Në një kohë kur lufta po ndryshon natyrë, siguria nuk mund të matet më vetëm me numrin e tankeve apo avionëve. Ajo matet edhe me besimin e qytetarëve në institucionet e tyre. Me aftësinë e një shoqërie për të dalluar të vërtetën nga manipulimi. Me aftësinë e institucioneve për të identifikuar një agjent të huaj. Me aftësinë e shtetit për t'u përgjigjur pa cenuar liritë që pretendon se mbron. Dhe mbi të gjitha, me aftësinë e një shoqërie për të qëndruar së bashku kur dikush përpiqet ta ndajë. Sepse në luftën e re, qëllimi nuk është gjithmonë pushtimi i territorit. Ndonjëherë qëllimi është të të bindin se territori, shteti, institucionet dhe vetë shoqëria jote nuk ia vlejnë të mbrohen...
Arrestimet e fundit në Kosovë dhe të dhënat e bëra publike nga Prokuroria Speciale për rastet e dyshuara të spiunazhit në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës së Serbisë (BIA) duhet të shihen përtej dimensionit të tyre të drejtpërdrejtë penal. Ato nuk flasin vetëm për persona që mbledhin apo përcjellin informacione te një shërbim i huaj inteligjent. Ato mund të jenë pjesë e një fenomeni shumë më të gjerë: përpjekjes për të ndikuar në mënyrën se si një shoqëri e percepton veten, institucionet e saj, elitat politike dhe vetë realitetin në të cilin jeton.
Në një intervistë të fundit, prokurori special, Bekim Kodraliu, bëri të ditur se gjatë dy vjetëve të fundit janë hetuar shtatë raste të spiunazhit të lidhura me persona që dyshohet se janë rekrutuar nga BIA, ndërsa deri tani janë dhënë katër aktgjykime dënuese, dy prej të cilave të formës së prerë. Këto të dhëna janë serioze në vetvete. Por, një element tjetër i deklarimeve të prokurorisë është edhe më domethënës, ku bëhet fjalë jo vetëm për marrjen e informacionit, por edhe për detyra, shënjestrimin e individëve dhe krijimin e narrativave armiqësore ndaj shtetit të Kosovës. Prokurori Kodraliu, në një intervistë të tij, deklaroi se i dyshuari jo vetëm i përcillte dokumente një agjenti të BIA-s, por merrte edhe udhëzime për mbledhjen e informacioneve, shënjestrimin e personave dhe mënyrën e hartimit të raporteve. Normalisht, Prokuroria e ka lidhur këtë veprimtari me krijimin e një narrative armiqësore ndaj shtetit të Kosovës. Dhe këtu fillon një histori tjetër.
Spiunazhi, në kuptimin klasik, ka një objekt relativisht të qartë: sigurimin e informacionit që një shtet apo aktor tjetër nuk dëshiron ta bëjë publik. Informacioni ushtarak, dokumentet e sigurisë, planet politike, kapacitetet institucionale apo të dhënat operative mund t'i transmetohen një shërbimi të huaj. Por nëse një person brenda një shteti angazhohet për të ndikuar në mënyrën se si qytetarët i perceptojnë institucionet, figurat politike, historinë apo vetë shtetin, atëherë kemi kaluar në një dimension tjetër. Kjo është ajo që në literaturën bashkëkohore të sigurisë gjithnjë e më shumë përshkruhet si luftë për mendjen (NATO-ja në leksikun e saj përdor shprehjen cognitive warfare). NATO-ja e ka identifikuar tashmë luftën për mendjen si një fushë të re të konkurrencës strategjike. Ajo ka zhvilluar një koncept të posaçëm për luftën për mendjen, duke e lidhur atë me përpjekjet e kundërshtarëve për të minuar besimin publik, për të përhapur dezinformim dhe për të krijuar përçarje në shoqëritë demokratike. Një analizë e fundit e publikuar nga Kolegji i Mbrojtjes i NATO-s të titulluar ‘War is a mind game: countering weaponised information’, nga autorët Marek Havlik dhe Jiri Horacek e përkufizon këtë fenomen si armatosjen e informacionit për të shfrytëzuar, ose ndoshta më mirë për të keqshfrytëzuar dobësitë njohëse të individëve dhe për të ndërprerë, manipuluar apo kontrolluar perceptimin e tyre mbi realitetin.
Prandaj, objektivi i luftës njohëse nuk është domosdoshmërisht sekretet e shtetit. Objektivi, në këtë mënyrë luftimi është vetë mendja e qytetarit. Në fund të fundit, nuk është e nevojshme që qytetari të bindet për një të pavërtetë të caktuar. Mjafton që ai të fillojë të mos besojë më asgjë. Mjafton të krijohet bindja se të gjithë politikanët janë të korruptuar, të gjitha institucionet janë të kapura, të gjitha zgjedhjet janë të manipuluara, të gjitha mediat gënjejnë dhe se e vërteta nuk mund të gjendet askund. Një shoqëri e tillë bëhet shumë më e lehtë për t'u manipuluar.
Ndërlidhur me këtë, qëndron një paradoks i madh i demokracisë liberale. Demokracia është e fortë pikërisht sepse është e hapur. Ajo garanton lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit, lirinë e asociimit, lirinë e medias, lirinë e lëvizjes dhe mundësinë që qytetarët të organizohen e të ndikojnë në vendimmarrje. Këto nuk janë dobësi të demokracisë. Janë themeli i saj. Por pikërisht këto liri mund të (keq)shfrytëzohen nga aktorë që nuk i ndajnë vlerat e demokracisë. Një shtet demokratik nuk mund të mbyllë kufijtë ndaj ideve. Nuk mund të ndalojë mendimet vetëm sepse janë të pakëndshme. Nuk mund të kriminalizojë çdo narrativë alternative. Nuk mund të vendosë se çfarë duhet të mendojnë qytetarët. Prandaj lufta për mendjen është shumë më e ndërlikuar se një sulm klasik. Armiku nuk ka nevojë domosdoshmërisht të hyjë në territorin tuaj. Mund të veprojë përmes një personi që jeton aty. Mund të përdorë rrjete sociale, media, platforma informative, organizata, marrëdhënie personale, kanale politike apo struktura të tjera. Mund të përdorë edhe njerëz të cilët nuk e kuptojnë domosdoshmërisht se po bëhen pjesë e një operacioni ndikimi. Në këtë kuptim, një person i rekrutuar nga një shërbim i huaj nuk është domosdoshmërisht vetëm një mbledhës informacioni. Kështu pra, lufta për mendjen mund të jetë një instrument për prodhimin dhe shpërndarjen e një narrative. Dhe narrativa, në politikë, mund të jetë armë.
Ayrıca Trump'ın Ukrayna'yı satmasına izin vermeyinDëmi matet me humbjen e kohezionit shoqëror
Një dokument i vjedhur mund të shkaktojë dëm të madh. Por dokumenti i vjedhur, në një moment, mund të zëvendësohet, të klasifikohet ose të mbrohet më mirë. Një narrativë e vendosur në mendjen e njerëzve është shumë më e vështirë për t'u çrrënjosur. Nëse për një periudhë të gjatë një shoqëri bindet se institucionet e saj nuk funksionojnë, se një grup i caktuar është gjithmonë fajtor, se një komunitet tjetër është gjithmonë kërcënim, se zgjedhjet nuk kanë kuptim, se shteti nuk është i tyre ose se çdo sukses institucional është vetëm propagandë, atëherë dëmi nuk matet më me numrin e dokumenteve të transmetuara te një shërbim sekret. Dëmi matet me humbjen e kohezionit shoqëror. Kjo është pikërisht pika ku siguria kombëtare takohet me demokracinë. Demokracia nuk është vetëm mekanizëm për zgjedhjen e qeverisë. Ajo është edhe mekanizëm për ndërtimin e legjitimitetit. Qytetari merr pjesë, voton, debaton dhe organizohet, sepse beson se zëri i tij ka rëndësi. Përmes këtij procesi ndërtohet një ndjenjë e përkatësisë ndaj shtetit dhe institucioneve. Nëse kjo lidhje prishet, shteti mund të mbetet formalisht funksional, por shoqëria fillon të dobësohet nga brenda. Dhe kjo mund të jetë pikërisht ajo që një kundërshtar dëshiron.
Një luftë konvencionale është e kushtueshme. Kërkon ushtri, armatim, logjistikë, njerëz, territor dhe përballet me një kosto të jashtëzakonshme politike dhe ekonomike. Edhe një sulm kibernetik i sofistikuar, kërkon kapacitete teknologjike. Por një operacion ndikimi mund të kushtojë shumë më pak. Nëse mund të ndikosh në një shoqëri përmes disa njerëzve, disa rrjeteve dhe disa narrativave, atëherë nuk ke nevojë të dërgosh ushtri. Ky është një nga dimensionet më shqetësuese të sigurisë në shekullin XXI: nënshtrimi nuk duhet të vijë domosdoshmërisht përmes pushtimit. Mund të vijë përmes dobësimit gradual të aftësisë së një shoqërie për të qëndruar së bashku. Kjo nuk do të thotë se çdo kritikë ndaj qeverisë, çdo debat politik apo çdo narrativë alternative është pjesë e luftës njohëse. Një demokraci që e quan çdo kritik kundërshtar “agjent të huaj” do të dëmtonte vetveten. Dhe, pikërisht këtu qëndron sfida. Duhet të dallojmë ndërmjet lirisë legjitime të shprehjes dhe operacionit të organizuar të ndikimit nga një shërbim i huaj.
Kosova nuk është rast i izoluar. Bashkimi Evropian ka dokumentuar një rritje të fushatave hibride të lidhura me Rusinë, përfshirë sulme kibernetike, sabotazhe, ndërhyrje në procese zgjedhore, manipulim informacioni dhe sulme ndaj infrastrukturës kritike. Në vitin 2025, Këshilli i BE-së theksoi se këto aktivitete synojnë të dëmtojnë sigurinë, reziliencën dhe themelet demokratike të BE-së dhe të partnerëve të saj. Edhe zhvillimet e fundit në Evropë tregojnë se lufta hibride nuk është më një koncept teorik. Ajo shtrihet nga sabotazhi fizik deri te manipulimi i informacionit dhe sulmet kibernetike. Ballkani Perëndimor, për shkak të historisë së tij, polarizimeve ekzistuese dhe konflikteve të pazgjidhura, është veçanërisht i ekspozuar.
Në këtë kontekst, edhe Serbia përbën një faktor të rëndësishëm rajonal. Prania e fortë e narrativave ruse dhe marrëdhëniet politike e informative ndërmjet Beogradit dhe Moskës krijojnë një mjedis ku ndikimi i jashtëm mund të depërtojë më lehtë në hapësirën informative të rajonit. Por këtu duhet të jemi të kujdesshëm: lufta njohëse nuk duhet të reduktohet vetëm në Rusi. Rusia, Kina, Irani dhe aktorë të tjerë shtetërorë apo joshtetërorë kanë zhvilluar kapacitete të ndryshme për ndikim, spiunazh dhe operacione kibernetike. Kjo është një konkurrencë globale për informacionin, perceptimin dhe besimin.
Ayrıca Saraybosna Morbid Safari ve Aleksandar VučićSi t’i përgjigjemi kësaj sfide?
Fillimisht është më se e qartë se përgjigjja nuk duhet të jetë mbyllja e shoqërisë. Do të ishte paradoksale që, për të mbrojtur demokracinë, të fillonim ta kufizonim atë. Përgjigjja duhet të jetë e kundërt: më shumë demokraci, më shumë institucione dhe më shumë reziliencë. Kosova duhet të investojë në kapacitetet e institucioneve që merren me kundërzbulimin, sigurinë kibernetike dhe zbatimin e ligjit. Hetimet profesionale dhe të bazuara në prova duhet të vazhdojnë. Bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë është thelbësor, siç tregon edhe mënyra se si janë zhvilluar hetimet e fundit. Por kjo nuk mjafton.
Duhet të ndërtohet edhe një shoqëri reziliente. Qytetari duhet të jetë në gjendje të dallojë një lajm nga manipulimi, një kritikë legjitime nga një operacion ndikimi, një debat politik nga një narrativë e prodhuar për të shkaktuar polarizim. Kjo kërkon edukim mediatik, transparencë institucionale, media profesionale, institucione të besueshme dhe komunikim strategjik të shtetit. Institucionet duhet të jenë aq transparente saqë hapësira për dezinformim të zvogëlohet. Sepse dezinformimi lulëzon aty ku mungon informacioni i besueshëm.
Kjo është edhe arsyeja pse NATO-ja po mendon për sigurinë përtej koncepteve tradicionale të luftës. Aleanca tashmë e trajton mbrojtjen kolektive në një mënyrë shumë më të gjerë sesa në vitet e para të ekzistencës së saj. Neni 5 mbetet juridikisht i lidhur me “sulmin e armatosur”, por NATO-ja thekson se një sulm i tillë mund të marrë forma të ndryshme dhe se çdo rast duhet të vlerësohet politikisht nga aleatët. Në Samitin e Wellsit (Mbretëri e Bashkuar) më 2014, NATO-ja deklaroi se sulmet kibernetike mund të arrijnë një nivel që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e vendeve anëtare dhe se mbrojtja kibernetike është pjesë e detyrës së mbrojtjes kolektive. Sot, hapësira e sigurisë është zgjeruar edhe më tej: tokë, det, ajër, hapësirë kozmike dhe hapësirë kibernetike, ndërsa dimensioni njohës dhe lufta për mendjen po bëhet një komponent gjithnjë e më i rëndësishëm i konkurrencës strategjike. Prandaj pyetja e së ardhmes nuk do të jetë vetëm: “A na sulmuan ushtarakisht?” Pyetja do të jetë gjithnjë e më shumë: A po përpiqet dikush të na bëjë të paaftë për t'u mbrojtur duke na bindur se nuk ia vlen të mbrohemi? Ky është ndryshimi thelbësor.
Nëse lufta për mendjen synon të shkatërrojë demokracinë duke shfrytëzuar liritë e saj, përgjigjja më e keqe do të ishte shkatërrimi i këtyre lirive. Nuk mund ta mbrojmë demokracinë duke u bërë më pak demokratikë. Nuk mund ta mbrojmë shtetin e së drejtës duke e dobësuar shtetin e së drejtës. Nuk mund ta mbrojmë lirinë e shprehjes duke ndaluar kritikën. Ajo që duhet të bëjmë është të forcojmë institucionet që zbatojnë ligjin, të identifikojmë dhe ndjekim operacionet e huaja të ndikimit, të rrisim transparencën dhe të krijojmë një qytetar më të aftë për ta dalluar manipulimin. Në fund të fundit, rezilienca demokratike është edhe kapacitet sigurie. Një shoqëri që u beson institucioneve të saj, që ka media profesionale, që ka drejtësi funksionale, që i zgjidh konfliktet politike përmes institucioneve dhe që nuk polarizohet lehtë, është shumë më e vështirë për t'u pushtuar nga jashtë.
Duhet të theksohet këtu se edukimi i mirëfilltë është ndoshta mbrojtja më e qëndrueshme e një shoqërie demokratike ndaj luftës njohëse. Një shoqëri reziliente nuk krijohet duke u treguar qytetarëve çfarë të mendojnë, por duke u mësuar si të mendojnë. Arsimi duhet të zhvillojë aftësinë për të analizuar informacionin, për të dalluar faktin nga opinioni, argumentin nga propaganda dhe kritikën legjitime nga manipulimi i qëllimshëm. Kjo kërkon jo vetëm edukim mediatik dhe digjital, por edhe kulturë të debatit, mendim kritik, njohje të institucioneve demokratike dhe respekt për pluralizmin. Para së gjithash, qytetarët e Kosovës duhet të edukohen për rolin e sistemit të vlerave të shoqërisë, të cilës i përkasin dhe ku qëndron ky sistem vlerash në raport me rajonin dhe në nivel global. Ky sistem i vlerave duhet t’i mbrojë ata nga humbja e lirisë dhe e mendjes në mënyrë të vetëdijshme apo pa vetëdije. Por ky sistem vlerash mbahet vetëm me pjesëmarrje të përbashkët pushtet-qytetar, ku sovrani megjithatë është populli si burim themelor i këtij sistemi vlerash dhe ndërtues institucionesh për ruajtjen e përbashkët të këtij sistemi vlerash.. Prandaj, investimi në arsim cilësor nuk është vetëm politikë sociale apo ekonomike, në kushtet e reja të sigurisë, ai është edhe politikë e sigurisë kombëtare. Një qytetar që di të pyesë, të verifikojë, të dyshojë dhe të argumentojë është shumë më i vështirë për t'u manipuluar, ndërsa një shoqëri që ruan aftësinë për të menduar në mënyrë kritike e ruan edhe aftësinë për të qëndruar e bashkuar pa hequr dorë nga liritë që e bëjnë atë demokratike.
Prandaj lufta kundër spiunazhit nuk duhet të shihet vetëm si luftë kundër spiunëve. Është luftë për mbrojtjen e hapësirës demokratike. Kosova e ka një arsye edhe më të madhe për ta parë këtë çështje në dimensionin euroatlantik. Një Ballkan Perëndimor i ndarë ndërmjet strukturave të ndryshme të sigurisë krijon hapësira për ndërhyrje të jashtme. Një Ballkan Perëndimor i integruar në NATO, do të ishte jo vetëm më i sigurt ushtarakisht, por edhe më rezilient ndaj kërcënimeve hibride, kibernetike dhe njohëse. Prandaj zgjerimi i NATO-s me tre vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor (duke përfshirë, një Serbia demokratike dhe që nuk paraqet rrezik për fqinjët e saj) nuk duhet të shihet vetëm si çështje e zgjerimit territorial të Aleancës. Është edhe çështje e mbylljes së boshllëqeve të sigurisë në Evropën Juglindore.
Në një kohë kur lufta po ndryshon natyrë, siguria nuk mund të matet më vetëm me numrin e tankeve apo avionëve. Ajo matet edhe me besimin e qytetarëve në institucionet e tyre. Me aftësinë e një shoqërie për të dalluar të vërtetën nga manipulimi. Me aftësinë e institucioneve për të identifikuar një agjent të huaj. Me aftësinë e shtetit për t'u përgjigjur pa cenuar liritë që pretendon se mbron. Dhe mbi të gjitha, me aftësinë e një shoqërie për të qëndruar së bashku kur dikush përpiqet ta ndajë. Sepse në luftën e re, qëllimi nuk është gjithmonë pushtimi i territorit. Ndonjëherë qëllimi është të të bindin se territori, shteti, institucionet dhe vetë shoqëria jote nuk ia vlejnë të mbrohen. Dhe kjo është arsyeja pse spiunazhi që po zbulohet në Kosovë duhet të na shqetësojë, jo vetëm për atë që është marrë nga shteti, por edhe për atë që mund të jetë tentuar të vendoset në mendjen e qytetarëve.
(Autori është Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës)