TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

Janosch – çocuk kitaplarının altın kalemi

Horst Eckert - Janosch

“Kush ka nevojë për pothuajse asgjë, i ka të gjitha”, do të shkruante Janosch në njërin prej librave. Kjo ishte edhe filozofia e tij jetësore

Janosch, emri artistik i shkrimtarit dhe ilustratorit gjerman, Horst Eckert, rrëmbeu zemrat e njerëzve në mbarë botën me humorin e tij të ngrohtë dhe të thjeshtë. Magjepsi fëmijët dhe të rriturit me personazhet e tij ikonike: Tigrin, Ariun, Tigri-Rosn dhe kafshë të tjera. Janosch shkroi më shumë se 150 libra, të cilët janë përkthyer në mbi 30 gjuhë. Libri i tij më i shitur për fëmijë, “Oh, wie schön ist Panama“, i përkthyer si “Udhëtimi për në Panama), ishte aq fitimprurës sa Janosch mundi të vendosej në ishullin Tenerife, në arkipelagun e Ishujve Kanarie, në vitin 1980. Jetoi së bashku me bashkëshorten e tij, Ines.

Shkrimtari dhe ilustruesi vdiq paqësisht në moshën 95-vjeçare, njoftoi të mërkurën botuesi i tij, Bernhard Feil.

I përjashtuar nga shkolla e arteve

Janosch lindi me emrin Horst Eckert më 11 mars 1931, në Hindenburg (sot Zabrze, Poloni). Pas Luftës së Dytë Botërore, familja e tij u detyrua të largohej dhe të shpërngulej në Gjermani. Në vitin 1953, Janosch nisi studimet në Akademinë e Arteve në Munih, duke menduar se të bëheshe artist ishte diçka e lehtë. Megjithatë, pas vetëm disa semestrave, ai u përjashtua për shkak të “mungesës së talentit”.

Por, për fat të mirë të lexuesve të tij të ardhshëm, Janosch nuk u dorëzua. Vazhdoi të punonte si artist i pavarur dhe shumë shpejt zbuloi edhe një tjetër talent të madh: shkrimin.

Libri i tij i parë për fëmijë, që tregonte historinë e një kali të quajtur Valek, u botua në vitin 1960.

Edhe pse Janosch u bë i famshëm kryesisht për librat e tij për fëmijë, ai shkroi gjithashtu edhe libra për të rritur, në të cilët trajtonte fëmijërinë e tij.

Ëndrra për një fëmijëri të bukur

Megjithëse shkroi libra plot gëzim për fëmijë, Janosch pothuajse nuk kishte kujtime pozitive nga fëmijëria e tij, pasi babai ishte alkoolist. Dhunohej jo vetëm nga babai, por edhe nga nëna dhe gjyshja e tij. I rritur në një mjedis rreptësisht katolik, ai kërcënohej vazhdimisht me ndëshkimin e Zotit. Më vonë, Janosch u përpoq të përballonte barrën e kujtimeve të fëmijërisë duke iu drejtuar edhe vetë alkoolit. Ai gjithmonë tregonte mirëkuptim të madh për fëmijët dhe përpiqej t'i inkurajonte ata të mbronin të drejtat e tyre. Për shkak të përvojave të fëmijërisë, Janosch nuk dëshironte të kishte fëmijë të tij, ndërsa qëndrimi i tij ndaj Kishës Katolike mbeti gjithmonë i dyzuar.

“Meqenëse jam mëkatar dhe heretik, Zoti do të më lejojë të jetoj gjatë, në mënyrë që të mund të kthehem në Kishë”, i kishte thënë ai biografes së tij, Angela Bajorek.

Personazhet shtazore të Janosch janë të dashur, por jo gjithmonë sillen mirë. Atyre u pëlqejnë të gjitha llojet e marrëzive. Por, edhe kur gënjejnë njëri-tjetrin apo vendosin interesat e tyre personale në plan të parë, fituesit e vërtetë në fund të tregimeve janë gjithmonë miqësia dhe solidariteti.

Rruga drejt famës botërore

Janosch arriti suksesin e tij më të madh me veprën “The Trip to Panama“ (Udhëtimi për në Panama), një histori për dy miq, një tigër të vogël dhe një ari, të cilët nisen në kërkim të parajsës së tyre në Panama. Pas një udhëtimi të gjatë, duke u endur nëpër rrugë të ndryshme, ata përfundojnë pikërisht aty ku ishin nisur. Në këtë mënyrë kuptojnë se vetë udhëtimi ishte destinacioni. Për këtë vepër, Janosch u nderua me Çmimin Gjerman të Librit për të Rinj në vitin 1979. Personazhet kryesore të Janoschit janë bërë të njohur për breza të tërë fëmijësh në mbarë botën. Ato shfaqen vazhdimisht në tregimet e ndryshme, të ilustruara me kujdes me akuarele. Aty është luani i ndershëm Hans, nga arka e lodrave, i cili dështon të mashtrojë një figurë arrëthyesi me gënjeshtrat e tij. Janë gjithashtu Schnuddel dhe mburraveci qesharak Günter, bretkosa në kuti. Dhe, sigurisht, është edhe tigri që mbledh kërpudha, ndërsa kujdeset për mikun e tij besnik, ariun, i cili gjithmonë i del në mbrojtje, edhe kur tigri përkohësisht e braktis për shkak të një derrkuci të vogël në njërën prej tregimeve.

“Tigerente”, që fjalë për fjalë do të thotë “Tigri-Rosa”, është një rosë prej druri me rrota dhe me vija të verdha e kafe, e cila shfaqet në shumë prej ilustrimeve të artistit. Herë pas here, kafsha paraqitet e hedhur në një qoshe, herë e varur në tavan, ndërsa në raste të tjera bretkosa në kuti e tërheq atë nëpër vizatim. Personazhet e tij ikonike, veçanërisht Tigri-Rosa, janë përdorur si motive në produkte të ndryshme, nga filxhanët dhe pullat postare, deri te bizhuteritë e madje edhe avionët. Gjithashtu, janë realizuar filma dhe seriale televizive të bazuara në tregimet e tij, në gjuhën gjermane dhe angleze.

“Kush ka nevojë për pothuajse asgjë, i ka të gjitha”

Mysafirët që e vizitonin Janoschin në Tenerife mbeteshin të impresionuar nga mënyra e tij shumë modeste e jetesës. Ai thoshte gjithmonë se ajo që i pëlqente më shumë ishte të qëndronte i shtrirë, pa bërë asgjë. Megjithatë, Janosch mbeti shumë aktiv deri në fund të jetës së tij. Prej vitit 2013 deri në vitin 2019, ai shkroi një rubrikë për të përjavshmen gjermane “Die Zeit”, ku u paraqit në rolin e zotit Wondrak, një personazh që komentonte zhvillimet dhe çështjet botërore. Pak para ditëlindjes së tij të 90-të, në vitin 2021, e gjithë përmbledhja e rubrikave të tij për zotin Wondrak u botua në një libër në gjuhën gjermane.

Ashtu si personazhet e tregimeve të tij, Janosch gjithmonë përpiqej të kënaqej me pak gjëra në jetë. Siç shkroi në njërin prej librave të tij: “Kush ka nevojë për pothuajse asgjë, i ka të gjitha”.