Rruga jetësore si lumë që s’e ndal rrjedhën, është metafora e filmit “The River” por ardhja e tij në Kosovë merr një kuptim përtej një shfaqjeje kinematografike. Aktorja Ilire Vinca, rikthehet para publikut vendor me këtë film të cilit i prin Greqia si bashkëprodhuese, e në ekipin prapa kamerave janë edhe producenti Eshref Durmishi dhe jo vetëm. Me kulturë i thyejmë kufijtë dhe barrierat, këtë gjë e kemi bërë edhe me film”, ka thënë ai
“The River” është filmi që e sjell përplasjen në një rrëfim ku dashuria, varfëria, përparimi dhe fuqia e parasë ndërthuren në një histori që, përtej kufijve të Greqisë prej nga buron rrëfimi, kërkon të flasë me një gjuhë universale. Filmi nën regji të Haris Raftogiannisit është shfaqur premierë në kuadër të edicionit të 18-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest” në Prishtinë, por ardhja e tij në Kosovë merr një kuptim përtej një shfaqjeje kinematografike.
“The River” është edhe një hap i parë drejt bashkëpunimit zyrtar kinematografik midis Kosovës dhe Greqisë, në një projekt ku kufijtë gjeografikë e politikë tentojnë të treten nëpërmjet kulturës. Bashkëprodhimi midis Greqisë, Italisë, Kosovës dhe Kanadasë e vendos Kosovën edhe si pjesë të procesit të tij krijues.
Bashkëproducenti nga Kosova, Eshref Durmishi, ka thënë se në qendër të filmit janë ndryshimet që njerëzit përjetojnë gjatë jetës dhe vështirësia për t’i pranuar ato.
“Njëra prej gjërave që filmi tregon janë ndryshimet që neve na ndodhin në jetën e përditshme dhe vështirësitë që i kemi për t’i përjetuar ato. Në film paraqiten këto dy botë të ndryshme që jetojnë në një kohë paralele, por në dy botë të ndryshme. Ky është thelbi i filmit dhe e ka kuptimin që rruga në këtë rast është si lumë. Rrjedh tërë kohën, nuk ndalet dhe të çon kudo në botë”, ka thënë Durmishi.
Lumi në film nuk është vetëm pjesë e titullit. Ai bëhet figurë që bart gjithë peshën e rrëfimit. Rrjedha e tij është lëvizja e jetës, ndërsa rruga është hapësira e modernizimit që i afron njerëzit, por njëkohësisht krijon distanca të reja midis tyre. Në njërën anë qëndron një botë që beson në përparim, në anën tjetër një realitet i mbërthyer në varfëri.
Dy personazhet kryesore, Makis dhe Maria, janë pikërisht dy anët e këtij realiteti. Makis është një punonjës i vetmuar, zemërmirë dhe introvert, përgjegjës për sigurinë në një autostradë që simbolizon modernizmin. Maria, në anën tjetër, është e varfër dhe e egër në karakter, një personazh që e kundërshton këtë ide të përparimit. Në një takim të pazakontë, dy botët e tyre përplasen kur Makis e godet Marian me makinë.
Prej këtij aksidenti nis edhe një afërsi e pazakontë. Makisi përpiqet ta bindë se bota po përparon, ndërsa Maria vazhdon të jetojë sipas rregullave të saj, madje duke ngatërruar rrugët me lumenjtë. Gradualisht, ndikimi i tij nis të ndryshojë edhe shprehitë e saj. Por ndryshimi që po ndodh brenda saj duhet të fshihet nga familja. Marrëdhënia mes dy të rinjve shndërrohet në dashuri.
Për francezen Veronique Boasgibault, filmi nuk hapet menjëherë për shikuesin, por pikërisht kjo vonesë e hyrjes në botën e tij e bën përvojën më të fuqishme.
“Besoj se ishte një film shumë i mirë. M’u desh pak kohë të hyja në film, por pastaj ndodhi magjia. U përfshiva vërtet në film dhe, pas një kohe, mendova se ishte plot poezi, filozofi dhe shumë i fuqishëm, duke folur për jetën, dashurinë dhe paranë. Më pëlqeu shumë filmi”, ka thënë ajo.
Boasgibault ka parë në të njëjtën kohë edhe kontradiktën themelore të filmit: një histori që është e trishtë, por që nuk e humb optimizmin.
“Është gjithashtu shumë i trishtueshëm, por edhe plot optimizëm, sepse nëse njerëzit komunikojnë dhe e duan njëri-tjetrin, edhe nëse janë vërtet të ndryshëm, bota mund të shpëtohet. Por gjithçka lidhet edhe me kapitalizmin dhe paranë, me fuqinë e parasë dhe rrezikun që ajo sjell”, ka thënë francezja e cila jeton në Kosovë.
Në këtë përplasje midis dy botëve, “The River” nuk e sheh përparimin si proces të njëtrajtshëm. Për shikuesen italiane Gagliano Giusi, filmi është reflektim mbi vetë idenë e progresit dhe mbi mënyrën se si ai mund t’i ndryshojë jetët në mënyrë të pabarabartë.
“Për mua ishte një reflektim mbi përparimin. I sheh dy anët e medaljes: nëse je në anën e duhur të lumit, ecën shpejt dhe shkon larg. Nëse je në anën e gabuar të lumit, shkon gjithmonë më tej dhe më tej. Pra, varfëria dhe pasuria. Kjo është trishtimi i këtij filmi”, ka thënë Giusi.
Ayrıca
Kosova ile Yunanistan arasındaki "Nehir" Atina'daki sinema salonlarını aydınlatıyor
Përmes marrëdhënies së Makisit dhe Marias, filmi kërkon të gjejë një hapësirë ku dy botë mund të takohen.
Në fund, kur Maria detyrohet edhe një herë të vjedhë gjëra nga një market, vendos të ikë nga rutina e saj. Ajo largohet, ndërsa ata e presin. Tashmë, dy personazhet kanë humbur gjithçka tjetër, por kanë mbetur me njëri-tjetrin. Dashuria nuk shfaqet si zgjidhje romantike e një konflikti shoqëror, por si mundësia e vetme për të mos mbetur krejtësisht i vetëm përballë një bote që vazhdon të rrjedhë.
Për Kosovën, megjithatë, rrjedha e “The River” merr edhe një drejtim tjetër. Durmishi ka thënë se bashkëprodhimi është më shumë se një marrëveshje artistike, duke e parë kulturën si hapësirë për kapërcimin e barrierave politike.
“Jemi të lumtur që është marrë një hap i parë që të kemi bashkëprodhime zyrtare. Shpresoj që kultura do të na çojë deri te një akt tjetër, që është ai politik, që një ditë Greqia ta njohë Kosovën. Me kulturë i thyejmë kufijtë dhe barrierat, këtë gjë e kemi bërë edhe me film”, ka thënë ai.
Në ekipin nga Kosova, përveç Durmishit, bashkëproducent është edhe Besnik Krapi. Në kast është aktorja Ilire Vinca, e cila luan rolin e nënës së Marias. Është një rol i fuqishëm, e Vinca luan në greqisht.
“Është dashur të punoj shumë për të mbërritur një lloj natyrshmërie edhe me personazhet e tjera. Një karakter shumë i fortë të cilin e kam shijuar edhe gjatë punës. Është një grua e cila kujdeset për komunitetin e saj të varfër dhe që jeton në një lloj varfërie triumfuese, sepse nuk do ta ndryshojë mënyrën e jetesës karshi një modernizmi, konsumerizmi, ku gjithçka quhet një lloj zhvillimi shumë i madh i shoqërisë përmes rrugëve”, kishte thënë Vinca për KOHËN, në marsin e vitit të kaluar kur “The River” po shfaqej në kinematë e Athinës. Kishte thënë se metafora e lumit janë autostradat e mëdha të ndërtuara për t’i afruar njerëzit. “Ndërkohë, metaforikisht simbolika e kësaj është që këta lumenj të rrugëve shpeshherë edhe i ndajnë njerëzit nga ëndrrat e tyre, sepse futen në një lloj robotizmi, një lloj jetese ku duhet të mbijetosh vetëm duke punuar në shërbim të kësaj jete moderne. Kjo jetë moderne në këtë film pasqyron shumë bukur në kontrast jetën jomoderne në të cilën ballafaqohet personazhi me vajzën dhe familjen e saj ku jetojnë në këto pjesë të varfra”, kishte thënë ajo. Në film, për grimin kanë punuar Fiona Abdullahu dhe Era Muçolli, ndërsa postproduksioni i zërit është realizuar nga Labinot Sponca dhe Gazmend Nela.
“The River” pati premierën botërore në edicionin e 65-të të Festivalit të Filmit në Selanik, në vitin 2024, ku u shfaq festivali nga 31 tetori deri më 11 nëntor. Është filmi i parë artistik i Raftogiannisit dhe sjell një kast kryesisht nga skena greke: Makis Papadimitriou, Stefania Sotiropoulou, Haris Fragoulis, Adrian Frieling, Christos Kontogeorgis, Alekos Pangalos dhe Vassilis Karampoulas.
Skenari i filmit 94-minutësh është shkruar nga Raftogiannis në bashkëpunim me Nikos Leros.
Në “The River”, rruga mund të ngatërrohet me lumin, por rrjedha vazhdon.