TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

Avustralya'daki bir şehir, Gazze'de öldürülen çocukların isimlerinin yer aldığı bir anıtın yapılmasına izin vermedi.

Instalacioni "Wall of Tears"

Instalacioni “Wall of Tears” në Brooklyn, në korrik të vitit 2025

Instalacioni artistik “Wall of Tears” (Muri i Lotëve) i artistit Phil Buehler, i cili përmban emrat e 18 mijë e 457 fëmijëve të vrarë në Gazë nga 7 tetori i vitit 2023 deri më 19 korrik 2025, është refuzuar për t’u ekspozuar nga një këshill lokal në shtetin australian New South Wales, raporton gazeta “The Guardian”. Instalacioni ishte planifikuar të ekspozohej të martën në Galerinë Rajonale të Shoalhavenit, në qytetin Nowra, dhe organizohej nga grupi “Shoalhaven Friends of Palestine” (Miqtë e Palestinës në Shoalhaven).

Këshilli u kërkoi organizatorëve të shqyrtonin mundësinë e punësimit të “rojave të armatosura”, në rast se do të shpërthente ndonjë “konflikt në komunitet”.

“Mbetëm të habitur dhe thamë: ‘Nuk mund të jetë e vërtetë!’ Por, megjithatë, iu përgjigjëm dhe u thamë se do t’i plotësonim të gjitha kërkesat që ata do të vendosnin. Madje, as nuk e dinim se ku mund të gjenim roje të armatosura, apo nëse mund të punësoheshin të tillë”, ka thënë Annette Pham, anëtare e grupit organizator.

Ajo ka shtuar se organizatorëve u ishte këshilluar të mos e reklamonin aktivitetin publikisht dhe ta shkurtonin kohëzgjatjen e ekspozitës nga tetë në tri ditë.

Në një shkëmbim të korrespondencës përmes postës elektronike, bëhet e ditur se Andrew Constance, shefi ekzekutiv i New South Wales, kishte shprehur kundërshtimin e tij ndaj aktivitetit, duke përmendur shqetësimet për sigurinë e stafit. Në një letër drejtuar këshillit, Pham shkroi: “Vetë sugjerimi se për një ekspozitë që përkujton fëmijë të vdekur mund të nevojiten roje të armatosura është thellësisht shqetësues. Ne po organizojmë një ekspozitë artistike përkujtimore, jo një aktivitet për të cilin Këshilli ka paraqitur ndonjë kërcënim konkret dhe të besueshëm dhune, që do të kërkonte masa të tilla mbrojtëse si sigurimi i armatosur dhe kontrolli me detektorë metalesh”. 

Në përgjigje, një zëdhënës i këshillit lëshoi një deklaratë ku thuhej se “instalacioni u vlerësua se paraqiste një nivel të papranueshëm rreziku për punonjësit e galerisë, vizitorët dhe qiramarrësit e ndërtesës”.

Murali i Buehlerit ishte ekspozuar në shtator përpara ndërtesës së Parlamentit në Canberra, kryeqytetin e Australisë.

Instalacioni u prezantua për herë të parë publikisht në New York, më 29 janar, në një datë që përkonte me përvjetorin e dytë të vrasjes së Hind Rajab. Ndërkohë, vepra e Buehlerit do të ekspozohet në një hapësirë tjetër, në Kishën Uniting të Berryt, duke filluar nga dita e enjte.

“Nëse njerëzit thjesht do ta shikonin këtë vepër, si mund të ishte ajo e rrezikshme? Rreziku krijohet nga njerëz të tjerë, të cilët përpiqen ta shndërrojnë atë në diçka që në të vërtetë nuk është”, ka thënë Buehler.

Veprat e tij artistike janë ekspozuar më parë edhe në qytetet australiane Adelaide dhe Perth.