani dhe Edona Reshitaj për interpretim? Pse të mos ketë çmim për duetin skenik më të artikuluar, siç ishte dueti që interpretuan Romeon dhe Xhulietën; Valmir Krasniqi dhe Qëndresa Jashari. Nuk besoj se do të gjendet diku një treshe vlerësuese që do të shpallte “Drejtësi në Nuremberg” fituese të festivalit para shfaqjeve: “Magjistari i Ozit”, “Romeo dhe Xhulieta”, por edhe “Duke pritur Godonë”, “Sytë e ujkut”, “Pylli”, “Përtej hekurave” apo edhe “Amour” e “Hamleti”.

Sivjet vlerësimet duket se u bënë sipas kritereve të një qendre tregtare, bazuar në çmimoren “Black Friday”: “më lirë s’ka, veçse afati i përdorimit i tejkaluar”, apo kësaj pune i thonë si të mbjellësh lule në asfalt.

Kur do ta kuptojmë se teatri është art aristokrat dhe ne shumicën e rasteve po e trajtojmë si rast social apo me ligjësi ekonomike që kalkulohen në dëm të kritereve artistike.