TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

"Odyssey" filmi gençlerin flüte olan merakını uyandırıyor.

Vendim Kapaj

“Jehona që ka pasur emri im nga pjesëmarrja në filmin ‘The Odyssey’ ka ndikuar edhe në rritjen e interesit për kursin. Është kënaqësi që pas kësaj vëmendjeje ndërkombëtare, të shohim të rinj që duan të mësojnë dhe të vazhdojnë këtë traditë”, ka thënë mjeshtri Vendim Kapaj

Pas jehonës ndërkombëtare të përfshirjes së tingujve të fyellit të tij në filmin e Christopher Nolanit, mjeshtri i instrumenteve tradicionale të Labërisë ka bërë me dije se është rritur edhe interesi i të rinjve për ta mësuar këtë instrument. Për të tretin vit radhazi, ai ofron kurs falas në Vlorë. Por sivjet me krejt tjetër ritëm

Nga tingujt e fyellit në një prej produksioneve më të mëdha të kinematografisë botërore, te mësimi i tij për të rinjtë në jug të Shqipërisë, është rrugëtimi i fundit i Vendim Kapajt, mjeshtrit të instrumenteve tradicionale të Labërisë, emri i të cilit është bërë i njohur ndërkombëtarisht pas përfshirjes së interpretimit të tij në kolonën zanore të filmit “The Odyssey”,  nën regji të Christopher Nolanitdhe me muzikë të kompozitorit Ludwig Göransson.

Por, për Kapajn, vëmendja e madhe që ka marrë kohët e fundit nuk është qëllimi i vetëm. Për të tretin vit radhazi, ai po vazhdon kursin falas të fyellit në Vlorë, me synimin që instrumentet dhe tingujt tradicionalë shqiptarë të mos mbeten vetëm pjesë e arkivave a produksioneve të mëdha ndërkombëtare, por të kalojnë te brezat e rinj.

Në një deklaratë për mediat e Shqipërisë, Kapaj ka treguar se interesimi për kursin është rritur këtë vit, ndërsa për herë të parë vëmendja ka ardhur edhe nga të rinj jashtë zonave të Labërisë.

“Ky është viti i tretë radhazi që ofroj kursin falas të fyellit. Interesi këtë vit ka qenë edhe më i madh. Kam pasur të interesuar edhe nga Tirana, përfshirë disa vajza, ndërsa pjesa më e madhe janë të rinj nga Tepelena, Vlora, Kurveleshi dhe zonat përreth”, ka thënë Kapaj.

Ai ka shpjeguar se jehona e përfshirjes së tij në “The Odyssey” ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në interesimin për kursin.

“Jehona që ka pasur emri im nga pjesëmarrja në filmin ‘The Odyssey’ ka ndikuar edhe në rritjen e interesit për kursin. Është kënaqësi që pas kësaj vëmendjeje ndërkombëtare, të shohim të rinj që duan të mësojnë dhe të vazhdojnë këtë traditë”, ka thënë ai.

Kursi i radhës do të nisë në shtator dhe do të vazhdojë deri në korrik të vitit të ardhshëm. Përveç fyellit, të rinjtë do të kenë mundësi të njihen edhe me instrumente të tjera tradicionale, ndër to cylja dyjare, bilbili, xhamba dhe pipizana.

Vendim Kapaj mban titullin “Mjeshtër i Madh” për instrumentet tradicionale të Labërisë. Ai njihet veçanërisht për interpretimin e fyellit, por luan edhe culën dyjare, bilbilin dhe pipizanën. Konsiderohet gjithashtu si i vetmi instrumentist në Ballkan që interpreton fyellin me dhëmbë.

Rruga e tij drejt “The Odyssey” ka kaluar përmes një kontakti të pazakontë midis traditës muzikore shqiptare dhe kërkimit artistik të një prej kompozitorëve më të njohur të kinematografisë së sotme.
Ludwig Göransson, fitues i çmimit “Oscar” për muzikën e filmit “Oppenheimer”, kishte hasur në interpretimet e Kapajt përmes rrjeteve sociale dhe emisioneve televizive. Më pas, kompozitori kishte shkuar personalisht në Vlorë, ku Kapaj dhe ekipi kishin realizuar regjistrimet për rreth pesë orë.
Kapaj e ka përshkruar atë ditë si një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.

“Për mua do të mbetet në memorie data 1 korrik 2025, nga ku së bashku me kompozitorin Ludwig Göransson dhe me ekipin e tij të regjistrimit, për 5 orë punë intensive, hodhëm pjesë të ndryshme me instrumentet popullore, punë e lodhshme, por shumë e bukur. Faleminderit kompozitor Ludwig Göransson, që nëpërmjet punës suaj të palodhur, e ndiej veten të privilegjuar, që muzika ime me instrumentet popullore, si dhe tingujt e mrekullueshëm të këngës labe, i bëtë bashkë me artistët e mëdhenj botërorë”, kishte shkruar Kapaj.

Në atë kohë, ai nuk e dinte ende përmasën e projektit ku po merrte pjesë. “The Odyssey” është një produksion me buxhet të raportuar prej rreth 250 milionë dollarësh dhe një prej projekteve më ambicioze të Nolanit.

Filmi, me Matt Damonin në rolin e Odiseut dhe AnneHathawayn në rolin e Penelopës, rikthen në ekran rrëfimin e lashtë të “Odisesë”, duke e vendosur historinë e kthimit të Odiseut në Itakë në një gjuhë kinematografike të përshtatur për publikun bashkëkohor.

Në këtë rrëfim, tingujt shqiptarë shfaqen në një kontekst krejt tjetër. Iso-polifonia dhe tingujt e fyejve të barinjve shqiptarë janë bërë pjesë e kolonës zanore të filmit, duke u dëgjuar në momente të lidhura me Itakën.

Përzgjedhja e këtyre tingujve nuk është e rastësishme. Nolan ka shpjeguar se nuk ka dashur ta ndërtojë filmin sipas modelit të filmave hollivudianë të viteve ’50 dhe se për këtë arsye është kërkuar një alternativë ndaj orkestrës klasike.

Kërkimi i Göranssonit për një tingull më organik e çoi ekipin drejt jugut të Shqipërisë, ku u regjistruan tradita të lashta vokale dhe instrumentale. Në këtë proces u përfshinë edhe “Të rinjtë e Delvinës”, ndërsa për tingujt e fyellit u angazhua Vendim Kapaj.

Në projekt ishte përfshirë edhe etnomuzikologu shqiptar Vasil Tole, ndërsa prania e traditës muzikore shqiptare në këtë produksion ka marrë vëmendje edhe në qarqet e etnomuzikologjisë.

Etnologu në Muzeun Etnologjik në Prishtinë, Bekim Xhemili, ka thënë për KOHËN se përfshirja e tingujve tradicionalë shqiptarë në filmin e Nolanit shkon përtej vetë produksionit kinematografik.

“Përfshirja e muzikës popullore, përkatësisht tingujve tradicionalë shqiptarë përmes instrumentit të fyellit, pati ndikim të jashtëzakonshëm, jo vetëm në filmin e Odiseut, në kinematografinë botërore, por edhe në promovimin e etnomuzikologjisë shqiptare”, ka thënë Xhemili.

Sipas tij, kjo dëshmon fuqinë që trashëgimia muzikore mund të ketë kur del jashtë kontekstit të zakonshëm të prezantimit.

“Muzika si pjesë e trashëgimisë jomateriale – shpirtërore, dëshmoi fuqinë e madhe që ajo ka, jo vetëm në paraqitjen në një film, por dhe si element i komunitetit lokal dhe kombëtar në trashëgiminë kulturore muzikore në përgjithësi”, ka shpjeguar ai.

Xhemili ka theksuar se përfshirja e muzikës shqiptare në një produksion të përmasave të “The Odyssey” ka ndikuar edhe në vetë publikun shqiptar.

“Paraqitja e muzikës shqiptare krahas arenës ndërkombëtare pati rol pozitiv dhe të rëndësishëm te vetë shqiptarët, duke shtuar interesimin te të rinjtë për veglat popullore, gjegjësisht tingujt tradicionalë. Me dhjetëra intervista dhe emisione u bënë për autorin, muzikën popullore dhe instrumentin që ai luan”, ka thënë Xhemili.

Për etnologun, vëmendja e krijuar nga filmi mund të shndërrohet në një pikë kthese nëse ajo përkthehet në punë të vazhdueshme për edukimin e gjeneratave të reja.

“Urojmë që ky mund të jetë një moment kthese për kultivimin e muzikës dhe veglave popullore-tradicionale, në edukimin e gjeneratave të reja dhe jo vetëm në aktivitetet dhe festivalet tradicionale folklorike brenda një areali të caktuar”, ka thënë ai.

Iso-polifonia shqiptare është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s që nga viti 2005. Në filmin e Nolanit, kjo trashëgimi takohet me një prej produksioneve më të mëdha të kinemasë bashkëkohore. 

Në vitin 1968, shqiptarët kishin qenë të pranishëm në një përshtatje të “Odisesë” përmes aktorit Bekim Fehmiu, në serialin televiziv “L’Odissea” të Rai-t, një bashkëprodhim italo-franko-gjerman nën regjinë e Franco Rossit. Në versionin e ri, prania shqiptare nuk vjen përmes një aktori, por përmes zërit të një tradite muzikore shekullore.

Interesi i shtuar për kursin falas dëshmon se jehona e rrugëtimit të Vendim Kapajt nuk është ndalur tek ekrani.