TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
AKŞAM HABERLERİ

Thaçi, Özel Mahkeme'deki ikinci davasında da mahkum edildi.

Haşim Thaçi

Hashim Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, derisa Bashkim Smakaj e Fadil Fazliu me një vit. Hajredin Kuçit është dënuar me një muaj me kusht, kurse Isni Kilaj është liruar nga akuzat. Ky rast i tentim pengimit të administrimit të drejtësisë ka të bëjë me rastin tjetër të Thaçit, ku në shkallë të parë është dënuar me 25 vjet burgim. Vendimi ka nxitur reagime të mëdha në Kosovë

Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim dënues ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut e Hajredin Kuçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë. 

Nga akuzat është liruar Isni Kilaj.

Çështja lidhet me ndërhyrjet te dëshmitarët në gjykimin për krime lufte ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Hashim Thaçi është dënuar me një vit e pesë muaj burgim për 9 pika të aktakuzës. Por ky dënim sipas gjyqtarit, do të kryhet veçmas atij ku Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim për krime lufte.

“Unë ju shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të veprimit të përbashkët sipas nenit 401 par. 2, 3 dhe 5 sipas pikave 1 dhe 2 të aktakuzës. Fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës sipas pikave 4, 5, 6 dhe 7 dhe fajtor për mosbindje ndaj gjykatës sipas pikave 8, 10 dhe 11”, ka thënë gjyqtari Christopher Gosnell.

Thaçi është shpallur i pafajshëm për pikën 3 dhe 9 të aktakuzës që përfshijnë vepra për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare si dhe mosbindje ndaj gjykatës. 

Vendimin, ish-presidenti e ka quajtur politik.

“Kjo është politikë nuk është drejtësi”, ka thënë Thaçi, pasi i është shqiptuar dënimi.

Për këtë rast, Thaçi ka mbajtur paraburgim më shumë se shkalla e dënimit që ka marrë.

Për vepra me kualifikim të ngjashëm përveç asaj të shkeljes së fshehtësisë së procedurës, janë dënuar me nga një vit burgim Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu.

Sipas gjykatës, me udhëzime të Thaçit është konstatuar se Smakaj ka tentuar të ndikojë në dëshminë e Bislim Zyrapit ndërsa Fazliu në atë të Rrustem Mustafës.

Ndërsa, i pafajshëm është shpallur Isni Kilaj për të cilin nuk është vërtetuar se ka ndërmarrë ndonjë hap për të përcjellë udhëzimet e Thaçit te ndonjë dëshmitar.

“Kilaj ju shpall të pafajshëm për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të veprimit të përbashkët sipas pikës 14 të aktakuzës dhe të pafajshëm për mosbindje ndaj gjykatës sipas pikës 15. Ju do të liroheni në përfundim të kësaj seancë”, ka thënë gjyqtari Gosnell.

Për Kilajn, Smakajn dhe Fazliun, kushtet e lirimit që ishin në fuqi, janë shfuqizuar, ndërkohë edhe do t’u kthehet dorëzania e dhënë. 

E me një muaj burgim me kusht është dënuar Hajredin Kuçi me arsyetimin se nuk e ka respektuar një urdhër të Gjykatës për të mos kontaktuar dëshmitarët e Prokurorisë.

Sipas Gjykatës, ai ka shkëmbyer mesazhe me Rrustem Mustafën, ndërkohë që urdhri ishte ende në fuqi.

“Iu shqiptohet dënim me kusht me burgim një mujor që do konsiderohet i kryer pas një viti në qoftë se nuk kryeni gjatë asaj periudhe asnjë vepër penale”, ka thënë gjyqtari Gosnell.

Duke u thirrur në prezumimin e pafajësisë, vendimi i shkallës së parë thotë se  Thaçi përmes tri grupeve të ndara u ka dhënë udhëzime bashkakuzuarve për të ndikuar në dëshminë e dëshmitarëve në rastin, në të cilin është dënuar nga shkalla e parë me 25 vjet për krime lufte. Për këtë rast janë dënuar edhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Qeveria e zyrtarë të PDK-së shprehin pakënaqësi

Dënimi i Speciales ndaj Thaçit dhe tre të bashkakuzuarve për pengim në administrimin e drejtësisë, ka nxitur reagime në Kosovë.

Në reagimin e Qeverisë është shprehur shqetësim për standardet e aplikuara nga gjykata me seli në Hagë.

“Kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa u përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Reagime më të mëdha janë bërë në Partinë Demokratike, subjekt politik që është udhëhequr nga Thaçi prej themelimit të saj e derisa është bërë president i shtetit.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku e ka quajtur të turpshëm e të papranueshëm vendimin.

“Nuk ka asgjë më shkatërruese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë. Shprehim zhgënjimin dhe shqetësimin tonë të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Kundër dënimit janë shprehur edhe shumë eksponentë të PDK-së.

Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka mirëpritur vendimin e Speciales.

“E mirëpres aktgjykimin dhe dënimet e sotme të cilat japin një mesazh të qartë: ata që përpiqen të sabotojnë sundimin e ligjit, të zbulojnë materiale sekrete të gjykatës apo të ndërhyjnë te dëshmitarët, do të vihen para përgjegjësisë pavarësisht statusit apo postit të tyre”, ka thënë Kimberly West, kryeprokurore e specializuar.

Në Kosovë është kritikuar Specialja, edhe pas vendimit dënues për krime lufte ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ndërkaq, në Kuvend ndodhet në proces të vendimmarrjes ligji që ia kufizon mandatin kësaj gjykate.

“Evropë, ku është drejtësia?”, aksion simbolik i platformës “Jo në emrin tim”

Puna e Speciales në Hagë është kritikuar edhe përmes një aksioni të martën.

Me një pankartë me mbishkrimin “Evropë, ku është drejtësia?”, platforma “Jo në emrin tim” ka zhvilluar një aksion para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë duke kundërshtuar dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Përfaqësuesi i kësaj iniciative qytetare, Çlirim Haziri, e ka akuzuar Gjykatën Speciale për standarde të dyfishta.

“Sot jemi këtu para zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për të shprehur kundërshtimin tonë politik dhe qytetar ndaj standardeve të dyfishta që po zbatohen në raport me ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare, të cilët po gjykohen në Hagë. Ky aksion i yni nuk është kundërshtim i drejtësisë, përkundrazi është një qëllim në mbrojtje të saj, ne besojmë se drejtësia nuk mund të jetë selektive, nuk mund të udhëhiqet nga paragjykimet dhe as të zbatohet me standarde të ndryshme nga kombësia, historia apo përkatësia politike e të akuzuarve”, ka thënë ai.

Haziri ka paralajmëruar po ashtu se do të organizohen protesta nëse, siç ka thënë ai, vazhdon heshtja e institucioneve vendore dhe atyre evropiane ndaj këtyre shqetësimeve të ngritura.

“Shqetësimi ynë nuk kufizohet vetëm te procedurat gjyqësore, ai lidhet edhe me klimën politike dhe institucionale që është krijuar në raport me Kosovën, nga rastet e intonimit të këngëve çetnike në ambientet institucionale të Bashkimit Evropian deri te tolerimi i retorikës që cenon dinjitetin e viktimave dhe luftës çlirimtare të Kosovës, po krijohet një perceptimi i rrezikshëm i njëanshëm institucional”, ka thënë ai.

Aksioni është zhvilluar në ditën kur Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin në rastin “Thaçi 2”, që lidhet me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.