TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
AKŞAM HABERLERİ

Kosova'nın Büyüme Planı'ndan ne kadar fonlardan yararlanabileceği konusunda AB ve hükümet arasında farklı rakamlar var.

Plani i Rritjes - Tryeza

Fotoğraf: “Driton Pacharada”

Rreth dy muaj kohë ka Kosova që t’i realizojë reformat që i janë kërkuar në mënyrë që të përfitojë mbi 100 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së. Të hënën, në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, është diskutuar për sfidat të cilat i presin institucionet gjatë kësaj kohe. Me gjithë rrezikun për humbjen e serishme të miliona eurove, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se janë në rrugë të mirë të zbatimit të masave të kërkuara

Qeveria dhe Bashkimi Evropian flasin për shuma të ndryshme të mjeteve financiare që mund të përfitojë Kosova nga Plani i Rritjes. Derisa BE-ja në fillim të këtij muaji i tha KOHA-s se deri në fund të dhjetorit, qeveria duhet të përmbushë 27 reforma për të përfituar 165.8 milionë euro, të hënën nga Qeveria e Kosovës thanë se janë vetëm 22 dhe se bëhet fjalë për 131.4 milionë euro.

Kryenegociatori i BE-së, Jeton Zulfaj, në tryezën e Grupit për Studime Politike dhe Juridike, tha se pesë hapat që krijojnë diferencën janë raportuar si të përmbyllur më 15 korrik, andaj janë hequr nga lista e dhjetorit.

Zulfaj, me gjithë rrezikun për humbjen e 131.4 milionë eurove, është shprehur optimist se me funksionalizimin e Kuvendit do të ketë dinamikë të re të punës.

“Dështimi jonë në kohë, po e them kështu hapur si institucione, sepse janë të gjitha institucionet e involvuara në agjendë, nënkupton që reformat kërkojnë shumë më shumë kohë në Kosovë sesa në vendet e tjera dhe kjo është po besoj përgjegjësi që ta adresojmë tash me shpejtësi që e kemi Kuvendin, ashtu që të dëshmojmë që kohën të cilën e kemi humbur mund ta rikthejmë dhe mund të fitojmë nga fondet e ardhshme”, ka deklaruar Zylfaj. 

Për deputeten e LDK-së, Jehona Lushaku, mundësia e humbjes së mjeteve financiare nga Plani i Rritjes është shqetësuese.

“T`i humbasësh 40 milionë euro dhe të jesh në një pikëpyetje që të humbasë edhe mbi 1 milion të tjera është vërtet shqetësuese, dhe është përgjegjësi e madhe për të gjithë ata që kanë përgjegjësi publike, duke na përfshirë neve si komision, Kuvendin, por para së gjithash Qeverinë”, ka theksuar Lushaku. 

E zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alexis Hupin, u shpreh se prioritet para diskutimit për humbjen apo fitimin e mjeteve financiare duhet të jenë reformat.

“Kosova ka përcjellë raportin e parë në kohë në korrik, është duke u shqyrtuar dhe kur të shqyrtohet do t’i kthehet Qeverisë dhe më pas, do të ketë një komunikim lidhur me disbursimin e mjeteve. Megjithatë, mendoj se fokusi, edhe nëse miliona euro janë të rëndësishme, kryesisht duhet të jetë te reformat”, ka thënë Hupin. 

Përfitimi nga fondet e Bashkimit Evropian, sipas Besar Gërgit nga GLPS-ja, është në duar të institucioneve të Kosovës. 

“Pra, nuk mund të na bllokojë asnjë shtet mosnjohëse, nuk mund të na bllokojë asnjë vend tjetër. Është plotësisht në duart e qeverisë, në duar të Kuvendit, që këto reforma të zbatohen dhe të ketë qeverisje më të mirë me anë të reformave dhe përfitim financiar”, është shprehur Gërgi. 

Në kuadër të fondit 6 miliardë eurosh të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosova në dispozicion ka mbi 800 milionë euro. Afati për shfrytëzimin e tyre skadon në verën e vitit 2027, derisa nëse shtetet nuk përmbushin reformat në kohë, mjetet i kthehen buxhetit të bllokut evropian.
Deri më tash, Kosova nuk ka marrë asnjë pagesë të rregullt, përveç parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh, të ndarë në prill të këtij viti.