Vaji i ullirit po promovohet gjithnjë e më shumë nga personazhe të njohur, si modelja Hailey Bieber, ylli televiziv Kourtney Kardashian dhe aktorja Jennifer Lopez, të cilat e lidhin konsumimin e tij me bukurinë e lëkurës dhe mirëqenien e përgjithshme, ka shkruar The Indepenent.
Hailey Bieber ka treguar se e pi në mëngjes, të përzier me lëng limoni.
“Po tingëlloj si një grua e moshuar! Them me vete: ‘Duhet ta pi gotën time me vaj ulliri në mëngjes’”, është shprehur ajo në një intervistë për revistën ZAMAN, duke shtuar se shija i ngjan një sasie të madhe salce sallate.
Por ekspertët paralajmërojnë se ky zakon mund të shtojë shumë kalori në dietën e përditshme.
Një lugë çaji vaj ulliri përmban rreth 40 kalori. Ndërsa një gotë e vogël, që mund të përmbajë rreth nëntë lugë çaji, arrin në afërsisht 360 kalori, pothuajse sa një sanduiç me proshutë, vezë dhe djathë.
Megan Meyer, eksperte e komunikimit shkencor, shpjegon se konsumimi i një ose dy gotave të vogla me vaj ulliri çdo ditë mund të shtojë disa qindra kalori në marrjen ditore.
“Shtimi i kalorive përtej asaj që trupi djeg gjatë ditës çon në shtim në peshë. Prandaj, konsumimi i rregullt i një ose dy gotave me vaj ulliri mund të ndikojë në rritjen e peshës me kalimin e kohës”, ka paralajmëruar ajo.
Përfitimet janë reale, por rëndësi ka masa
Vaji i ullirit përbëhet kryesisht nga yndyrat, por pjesa më e madhe e tyre janë të pangopura, të konsideruara të dobishme për shëndetin.
Një prej tyre është acidi oleik, i cili ndihmon në ruajtjen e shëndetit të zemrës dhe mund të kontribuojë në uljen e nivelit të yndyrës së dëmshme, duke zvogëluar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Sipas Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), konsumimi i rreth një luge e gjysmë vaj ulliri në ditë, në vend të yndyrave të tjera, mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për sëmundjet e zemrës.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet pirë me gota. Vaji i ullirit mund të përfshihet lehtësisht në ushqimin e përditshëm, për shembull në sallata dhe gatime.
Ndihmon edhe në mbrojtjen e organizmit
Përveç yndyrave të shëndetshme, vaji i ullirit përmban vitaminë E, e cila mbështet sistemin imunitar, si dhe polifenole, përbërës natyralë bimorë me veti antioksiduese dhe antiinflamatore.
Studime kanë lidhur gjithashtu konsumimin e vajit të ullirit me rrezik më të ulët të vdekjes nga shkaqe të lidhura me demencën.
Sasia e polifenoleve ndryshon sipas llojit dhe cilësisë së vajit. Në përgjithësi, vaji ekstra i virgjër është më i pasur me këta përbërës.
Eksperti i jetëgjatësisë, doktori Frank Lipman, ka theksuar se cilësia është veçanërisht e rëndësishme.
“Çdo zakon që ndihmon në marrjen e polifenoleve në organizëm është një hap në drejtimin e duhur. Nëse vendosni të konsumoni vaj ulliri, zgjidhni një produkt cilësor, ekstra të virgjër”, ka këshilluar ai.