Supermodelja Bella Hadid duket se ka nisur një romancë të re. Modelja 30-vjeçare ka publikuar për herë të parë në Instagram fotografi me partnerin e saj të ri, Nathan Lacy, duke konfirmuar kështu lidhjen e tyre, ka shkruar Sayfa Altı.
Çifti u fotografua gjatë një ndeshjeje hokeji të ekipit Colorado Avalanche, të shtunën në mbrëmje. Në disa prej fotografive, Hadid shfaqet e përqafuar me Nathan, ndërsa në një moment ai e puth me përkëdheli në faqe.
Por vëmendjen nuk e tërhoqi vetëm lidhja e re e modeles. Ajo befasoi gjithashtu me një ndryshim të dukshëm në pamje, duke u shfaqur me flokë të bardha. Ende nuk dihet nëse Hadid i ka lyer flokët apo ka përdorur paruke.
Modelja ndau edhe fotografi nga mbrëmja, ku shfaqej duke ngrënë hot-dog dhe duke mbështetur ekipin e saj të preferuar.
Në përshkrimin e postimit, ajo shprehu entuziazmin për atmosferën e ndeshjes dhe pasionin që karakterizon sportin e hokejit.
“Pavarësisht se ku ndodhesh në botë, zemra, vendosmëria, shoqëria mes lojtarëve, pasioni i tyre dhe besnikëria e jashtëzakonshme e tifozëve janë gjëja më fantastike për t’u përjetuar nga afër kur bëhet fjalë për hokejin”, ka shkruar Hadid.
Hadid dhe Lacy janë përfolur për një lidhje që prej muajit shkurt të këtij viti, kur u panë së bashku gjatë Javës së Modës në Milano.
Lacy është nga Kolorado dhe familja e tij zotëron një kompani ndërtimi në Crested Butte. Ai ka punuar në biznesin familjar që në moshë të re. Gjithashtu, ai është vëllai i shoqes së ngushtë të Hadidit, Rachael Lacy.
Romanca e re vjen disa muaj pas ndarjes së modeles nga kalorësi profesionist Adan Banuelos, me të cilin kishte qenë në një lidhje për rreth dy vjet. Ata u njohën në vitin 2023, gjatë një aktiviteti me kuaj në Teksas, dhe kishin blerë së bashku një shtëpi dhe kuaj me vlerë miliona dollarë.
Në muajin maj, ish-çifti u pa sërish bashkë në një fermë në Teksas, duke nxitur thashethemet për një pajtim.