TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

Gitar ve akordeon ikilisi, Latin Amerika'ya müzikal bir yolculuğa çıkıyor.

ReMusica

Koncerti i së hënës mbrëma në kishën katolike “Shën Ndou” është shndërruar në udhëtim muzikor nga Franca e Spanja deri në Amerikën Latine. Kitaristi franko-spanjoll, Thibaut Garcia, dhe fizarmonicisti francez, Félicien Brut, kanë sjellë programin që ndërthur traditën klasike me ritmet popullore të këtyre vendeve, duke shënuar çerekshekullin e festivalit që nisi në Prishtinë më 2002

Mbrëmja e çerekshekullit ka rikthyer edhe kujtimet e fillimeve të “ReMusicas”, përmes një materiali dokumentar që ka sjellë imazhe nga edicioni i parë dhe rrugëtimi i festivalit ndër vite. Pas shfaqjes së dokumentarit, publiku ka ndjekur edhe një vepër surprizë të interpretuar nga ansambli vokal “ReVocal”, nën drejtimin e kompozitorit dhe dirigjentit, Rafet Rudi. Programi i koncertit është ndërtuar mbi takimin e dy instrumenteve me prejardhje dhe karaktere të ndryshme, por me mundësi të përbashkëta shprehëse

Tingujt e kitarës dhe fizarmonikës kanë hapur edicionin e 25-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”. Koncerti i së hënës mbrëma në kishën katolike “Shën Ndou” është shndërruar në udhëtim muzikor nga Franca e Spanja deri në Amerikën Latine. Kitaristi franko-spanjoll, Thibaut Garcia, dhe fizarmonicisti francez, Félicien Brut, kanë sjellë programin që ndërthur traditën klasike me ritmet popullore të këtyre vendeve, duke shënuar çerekshekullin e festivalit që nisi në Prishtinë më 2002.

Mbrëmja e çerekshekullit ka rikthyer edhe kujtimet e fillimeve të “ReMusicas”, përmes një materiali dokumentar që ka sjellë imazhe nga edicioni i parë dhe rrugëtimi i festivalit ndër vite. Pas shfaqjes së dokumentarit, publiku ka ndjekur edhe një vepër surprizë të interpretuar nga ansambli vokal “ReVocal”, nën drejtimin e kompozitorit dhe dirigjentit, Rafet Rudi.

Programi i koncertit është ndërtuar mbi takimin e dy instrumenteve me prejardhje dhe karaktere të ndryshme, por me mundësi të përbashkëta shprehëse. 

Kitaristi Thibaut Garcia ka shpjeguar se ideja e programit ka qenë të ndiqet historia muzikore e kitarës dhe fizarmonikës, përmes traditave të vendeve që i kanë dhënë secilit instrument një identitet të veçantë.

“Ky repertor i përzgjedhur është, në njëfarë mënyre, historia e dy instrumenteve. Ideja ka qenë të luajmë muzikë që e bart shijen franceze të fizarmonikës dhe trashëgiminë spanjolle të kitarës. Pastaj, synimi ka qenë që këto dy instrumente të takohen në Amerikën e Jugut”, ka thënë Garcia pas koncertit.

Ai ka treguar se, megjithëse fizarmonika dhe kitara tingëllojnë ndryshe, të dyja kanë veçori që u mundëson të ndërrojnë rolet gjatë interpretimit.

“Të dyja instrumentet kanë veçantinë se janë polifonike. Kjo do të thotë se mund të luajnë një melodi, si një këngëtar, por edhe ta shoqërojnë atë, si një piano. Synimi ka qenë të gjejmë se kush po këndon e kush po shoqëron. Pastaj krijohet një lloj pingpongu midis dy instrumenteve”, ka shpjeguar ai.
Sipas Garcias, fakti që njëri instrument prodhon tinguj përmes telave, ndërsa tjetri përmes ajrit, u ka dhënë mundësi interpretuesve të eksplorojnë karaktere të ndryshme brenda të njëjtit program.
Koncerti ka nisur me “Introduction et Fandango” të Luigi Boccherinit, për të vijuar me “Nana” dhe “Danse Espagnole” nga “La vida breve” të Manuel de Fallas. Këto vepra kanë sjellë në skenë frymën spanjolle, ndërsa “El Corazón Al Sur” e Eladia Blázquez ka orientuar udhëtimin drejt Amerikës Latine.
Në pjesën e programit të lidhur me këtë hapësirë muzikore janë përfshirë edhe veprat e Sergio Assadit, përmes të cilave ritmet “Batuque”, “Milonga” dhe “Joropo” kanë sjellë lëvizje dhe karaktere të ndryshme. Programi ka vazhduar me “Valse nr. 4, opus 8” të Agustin Barrios Mangoré dhe me muzikën e Astor Piazzollas, njërit prej emrave që ka lidhur traditën e tangos me gjuhën moderne muzikore.

Garcia ka interpretuar edhe solo në kitarë, duke e sjellë instrumentin në një tjetër dimension të programit. Në pjesën franceze, publiku ka dëgjuar “Les Parapluies de Cherbourg” të Michel Legrandit, si dhe këngë të njohura franceze, përfshirë “À Paris dans chaque Faubourg”, “La Ritale” dhe “La Complainte de la Butte”. Këto janë ndërthurur me “La Foule”, këngën e lidhur me repertorin e këngëtares Édith Piaf. 

Më tej, muzika e Heitor Villa-Lobos, përmes “Bachianas Brasileiras nr. 5”, ka sjellë tjetër ngjyrim të Amerikës Latine, ndërsa “Suite Retratos” e Radamés Gnattali ka përmbyllur udhëtimin nëpër traditat muzikore. 

Fizarmonicisti Félicien Brut ka treguar se zgjedhja e këtij repertori ka ardhur natyrshëm nga ngjashmëritë që dy instrumentet kanë, pavarësisht dallimeve në tingull dhe histori.

“Ne luajmë shumë muzikë franceze, spanjolle dhe të Amerikës së Jugut. Pse? Sepse fizarmonika dhe kitara janë dy instrumente shumë të ndryshme, por kanë shumë ngjashmëri. Janë instrumente popullore dhe muzika franceze e luajtur me to dëgjohet në mbarë botën”, ka thënë ai.

Brut ka rikujtuar se kitara zakonisht lidhet me Spanjën, ndërsa fizarmonika me Francën, por takimi mes tyre e çon këtë udhëtim drejt vendeve të Amerikës së Jugut.

“Kur njerëzit mendojnë për kitarën, para së gjithash mendojnë për Spanjën. Kur mendojnë për fizarmonikën, mendojnë për Francën. E në fund, vendet ku kitara takohet me fizarmonikën janë Argjentina, Brazili, Kili dhe vende të tjera të Amerikës së Jugut”, ka treguar ai.

Sipas Brut, programi ka ndërthurur muzikë të periudhave të ndryshme, duke theksuar takimin e stileve dhe traditave.

“Është shumë e rëndësishme të përziejmë muzikë të ndryshme, stile të ndryshme, periudha të ndryshme dhe hapësira të ndryshme të botës”, ka theksuar ai.

Garcia ka thënë se interpretimi në Prishtinë ka qenë përvojë e veçantë, sidomos për mënyrën se si publiku e ka përcjellë programin.

“Ishte vërtet kënaqësi të luanim këtu. Sapo e përfunduam koncertin dhe ende kishim shumë energji. Mendoj se publiku ishte i mrekullueshëm, sepse dëgjonte me shumë vëmendje dhe, në të njëjtën kohë, ishte bujar në reagimet e tij. Edhe kur flisnim, bënim ndonjë shaka të vogël, publiku na priste shumë mirë. Për ne ishte një çast i shkëlqyer në skenë. U kënaqëm shumë dhe shpresoj që edhe publiku të jetë kënaqur”, ka thënë ai.

Njëjtë është shprehur edhe But, i cili në Prishtinë ka interpretuar për herë të dytë. Në prill të vitit të kaluar, ai ka qenë solist me Filharmoninë e Kosovës në veprën “Koncert për fizarmonikë dhe orkestër” të Romain Dumas. Këtë herë, për herë të parë është bërë pjesë e programit të një festivali në Kosovë. 

Për dirigjentin Marco Crispo, koncerti ka qenë edhe rikthim emocional tek instrumenti, njohuritë e të cilit i ka përvetësuar, pos dirigjimit. 

“E shijova shumë koncertin. Jo shumë njerëz e dinë, por unë fillimisht kam qenë kitarist. Nuk kam luajtur prej kur isha rreth 10 apo 15 vjet, por ky instrument është shumë i dashur për mua, ashtu siç është edhe repertori. E dimë sa e vështirë është të arrihet ekuilibri midis tyre, prandaj e shijova vërtet shumë interpretimin e artistëve”, ka thënë ai.

Crispo ka vlerësuar edhe rrugëtimin muzikor që ka ofruar programi.

“Ishte një udhëtim i mrekullueshëm, si nga ana gjeografike, ashtu edhe nga ajo kulturore. Përvoja ishte vërtet e shkëlqyer. Pjesa e fundit franceze na dha edhe një ndjesi më të qartë të prejardhjes së artistëve. E shijova shumë koncertin, me pak nostalgji për instrumentin tim të dikurshëm”, ka thënë ai.
Para koncertit të dyshes Garcia dhe Brut, publiku ka ndjekur dokumentarin që ka rikthyer fillimet e “ReMusica”, në vitin 2002, kur një grup kompozitorësh dhe muzikantësh kosovarë nisi një nismë të re në skenën muzikore të pasluftës.

Drejtoresha e festivalit, Donika Rudi, ka treguar se hapja është konceptuar përmes dy momenteve muzikore dhe pamjeve arkivore, që kanë lidhur të kaluarën me programin e sivjetmë.

“Hapjen e kishim me dy pjesë: veprën e Ilir Bajrit dhe imazhet që nga edicioni i vitit 2002, kur nisi festivali i muzikës moderne. Në atë kohë festivali kishte ansamblin e vet, si dhe themeluesin Rafet Rudi, Ilir Bajrin, Mendi Mengjiqin, Baki Jasharin dhe Valton Beqirin, të cilët, në periudhën e pasluftës, e nisën këtë nismë për krijimin e një festivali krejtësisht të ri”, ka thënë ajo.
Pjesa tjetër e hapjes është realizuar me veprën “In A” të kompozitorit Rafet Rudi, të interpretuar nga ansambli vokal “ReVocal”. Në këtë interpretim, kori ka mbajtur vijën melodike dhe qendrën vokale, ndërsa perkusione të kursyera kanë krijuar një bazë ritmike që e ka lënë në plan të parë harmoninë dhe ndërthurjen e zërave. Ngjyrat e muzikës tradicionale janë ndërthurur me një atmosferë më solemne, duke krijuar kalimin drejt pjesës tjetër të mbrëmjes.

Donika Rudi ka theksuar se edicioni i 25-të është ndërtuar me një program të larmishëm, por me fokus të dallueshëm në muzikën moderne dhe bashkëkohore, si tipar që e ka përcjellë festivalin që nga themelimi.

“Ky edicion sjell një program jashtëzakonisht të ndryshëm, në kuptimin që i rikthehemi rrymës moderne dhe stilit bashkëkohor, që janë veçori që e kanë përcjellë ‘ReMusica’-n që nga viti 2002. Megjithatë, këtë vit shihet qartë se programi është pak më i fokusuar në muzikën moderne”, ka thënë ajo.

I themeluar në Prishtinë më 2002, “ReMusica” është zhvilluar si hapësirë për muzikën moderne dhe bashkëkohore, duke sjellë në Kosovë artistë dhe krijime nga skena të ndryshme ndërkombëtare. Edicioni i 25-të e vendos historinë e festivalit përkrah synimit për të vazhduar eksplorimin e gjuhëve të reja muzikore.

Në fund të koncertit, Garcia dhe Brut janë kthyer para publikut për bis, duke interpretuar “Chiquilin de Bachin” të Astor Piazzollas.