Nikolai Ivanoviç Kravtsov (Никола́й Ива́нович Кравцо́в 1906–1980) ka qenë studiues i letërsisë sllave, profesor në Universitetin Shtetëror të Moskës. Studimet e Kravtsovit e kanë për temë eposin serb dhe kjo dëshmohet nga veprat e tij: “Eposi serb” (1933), “Epika dhe historia Serbe” (1948), “Përmbajtja ideologjike e epikës serbe” (1951). Epika serbe (përmbledhje, hyrje dhe komente). në dy vëllime, (1960) “Probleme të folklorit sllav” (1972) e të tjera. Kravtsov vdiq dhe u varros në Moskë në vitin 1980. Për lexuesit kemi sjellë fragmente nga libri “Eposi serb” (1933) dhe “Epika dhe Historia Serbe" (1948).
Nikolai Ivanoviç Kravtsov
Tradita në epos e devijon këngën nga saktësia gjeografike dhe kronologjike
Studimi i bazës historike të epikave të popujve të ndryshëm, prej kohësh e ka tërhequr vëmendjen e studiuesve. Çështja e historicitetit të epikës serbe është ngritur shumë herë dhe padyshim që kjo është ndikuar edhe nga studiuesit rusë…
T’u japësh një koment të kënaqshëm historik dhe kulturor këngëve epike serbe është e vështirë, megjithëse një numër veprash janë përpjekur ta bëjnë këtë ngase vetë epika është historike, subjekti i saj është historia, dhe për këtë arsye ajo vetë duhet të konsiderohet si një burim historik (megjithëse kjo, theksojmë edhe një herë, nuk është thelbi i problemit – epika kundrejt historisë).
Në anën tjetër, ekziston një pajtueshmëri midis studiuesve të epikës, se këngëtari popullor nuk mund të ofrojë gjithmonë një riprodhim të saktë të një fakti historik dhe ky njëherësh nuk është qëllimi i eposit.
Në radhë të parë qysh në fillim është me rëndësi të jashtëzakonshme të zgjidhet çështja e historicitetit të eposit serb dhe ajo e origjinës së këtij eposi; aq më tepër kur dihet se eposi (serb – S. L.) është me origjinë të vonë dhe mu për këtë ai humb shumë nga vlera historike. Anasjelltas, nëse është një fenomen me origjinë të lashtë, atëherë padyshim që ka rëndësi të madhe historike dhe mund të jetë një mbështetje e caktuar në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme historike.
Transmetimi tradicional i një kënge nga një këngëtar te tjetri ruan thelbin e saj historik, por megjithatë nuk duhet harruar se tradita në epos përveç tjerash kombinohet me shtesa dhe përshtatje të vazhdueshme të mëvonshme, të cilat e devijojnë këngën nga saktësia gjeografike dhe kronologjike bile duke shkaktuar anakronizma dhe kontradikta.
Eposi serb u zhvillua nga cikle dhe rrëfenja lokale që tregojnë për heronj vendas; më pastaj mbi rrëfenja që e mishërojnë idenë e tokave serbe si një tërësi të vetme, ndërsa vetë grindjet e princave (serbë – S. L.) janë në antagonizëm me dëshirën e popullit për bashkim. Prandaj, njëra prej ideve themelore të eposit serb është ajo e unitetit në luftë.
Të metat e eposit serb
Këngët historike të eposit serb ndër të tjera, ndahen në ciklet e mëposhtme (që korrespondojnë me periudhat e historisë serbe, ndarjet e saj politike dhe qendrat e saj kulturore): 1) cikli para-Kosovës, ose cikli për Nemanjidët, 2) cikli i Kosovës, 3) këngë për Krajl Markon, 4) cikli i Brankovićit, 5) cikli i Čarnojevićit etj.
Cikli i Kosovës është një histori poetike e Betejës së vitit 1389 që u zhvillua në Fushën e Kosovës, e vendosur përgjatë lumit Sitnicë pranë qytetit të Prishtinës. Kjo është një fushë e madhe, njëzet mijë hapa e gjatë dhe pesë mijë hapa e gjerë. Këtu, u zhvillua një betejë e përgjakshme midis serbëve dhe boshnjakëve nga njëra anë, dhe turqve dhe serbëve (vasalëve të turqve) nga ana tjetër.
Kështu Fusha e Kosovës u bë simbol i kësaj lufte dhe më vonë lindën legjenda e këngë rreth Fushës së Kosovës, më pastaj lindën edhe rrëfenja nga epoka të ndryshme që u bashkuan duke e krijuar një cikël, të njohur zakonisht si cikli i Kosovës.
Shumica e motiveve dhe intrigave në ciklin e këngëve epike të Kosovës janë legjendare: ripërpunime poetike të ngjarjeve, idealizime të heronjve, ndërsa këto këngë ndahen në tri grupe: këngë që përshkruajnë momente individuale para betejës, këngë që përshkruajnë vetë betejën (një numër i vogël këngësh) dhe këngë që përshkruajnë ngjarjet dhe gjendjet shpirtërore pas betejës (shumica e këngëve).
Megjithatë, në mënyrë të pashmangshme lind pyetja: pse këngët nga një cikël kaq i pasur nuk ishin të përhapura në fqinjësinë e Kosovës në kohët e mëvonshme? Pra këngët jo vetëm që u larguan nga Kosova; ato u kompozuan kryesisht nga kosovarët që kishin ikur dhe ata që kishin luftuar në Kosovë, dhe në një masë shumë më të vogël nga ata që mbetën me turqit dhe u konvertuan në turq ose u bënë vasalë të tyre (natyrisht se autori nuk e ka marrë parasysh trashëgiminë shqiptare të këngëve për Betejën e Kosovës S. L.)
Ndryshimet që ndodhën në shoqërinë serbe pas Betejës së Kosovës, stratifikimi i klasave shoqërore përgjatë vijave të reja dhe aspiratat politike të despotëve dhe vojvodave – të gjitha këto e shpjegojnë plotësisht shfaqjen e këngëve rreth ngjarjeve të vitit 1389, idealizimin e heronjve, justifikimin e humbjes dhe më e rëndësishmja, forcimin e shpresave për fitore.

Roli i kishës në “ripunimin” e këngëve epike dhe varfëria historike
Ne tashmë kemi vënë re rolin e madh që luajti feja (kisha) në jetën shoqërore të mesjetës serbe. Ndikimi i saj në të gjitha fushat e jetës dhe aktivitetit ishte aq i fortë saqë kisha serbe e ripërpunoi të vjetrën, duke e legjitimuar atë në forma që nuk bien ndesh me tendencat e saj themelore, ose e shkatërroi atë nëse haste në rezistencë. Ky ripërpunim (kristianizim) vazhdoi edhe më shpejt dhe gjerësisht. Epika feudale, në përputhje me stilin e saj hiperbolik, kishte nevojë për mjete të fuqishme poetizimi, domethënë transformimin e realitetit prozaik në një pamje magjepsëse, duke agjituar për fuqinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit feudal.
Çështja e historicitetit të eposit serb është ngritur disa herë nga ana e përfaqësuesve të shkollave më të vjetra, por edhe historianët gjithashtu shpeshherë e kanë përdorur materialin e eposit pa rezerva për të karakterizuar periudhën (kryesisht) të lashtë të historisë serbe, për të cilën mungojnë provat historike apo ato janë fare të pakta.
Megjithatë, veprat e fundit hedhin dritë të ndryshme mbi këtë çështje. Kështu, studiuesi letrar bullgar Trifonov beson se “në këngët (serbe – S. L.) gjurmët e ngjarjeve historike janë të dobëta dhe në to mbizotëron përpunimi epik i motiveve të përhapura”, ndërsa A. A. Pogodin është shprehur me vendosmëri se: “në [këngët] serbe... hasim një injorancë të plotë të së kaluarës së vendit të tyre”.
Prandaj ne jemi të interesuar jo vetëm të përcaktojmë historicitetin ose jo-historicitetin e eposit (një shkallë e caktuar historiciteti mund të përcaktohet menjëherë) – por edhe se si eposi serb e përdor dhe e interpreton historinë, çfarë kuptimi shoqëror u jep ngjarjeve historike, çfarë vlerësimi shoqëror u jep figurave historike.
Padyshim se mund të themi se eposi (serb – S. L.) përmban shumë elementë të mrekullueshëm, fantastik dhe hiperbolik, por që këto elemente natyrshëm dalin jashtë kornizës së historicitetit.
Vërtet, nuk është gjithmonë e mundur të lidhim gjenetikisht faktet dhe emrat e festuar në epos me realitetin historik të gjallë, por ekzistojnë teknika të kritikës historike që na lejojnë të përcaktojmë vlerën e eposit si burim historik. Ekuilibri midis trillimit dhe historisë, në epos shpeshherë është përcaktuar se sa afër ka qenë këngëtari me personalitet dhe ngjarjet për të cilat ai ka kënduar. Ndonjëherë, ai thjesht nuk kishte informacion të mjaftueshëm rreth heroit dhe detyrohej, siç do ta shohim më poshtë, të përdorte formula të përgjithshme të vendosura nën presionin e censurës shoqërore dhe idealit shoqëror.
Mungesa e burimeve historike
Historiciteti i poezisë epike serbe në përgjithësi dhe këngëve individuale në veçanti, mund të përcaktohet vetëm duke i krahasuar ato me burimet historike serbe por ky proces është i vështirësuar nga mungesa e këtyre të fundit. Për periudhat e hershme, burimet serbe janë pothuajse inekzistente. Rrëfimet e huaja janë shumë të përgjithshme dhe kërkojnë trajtim të kujdesshëm. Shumë gjëra në historinë serbe mbeten të paqarta dhe madje të pakuptueshme.
Burimet më të pasura, ligjet që japin një pasqyrë të strukturës së brendshme të Serbisë, lidhen kryesisht me bregdetin dalmat, afër Venedikut… Për shkak të kësaj pakësie burimesh historike, faktet historike shpeshherë duhet të vihen nën syrin kritik. Kështu, historianët dhe studiuesit e letërsisë e gjejnë veten në një rreth logjik. Por vështirësitë më të mëdha lindin nga rrethanat e mëposhtme. Ato burime historike që mund të përdoren për të kritikuar poezinë epike, shpeshherë bazohen në vetë poezinë epike, traditën gojore por edhe legjenda. Për shembull e ashtuquajtura “Kronikë e Tronoshit” e bazon rrëfimin e saj të Betejës së Kosovës në rrëfime epike, ndërsa kronikat tjera janë të mbushura me tregime popullore dhe në radhë të parë atyre u mungojnë tipare të përditshme, detaje të gjalla personale, më pastaj datat dhe emrat janë të paqëndrueshëm. Pra, historia është reduktuar në imazhe fiktive, shpesh simbolike; fakti historik është shkatërruar nga komplote endacake, formula të përgjithshme e shfrytëzime simbolike dhe vetë fakti historik i është nënshtruar ripërpunimit poetik…
Të pavërtetat historike
Vërtet, shumë gjëra vareshin edhe nga niveli i përgjithshëm i mendimit historik të kohës (analet, kronikat, gjenealogjitë), i cili nuk ngrihej shumë mbi kuptimin dhe interpretimin e historisë në epos.
“Në të vërtetë kënga konsiderohej një rrëfim i besueshëm i asaj që ndodhi”. (Buslaev). Sidoqoftë, ajo perceptohej në këtë mënyrë nga një grup i caktuar dëgjuesish, apo një masë fshatare e shtypur dhe e varfër, tek e cila poezia feudale kërkonte të nguliste nocione për stabilitetin e feudalizmit, të kaluarën e lavdishme të dinastisë e kështu me radhë.
Eposi, zotëron një lloj të veçantë pragmatizmi – nocionin e lidhjes dhe renditjes së ngjarjeve, që qëndrojnë në themel të shpjegimit të fakteve. Ky pragmatizëm është qartësisht i natyrës shoqërore. Kështu, vetë nocioni i “vdekjes” së mbretërisë serbe në fakt është një nocion grupi. Për shembull Lazari u vra në Betejën e Kosovës dhe aty, serbët humbën pushtetin dhe forcën e tyre në tokë.
Kështu, epika (serbe- S. L.) Betejës së Kosovës i kushton një vend të madh për fatet historike të shtetit dhe popullit serb në vitin 1389. Historianët e kundërshtojnë këtë dhe shumë prej tyre besojnë se Beteja e Kosovës në vitin 1389 nuk pati rol vendimtar në fatin e Serbisë. Bile historikisht, kjo është krejtësisht e pavërtetë. …Interpretimi i betejës si “vdekja e mbretërisë” lindi nga klasa feudale e cila i humbi zotërimet e veta pas betejës së vitit 1389 – kryesisht zotëruesit e tokave në “Serbinë e Vjetër”. Ata gjithashtu ofruan një justifikim për betejën e humbur: duke e krijuar legjendën për tradhtinë e Vukut, duke pretenduar se vetë “Zoti e gjykoi fundin e betejës ashtu” – pra disfatën për serbët..
Prandaj, arrijmë në përfundimin se ka pak histori në epos, megjithëse vetë eposi është në thelb historik. Eposi ofron interpretimet e veta (dhe të ndryshme) të ngjarjeve historike, vlerësimin e vet për to. Historia është aq e ndryshuar në epos sa është më saktë të flitet për një maskim historik dhe pseudo-histori në të. Kënga nuk interesohet për faktin historik, por përkundrazi për aftësinë për ta shfrytëzuar atë për qëllimet e veta. Vetë premisa e këngës ia ul vëmendjen historisë, duke krijuar një pseudo-histori ndërsa qëllimi i eposit kurrë nuk ishte për të riprodhuar historinë.
Cili ishte qëllimi i historisë dhe pseudo-historisë në poezinë epike? Vetëm për të krijuar një aurë legjendare poetike rreth heronjve, për t’u atribuuar atyre paraardhës të lavdishëm, duke lavdëruar kështu një dinasti ose familje, dhe nga pamja e përgjithshme e historisë, për të nxjerrë një përfundim rreth pandryshueshmërisë së rendit botëror. Duke maskuar analogjinë e së kaluarës dhe të tashmes, me një krahasim që dëgjuesi e bënte pa dashje, këngëtari e detyroi dëgjuesin të besonte në madhështinë dhe rregullsinë e së tashmes; me një fjalë ai e justifikoi historikisht të tashmen.
Feudalizmi serb dallohej nga format e tij veçanërisht pasive për shkak të faktit se kushtet e jashtme historike e penguan atë të zhvillohej, duke filluar nga përplasja e kombeve në Ballkan dhe pozicioni i një Serbie të dobët midis fqinjëve të fortë. Tradita vazhdoi, sepse ekzistonte dëshira për t’u kthyer në të kaluarën, për të rivendosur të vjetrën, në vend që të krijohej diçka e re.
Titulli dhe nëntitujt janë të Redaksisë
Kültür Eki'nin bir sonraki sayısında devam edecek