TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

Yayoi Kusama – şifa sanatının yaratıcısı

Yayoi Kusama

Gjatë dekadës së fundit, ajo arriti një nivel fame që do ta lakmonte çdo artist. Në vitin 2018, muzeu “The Broad” në Los Anxhelos shiti me shpejtësi 90 mijë bileta para hapjes për një ekspozitë të Kusamës. Një ekspozitë njëvjeçare në “Tate Modern” të Londrës në vitin 2022 u shit plotësisht brenda një kohe shumë të shkurtër

Yayoi Kusama u bë e famshme vitet e fundit për “Dhomat e saj të Infinitit”, të përshtatshme për “Instagram” – instalacione gjithëpërfshirëse që përdorin pasqyra, drita dhe sipërfaqe reflektuese për të krijuar iluzionin e një hapësire të pafundme – si dhe për skulpturat e saj të mëdha me pika. Ndonëse veprat e saj shpesh duken lozonjare, pas tyre qëndron historia e një gruaje që është përballur me sfida të mëdha shoqërore dhe të shëndetit mendor.

Rreth moshës 10-vjeçare, Yayoi Kusama filloi të përjetonte halucinacione, duke parë pika dhe motive rrjetash që, në sytë e mendjes së saj, mbulonin gjithçka. Ajo ia atribuonte këto vizione të hershme stresit psikologjik të rritjes me një nënë jo të dashur, e cila ia ndalonte të pikturonte dhe përpiqej t’i impononte pritshmëri tradicionale për sjelljen e saj. Edhe pse vazhdoi të përjetonte halucinacione deri në moshë të shtyrë, Kusama mësoi të jetonte me to dhe t’i kanalizonte në artin e saj. “Arti im është shprehje e jetës sime, veçanërisht e sëmundjes sime mendore”, i kishte thënë Kusama një herë revistës amerikane të artit “Bomb Magazine”.

Pas studimeve në Shkollën e Arteve dhe Artizanatit të Kyotos, Kusama organizoi ekspozitat e saj të para në qytetin e lindjes, Matsumoto. Ajo ishte jashtëzakonisht e hapur për shëndetin e saj mendor, në një kohë kur tema të tilla ishin tejet të stigmatizuara.

“Është e jashtëzakonshme që ajo foli për këtë kaq hapur”, ka thënë Stephan Diederich, kurator i retrospektivës së Kusamës në muzeun “Ludwig” të Këlnit, e cila u zhvillua në vitin 2026.

“Për të, arti ishte një strategji mbijetese dhe një formë terapie, gjë që ajo e bënte gjithmonë të qartë, pa e shndërruar këtë në fokusin kryesor”, ka thënë Diederich.

Për Kusamën, e lindur më 22 mars 1929, jeta në Japoni shpejt u bë tepër mbytëse.

“Prindërit e mi gjithmonë përpiqeshin të më lidhnin në martesa të rregulluara me burra që nuk i kisha takuar kurrë dhe që vinin nga familje shumë të veçanta”, i kishte thënë dikur Yayoi shkrimtarit Andrew Solomon, duke iu referuar të njëzetave të hershme si “epoka ime e rrënimit mendor”. Ajo ndihej gjithnjë e më shumë si “një e burgosur e rrethuar nga një perde e depersonalizimit”.

Më në fund, ajo u shkëput nga konventat dhe pritshmëritë e Japonisë së pasluftës dhe u shpërngul në New-York në vitin 1958. “Ajo ishte jashtëzakonisht e sigurt në vetvete dhe e vendosur të ndiqte rrugën e saj dhe të ndërtonte një karrierë”, ka thënë Diederich. Nëna e Kusamës i dha mbështetje financiare për të filluar jetën e re me kushtin që ajo të mos kthehej kurrë në Japoni. Artistja Georgia O’Keeffe, së cilës Kusama i kishte dërguar më parë një përzgjedhje të veprave të saj, e ndihmoi të fitonte një pikëmbështetje në Shtetet e Bashkuara.

Kusama shpesh kalonte ditë të tëra duke punuar dhe krijoi një korpus të jashtëzakonshëm veprash. Ajo u bë pjesë e skenës avangardiste të New-Yorkut, ku pikturat e saj të përpikta “Infinity Net” tërhoqën vëmendjen me modelet e tyre hipnotike dhe përsëritëse.

Veprat e saj, përfshirë skulptura prej pëlhure të butë, shpesh me forma falike, përkonin me disa nga qasjet e bashkëkohësve të saj, si Andy Warhol dhe Claes Oldenburg.

“Ajo ishte shumë e sigurt kur thoshte se ishte ajo që kishte vendosur standardet mbi të cilat më vonë mbështeteshin kolegët e saj burra”, shpjegoi Diederich. Megjithatë, ai shtoi se është e pamundur të përcaktohet me siguri se kush ishte i pari. Në çdo rast, artistët meshkuj bashkëkohës të saj patën më shumë sukses komercial se artistja e re aziatike, gjë që kontribuoi në përpjekjen e saj për t’i dhënë fund jetës, të cilën fatmirësisht e mbijetoi. Kusama bëri një deklaratë mbi hendekun gjinor në të ardhura me skulpturën e saj “Traveling Life” (1964), e cila paraqet shkallë me këpucë grash.

Duke iu rikthyer universit përmes vetëzhdukjes në vitet 1960, Kusama organizoi “happening” si protesta kundër Luftës së Vietnamit. Më pas trajtoj edhe seksin.

“Pse njerëzit që ndajnë kënaqësinë me njëri-tjetrin duhet të shkojnë në luftë dhe të vrasin të tjerët? Përmes seksit të lirë, muri mes meje dhe të tjerëve mund të shembet”, shkroi Kusama në autobiografinë e saj.

Ajo u bë e njohur për pikturimin e trupave të zhveshur të grave dhe burrave me pika, me synimin për të fshirë individualitetin e personave të pikturuar. Ajo e quan këtë “vetëzhdukje”, dhe ky koncept përshkon të gjithë krijimtarinë e saj. “Duke fshirë veten, rikthehesh në universin e pafund”, kishte thënë dikur Kusama.

Në vitin 1966, Kusama prezantoi veprën e saj “Narcissus Garden” në Bienalen e Venecias. Ajo vendosi 1500 sfera të pasqyruara në lëndinën jashtë hyrjes së Bienales së Venecias, në të cilën nuk ishte ftuar, dhe u përpoq t’i shiste për nga 2 dollarë secilën. Zyrtarët e Bienales ndërhynë përfundimisht dhe e ndaluan shitjen, por vepra gjithsesi shërbeu si një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj komercializimit të botës së artit dhe rolit të artistëve në të.

Në vitin 1993, Kusama u kthye në Bienalen e Venecias si artiste e ftuar zyrtarisht, duke përfaqësuar Japoninë.

Më vonë ajo i tha “Financial Times “se dëshironte “të bëhej edhe më e famshme, edhe më e famshme”, një koment që pasqyron se sa e rëndësishme ishte bërë njohja për karrierën e saj dhe që disa komentues e kritikuan si një përqendrim të tepruar te fama.

Gjatë dekadës së fundit, ajo arriti një nivel fame që do ta lakmonte çdo artist. Në vitin 2018, muzeu “The Broad” në Los Anxhelos shiti me shpejtësi 90 mijë bileta para hapjes për një ekspozitë të Kusamës. Një ekspozitë njëvjeçare në “Tate Modern” të Londrës në vitin 2022 u shit plotësisht brenda një kohe shumë të shkurtër, ashtu si edhe zgjatja e saj për një vit. Veprat e saj më pas arritën vlera prej miliona dollarësh në ankande.

Yayoi Kusama u kthye në Japoni në vitin 1973 dhe zgjodhi të jetonte në një klinikë psikiatrike në Tokio, ku mori trajtim për shëndetin e saj mendor. Ajo mbeti jashtëzakonisht produktive, duke krijuar piktura, skulptura, instalacione dhe vepra të tjera që ekspozohen në mbarë botën, deri në ditët e fundit të jetës së saj.

“Do të vazhdoj të krijoj vepra arti për aq kohë sa pasioni im të më shtyjë ta bëj këtë. Jam thellësisht e prekur që kaq shumë njerëz kanë qenë admiruesit e mi”, ka thënë ajo në një intervistë të mëparshme. “Mendoj se nuk do të mund ta di se si do ta vlerësojnë njerëzit artin tim deri pasi të vdes. Unë krijoj art për shërimin e gjithë njerëzimit”.

(DW'den alınmıştır)