Figura e Akil Kocit (1 shtator 1936) është e veçantë pikërisht për shumëdimensionalitetin e tij. Për ta kuptuar atë, vetëm përmes veprës kompozicionale do të ishte e pamjaftueshme, njësoj sikurse do të ishte e pamjaftueshme të vlerësohej veprimtaria e tij vetëm në kuadër të punës në institucionet muzikore. Prandaj, Akil Koci përfaqëson profilin e muzikantit: kompozitor, pedagog, drejtues, organizator, muzikolog dhe pjesëmarrës aktiv në proceset përmes të cilave u formësua dhe u zhvillua jeta muzikore e Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Jubiletë nuk përfaqësojnë momente simbolike të një kalendari personal, por krijojnë edhe hapësirë dhe mundësi të re për rileximin e veprës, veprimtarisë dhe rolit historik të një personaliteti në kontekstet e ndryshme, në të cilat ai ka vepruar. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së kompozitorit Akil Koci, para një dekade, kam trajtuar me një artikull shkencor jetën dhe krijimtarinë e tij kryesisht nga këndvështrimi i ngushtë biografik dhe krijues. Rikthimi te figura e tij, tani, në 90-vjetorin e lindjes, e zhvendos, tashmë vështrimin tim drejt një perspektive më të gjerë analitike shkencore: jo vetëm mbi Kocin si krijues, por edhe mbi vendin dhe rolin e tij në proceset përmes të cilave u formësua dhe u institucionalizua vetë jeta muzikore në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
Në fakt, roli i kompozitorëve dhe muzikantëve që vepruan në Kosovë gjatë periudhës 1945-199 duhet të kuptohet si veprimtari shumëdimensionale e zhvilluar në një periudhë të rëndësishme të transformimit të jetës kulturore, kur, institucionet muzikore, arsimi profesional, praktika koncertale, mediat, format e organizimit kulturor dhe diskursi kritik po kalonin proceset elementare të konsolidimit. Për këtë arsye, kontributi i shumë individëve në këto procese, duhet parë përtej dimensionit të ngushtë, si një ndërthurje e krijimtarisë kompozicionale me pedagogjinë, organizimin institucional, publicistikën muzikore, drejtimin artistik dhe ndërmjetësimin kulturor. Ata ishin protagonistët më aktivë në ndërtimin e saj, e në këtë kuadër, figura e Akil Kocit zë vend të veçantë.
I lindur më 1 shtator 1936, në një qytet me një traditë qytetare dhe kulturore siç është Prizreni, Akil Koci e nisi rrugëtimin e tij muzikor në një mjedis që do të luante rol përcaktues në formimin e tij të hershëm. Shkollimi në Shkollën e Muzikës në Prizren, në një prej vatrave themelore të edukimit muzikor profesional në Kosovë, e vendos Kocin në grupin e brezit të parë të muzikantëve të formuar institucionalisht në vendin tonë. Ky formim u zgjerua më tej në Akademinë e Muzikës në Sarajevë (1958–1962), dhe më pas në Shkup, ku thelloi përgatitjen në kompozim. Kontakti i mëvonshëm me mjediset e muzikës bashkëkohore evropiane, veçanërisht gjatë specializimit në Shtutgart (me Milko Kelemen), do të kontribuonte në profilizimin e tij si kompozitor i orientuar drejt kërkimit të gjuhës dhe teknikave të reja kompozicionale. Përveç formimit në fushën e kompozimit, Koci e zgjeroi profilin e tij edhe në drejtimin e muzikologjisë, dhe në vitin 1983, në Akademinë e Muzikës në Sarajevë, përfundoi studimet e shkallës së tretë. Shumë vjet më vonë, në moshën afro 75-vjeçare, përmbylli edhe studimet e doktoratës në Tiranë, gjë që dëshmon për një interes të vazhdueshëm të tij ndaj studimit të muzikës. Kështu, gradualisht u formësua profili i tij artistik e intelektual, duke e orientuar atë gjithnjë e më shumë drejt një konceptimi më të gjerë të muzikës si art dhe dije.
Prania e tij në jetën muzikore të Kosovës vazhdimisht shfaqet në disa nivele të ndërlidhura: në nxitjen dhe drejtimin e festivaleve, në pedagogji, në publicistikë dhe kritikë muzikore, në përfaqësimin e Kosovës në hapësirat e ish-Jugosllavisë, e mbi të gjitha në krijimtari. Nga viti 1962, si kryeredaktor i programeve muzikore në Radio Prishtinë, Koci u përfshi drejtpërdrejt në mekanizmat përmes të cilëve muzika krijohej, përhapej, dhe merrte kuptim në hapësirën publike. Vetëm një vit më pas, me themelimin e festivalit “Akordet e Kosovës” më 1963, angazhimi i tij në organizimin e festivalit e bën atë një nga figurat e rëndësishme në mekanizmat organizativë dhe drejtues të festivalit. Akil Koci ishte po ashtu ndër anëtarët e hershëm të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës dhe pjesëmarrës i përhershëm në veprimtaritë e saj, ndërsa kontributi i tij lidhet ngushtë edhe me zhvillimin e festivalit “Skena Muzikore e Prishtinës”, në të cilin ai ishte i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme. Përfshirja e tij në këto struktura të jetës muzikore vendore u ndërthur me një angazhim më të gjerë në hapësirën muzikore jugosllave. Ai mori pjesë edhe në strukturat profesionale të organizimeve muzikore në nivel të ish-Jugosllavisë (si përfaqësues i Kosovës) si dhe në garat, juritë, kongreset, dhe simpoziumet muzikore të kohës. Në të njëjtën perspektivë qëndron edhe prania e krijimtarisë së tij në Festivalin “Jugoslavenska Muzička Tribina” (Tribuna e muzikës jugosllave), që zhvillohej në Opati. Gjatë periudhës 1970–1985, veprat e Akil Kocit janë përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në programet e këtij festivali të njohur.

Një dimension tjetër i rëndësishëm i veprimtarisë së Akil Kocit mbetet angazhimi i tij pedagogjik. Për shumë vite ai ishte profesor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Gjatë viteve të errëta të ‘90-ta, kur sistemi institucional i arsimit shqip në Kosovë u godit rëndë dhe profesorët e studentët shqiptarë u përjashtuan nga objektet zyrtare të institucioneve arsimore, siç dihet, vazhdimësia e arsimit të lartë u mbështet në një rrjet alternativ të të ashtuquajturave “shkolla-shtëpi”. Në këto rrethana, kontributi i Akil Kocit mori një dimension përtej angazhimit të tij të zakonshëm pedagogjik. Së bashku edhe me shumë profesorë të tjerë të Fakultetit të Arteve, ai vazhdoi të zhvillonte procesin mësimor në kushte të jashtëzakonshme, madje shtëpia e tij në lagjen “Dragodan” të Prishtinës u shndërrua në një nga hapësirat ku zhvilloheshin disa orë të lëndëve mësimore për studentët shqiptarë të drejtimit të muzikës. Deri në shpërnguljen e tij në Londër në vitin 1993, Akil Koci mbeti pjesë e kësaj përpjekjeje, duke dëshmuar se veprimtaria e tij pedagogjike, në rrethana të caktuara historike, mori edhe kuptimin e një përgjegjësie më të gjerë.
Dimension të rëndësishëm të profilit të tij shumëdimensional, përbën veprimtaria publicistike dhe muzikologjike. Përmes shkrimeve, studimeve dhe kritikës muzikore, Akil Koci në vitet 1960-2020 ishte një nga zërat më aktivë në artikulimin e mendimit mbi muzikën dhe zhvillimet e jetës muzikore në Kosovë. Për vite me radhë, ai botoi shkrime në rubrikën “Jeta kulturore” të gazetës “Rilindja”, si dhe në periodikë të tjerë kulturorë e letrarë, ndër të cilët “Jeta e Re” dhe “Fjala”, ndërsa kontributet e tij u shtrinë edhe në revista dhe botime muzikore të hapësirës së ish-Jugosllavisë. Angazhimi i tij në këtë fushë nuk u ndërpre pothuajse asnjëherë. Përkundrazi, ai ka vijuar të botojë artikuj, studime dhe mbi dhjetëra libra, duke na ofruar një opus të gjerë shkrimesh muzikologjike.

Megjithatë, përkundër këtij pluraliteti rolesh, boshti themelor i veprimtarisë së Akil Kocit mbetet krijimtaria kompozicionale. Pikërisht në opusin e tij muzikor ndërthuren dhe sintetizohen përvojat e tij të shumëfishta dhe dimensionet e ndryshme të profilit të tij. Opusi i Akil Kocit shtrihet në një spektër të gjerë formash, nga muzika vokale e korale, kamertale dhe sakrale, deri te muzika orkestrale, elektronike dhe krijimtaria skenike. Një nga tiparet më karakteristike të krijimtarisë së tij është afiniteti i theksuar ndaj tingullit modern. Që në veprat e tij të hershme, të shfaqura në skenën muzikore kosovare që nga vitet ’60, vërehet prirja për t’u shkëputur nga modelet e konsoliduara të shprehjes neoklasike dhe neoromantike, për të eksploruar mundësi të tjera kompozicionale. Kështu, atonaliteti, aleatorika, trajtimet jo tradicionale të materialit tematik, eksperimentimi me timbrin dhe përfshirja e mjeteve elektronike janë elemente që te veprat e Akil Kocit shfaqen si mjete për zgjerimin e hapësirës shprehëse dhe për krijimin e një idiome personale krijuese. Prandaj, avangarda e përdorur në veprat e tij nuk përbën thjesht orientim stilistik, por një moment të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të horizontit estetik të muzikës artistike në Kosovë, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në përgjithësi, krijimtaria e Akil Kocit dëshmon për një rrugëtim kompozicional të karakterizuar nga kërkimi, eksperimentimi dhe zgjerimi i vazhdueshëm i kufijve të shprehjes muzikore. Duke filluar nga veprat vokale e korale: “Vashës”, “Zambaku i Prizrenit”, “Pa titull”; kënga solo “Popullit tim”; kantatat: “Nënës së dhembjes”, “Gloria festive – Nënë Tereza”; veprat kamertale: “Metamorfoza”, “Siluetat”, “Klarineti fenomenal”; cikli “Filigranët I–IV”; vepra orkestrale “Ab Aeterno”; krijimtaria skenike, dhe shumë vepra të tjera, dëshmojnë për prirje të vazhdueshme drejt teknikave të reja kompozicionale dhe eksplorimit të materialit sonor. Në gjithë opusin e tij, sigurisht, vend të veçantë zë krijimtaria skenike, e cila përfaqëson një nga fushat ku kërkimi kompozicional i Kocit merr përmasa të veçanta.
Baleti i tij “Sokoli e Mirusha”, me libret të Nuredin Loxhës, zë vendin themelor, si baleti i parë në Kosovë, i realizuar në vitin 1976 nga ansambli i baletit i Teatrit Popullor të Prishtinës. Rëndësia e këtij baleti nuk kufizohet në karakterin e tij pionier si baleti i parë i kompozuar te ne, por edhe në subjektin tematik, i cili trajton dashurinë tragjike të dy të rinjve shqiptarë të besimeve të ndryshme fetare, të cilët, përballë pamundësisë së realizimit të dashurisë së tyre, përfundojnë në vetëflijim. Materialin dramaturgjik të veprës kompozitori e ka artikuluar përmes gjuhës muzikore në të cilën tradita dhe moderniteti nuk vendosen si kategori përjashtuese, por si shtresa shprehëse që ndërveprojnë brenda së njëjtës strukturë muzikore. Po ashtu, përdorimi i orkestrimit të distancuar nga modelet tradicionale, përfshirja e magnetofonit, aplikimi i atonalitetit dhe përdorimi i procedimeve aleatorike dëshmojnë për përpjekje të vetëdijshme të kompozitorit për ta zgjeruar shprehjen e tij muzikore. Kësisoj, vlera e këtij baleti është njëkohësisht historike, si vepër e parë në këtë gjini muzikore, në Kosovë, por edhe estetike, për mënyrën se si kompozitori ndërtoi marrëdhënien ndërmjet materialit folklorik, kërkimit sonor dhe procedimeve të avangardës bashkëkohore.
Në fund të këtij shkrimi, në këtë 90-vjetor të lindjes së tij, dëshiroj që këtij vështrimi të përgjithshëm muzikologjik t’ia shtoj edhe një dimension personal, sepse e konsideroj fat të veçantë profesional dhe njerëzor që e njoh nga afër kompozitorin Akil Koci. Kam pasur rastin të bisedoj me të për muzikën, për muzikologjinë, për zhvillimet e saj dhe për perspektivat e së ardhmes, si dhe të bashkëpunoj me të në kuadër të tribunave muzikologjike në kuadër të festivalit “Ditët e Muzikës Kosovare” sidomos në vitet 2015-16. Por njohja ime me të nuk lidhet vetëm me bashkëpunimet profesionale, por edhe ato familjare ngase profesori Akil Koci është edhe mik i familjes sime, çka e ka bërë marrëdhënien tonë, edhe më të afërt dhe më të veçantë. Pikërisht për këto, ky 90-vjetor për mua është një rast i veçantë për t’i shprehur mirënjohjen time për gjithçka që kam marrë dhe mësuar prej tij, si muzikologe dhe si njeri.
Gëzuar 90-vjetorin e lindjes, kompozitor Akil Koci – me shumë respekt, mirënjohje dhe vlerësim për veprën, për dijen e ndarë, për mbështetjen dhe për kontributin e çmuar në muzikën dhe kulturën shqiptare.
Dr.sc. Kristina Palokaj-Perkola bir müzikologdur.