TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür Eki

Aydınların dosyası, Kosova tarihinin bir bölümü olarak

Prof. Dr. Muhamet Tërnavës dosyasının yayımlanması

Botimi i dosjes së prof. dr. Muhamet Tërnavës dhe bashkëveprimtarëve të tij përbën një kontribut të rëndësishëm për dokumentimin dhe ndriçimin e një periudhe të ndjeshme të historisë së Kosovës. Njëkohësisht, ai hap një rrugë të re për botimin e dosjeve të tjera të profesorëve, studiuesve dhe intelektualëve shqiptarë të cilët u përndoqën ose u dënuan nga regjimi jugosllav

“Dosja e prof. dr. Muhamet Tërnavës dhe bashkëveprimtarëve të tij Kadri Rexha dhe Shaqir Shaqiri” përgatiti për botim prof. dr. Alban Dobruna – Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, 2026, f. 392 – nuk është vetëm një dokumentim biografik për një pjesë të jetës së një historiani. Ajo është një dëshmi për një periudhë të rëndësishme të historisë intelektuale dhe politike të Kosovës. Vepra e tij dëshmon se kërkimi i së vërtetës historike kërkon jo vetëm dije dhe përgatitje profesionale, por edhe këmbëngulje e guxim

Në kuadër të edicionit të botimeve për vitin 2026, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, në Prishtinë, ka botuar edhe veprën me titull “Dosja e prof. dr. Muhamet Tërnavës dhe bashkëveprimtarëve të tij, Kadri Rexha dhe Shaqir Shaqiri”, përgatitur për botim nga studiuesi prof. dr. Alban Dobruna.

Ky botim mund të konsiderohet i veçantë për shumë arsye, por tri prej tyre janë kryesoret: E para, sepse Instituti i Historisë, në historikun e botimeve të tij, boton për herë të parë një dosje që lidhet drejtpërdrejt me një personalitet të rëndësishëm të shkencës dhe të jetës publike; e dyta, sepse ky botim qartëson shumë çështje që lidhen me jetën dhe veprën e profesorit tonë të nderuar, prof. dr. Muhamet Tërnavës, por, njëkohësisht, dëshmon edhe për sfidat dhe vështirësitë me të cilat u përballën intelektualët shqiptarë të asaj kohe; e treta, sepse përmes këtij botimi jepet një sinjal i qartë se ka ardhur koha që dosjet e profesorëve dhe intelektualëve të cilët u dënuan dhe u përndoqën nga regjimi jugosllav të hulumtohen, të sistemohen dhe të botohen, në mënyrë që t’u vihen në dispozicion studiuesve dhe të gjithë të interesuarve.

Studiuesi që qëndroi stoik përballë sfidave

Prof. dr. Muhamet Tërnava, pas një jete të mbushur me sfida dhe me një veprimtari të pasur akademike e patriotike, ndërroi jetë në vitin 2017. Po atë vit, studiuesi prof. dr. Alban Dobruna ishte ndër të paktët studiues, për të mos thënë i vetmi, që përgatiti një nekrolog për profesorin, një nga studiuesit më të shquar të Mesjetës shqiptare dhe ish-të burgosurin politik, prof. dr. Muhamet Tërnava. Ky nekrolog, i shkruar me përkushtim nga kolegu Dobruna, u botua në disa revista shkencore në Prishtinë, ndër të cilat edhe në revistën “Gjurmime albanologjike – seria e shkencave historike”, nr. 47, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2017, f. 365–369.

Për ta bërë nekrologun sa më të plotë, prof. dr. Dobruna kishte hulumtuar edhe dosjen gjyqësore të prof. dr. Muhamet Tërnavës dhe të bashkëveprimtarëve të tij në Arkivin e Prishtinës. Me botimin e nekrologut, studiuesi Dobruna bëri të ditur për opinionin e gjerë ekzistencën e kësaj dosjeje gjyqësore dhe mundësinë që ajo të konsultohej nga studiuesit e interesuar. Megjithatë, është për t’u habitur fakti se, nga viti 2017 e deri më sot, askush nuk është interesuar seriozisht për këtë dosje, qoftë për ndonjë trajtim studimor, qoftë për ndonjë shkrim publicistik.

Duke e njohur nga afër personalitetin e prof. dr. Muhamet Tërnavës, si ish-student i tij, dhe duke qenë i njohur me përmbajtjen e dosjes, të cilën e kishte konsultuar vite më parë, dr. Dobruna, me dijeninë e pasardhësve të profesorit, mori përsipër ta përgatiste dhe ta vinte atë në dispozicion të lexuesve dhe studiuesve në formën e një botimi. Pas një pune sistematike, siç shprehet edhe vetë në parathënien e librit, ai realizoi transkriptimin e dosjes në fjalë dhe e pajisi atë me sqarimet e nevojshme dhe shpjeguese.

Libri ka gjithsej 392 faqe, prej të cilave 56 faqe i përkasin pjesës hyrëse. Pjesën hyrëse, përgatitësi i këtij botimi e quan “Parathënie”. Megjithatë, parë nga aspekti i trajtimit dhe i vëllimit, ajo i tejkalon parametrat klasikë të një parathënieje. Në fakt, kemi të bëjmë me një studim hulumtues, të realizuar me përkushtim, mbi jetën dhe veprimtarinë e prof. dr. Muhamet Tërnavës, i cili, njëkohësisht, i shërben drejtpërdrejt qëllimit dhe kontekstit të librit.

Për përgatitjen e kësaj pjese, dr. Dobruna, përveç hulumtimit të veprimtarisë shkencore dhe publicistike të prof. dr. Muhamet Tërnavës, ka konsultuar dokumente arkivore në arkivat e rajonit që lidhen me veprimtarinë e tij akademike. Gjithashtu, ka intervistuar ish-shokë dhe shoqe të klasës nga shkolla e mesme, ish-kolegë nga institucionet ku i ndjeri kishte shërbyer si mësimdhënës, profesorë universitarë, si dhe ish-të burgosur politikë me të cilët profesor Tërnava kishte pasur kontakte në forma të ndryshme. Të gjitha këto të dhëna janë sistemuar me kujdes dhe sjellin informacione të reja, deri tani pak të njohura për opinionin e gjerë, mbi jetën dhe veprën e këtij personaliteti të rëndësishëm akademik dhe patriotik.

Pjesa e dytë dhe qendrore e librit përbëhet nga transkriptimi i dosjes gjyqësore të prof. dr. Muhamet Tërnavës dhe bashkëveprimtarëve të tij, Kadri Rexha dhe Shaqir Shaqiri. Kjo pjesë përfshin faqet 65–215. Sipas dokumentacionit të dosjes, prof. dr. Muhamet Tërnava dhe bashkëveprimtarët e tij u arrestuan në vitin 1982, nën akuzën se: “Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 1980 në Prishtinë, nën ndikim nga jashtë, kanë nxitur rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore dhe të punonjësve, ndryshimin antikushtetues të rregullimit shoqëror socialist vetëqeverisës dhe thyerjen e vëllazërimit, bashkimit dhe barazisë së kombeve dhe kombësive.”

Sipas legjislacionit të kohës në ish-Jugosllavi, kjo veprimtari cilësohej si vepër penale e “propagandës armiqësore”, sipas nenit 133, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2 të Ligjit Penal. Në këtë kontekst, prof. dr. Muhamet Tërnava bënte pjesë në rrethin e intelektualëve që përkrahën lëvizjet patriotike të vitit 1981, rrethanë që çoi edhe në arrestimin dhe dënimin e tij.

Në bazë të aktgjykimit, Kadri Rexha u dënua me 3 (tre) vjet burgim, dr. Muhamet Tërnava me 2 (dy) vjet burgim, ndërsa dr. Shaqir Shaqiri me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim. Duke pasur parasysh natyrën e këtij botimi, ku dokumentet publikohen si burime historike, është e kuptueshme që nuk është ndërhyrë në gjuhën origjinale të dokumenteve. Kjo dëshmon për kujdesin profesional të treguar nga përgatitësi i botimit dhe u mundëson studiuesve të njihen drejtpërdrejt me gjuhën, terminologjinë dhe formulimet e përdorura në dokumentacionin zyrtar të kohës.

Pjesa e tretë e botimit përfshin faksimilet e dokumenteve origjinale të dosjes. Edhe ky element ia shton vlerën botimit, pasi studiuesit dhe lexuesit kanë mundësi të konsultojnë jo vetëm transkriptimin, por edhe pamjen autentike të dokumenteve. Kjo krijon mundësi për krahasime të drejtpërdrejta ndërmjet dokumentit origjinal dhe transkriptimit të tij, si dhe për studime të mëtejshme mbi përmbajtjen, strukturën dhe karakteristikat e kësaj dosjeje.

Në këtë mënyrë, botimi i dosjes së prof. dr. Muhamet Tërnavës dhe bashkëveprimtarëve të tij përbën një kontribut të rëndësishëm për dokumentimin dhe ndriçimin e një periudhe të ndjeshme të historisë së Kosovës. Njëkohësisht, ai hap një rrugë të re për botimin e dosjeve të tjera të profesorëve, studiuesve dhe intelektualëve shqiptarë të cilët u përndoqën ose u dënuan nga regjimi jugosllav, duke i vënë këto burime në dispozicion të studiuesve dhe të opinionit të gjerë.

çözüm

Profesor Muhamet Tërnava, siç edhe është e ditur tanimë i përket atyre intelektualëve që nuk u lëkundën nga parimet akademike dhe atdhetare. Andaj, ky botim vetëm sa e vërteton atë çka është thënë për dijetarin dhe veprimtarin prof. dr. Muhamet Tërnava.

Dosja e prof. dr. Muhamet Tërnavës dhe e bashkëveprimtarëve të tij nuk është vetëm një dokumentim biografik për një pjesë të jetës së një historiani. Ajo është një dëshmi për një periudhë të rëndësishme të historisë intelektuale dhe politike të Kosovës. Përmes dokumenteve arkivore, dëshmive të kolegëve, studentëve, bashkëvuajtësve dhe familjarëve, ndërtohet portreti i një studiuesi që e lidhi kërkimin shkencor me përkushtimin pedagogjik dhe me përgjegjësinë qytetare.

Trashëgimia e tij mbetet veçanërisht e rëndësishme për studimin e historisë mesjetare shqiptare, për historiografinë e Kosovës dhe për brezat e rinj të studiuesve. Vepra e tij dëshmon se kërkimi i së vërtetës historike kërkon jo vetëm dije dhe përgatitje profesionale, por edhe këmbëngulje e guxim. Në këtë kuptim, prof. dr. Muhamet Tërnava mbetet një nga personalitetet që ndihmuan në ngritjen e historiografisë shqiptare në Kosovë dhe në afirmimin e studimit shkencor të së kaluarës së saj.

Prandaj, kujtimi dhe vlerësimi i veprimtarisë së tij nuk duhet të mbeten vetëm në kuadër të përkujtimit të një personaliteti të shquar. Studimi i veprës së Tërnavës dhe botimi i dokumenteve që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e tij përbëjnë një detyrë të rëndësishme për historiografinë e sotme. Vetëm përmes njohjes së plotë të veprës, dokumenteve dhe kontekstit në të cilin ai punoi mund të vlerësohet drejt vendi që prof. dr. Muhamet Tërnava zë në historinë e shkencës shqiptare dhe në kujtesën intelektuale të Kosovës.