TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür

Bağımsız sinema sahnesine bir milyon euro bile yok, Bakanlık sözünü tutmuyor

MCYS

Me ndryshim kategorish e me lexim të ndryshëm shifrash, Ministria e Kulturës kaherë ka nisur t’i fshehë borxhet që i kanë dalë kur ka hapur kuletën me rritje pa planifikim të buxheteve. Tash i dalin pasojat teksa prek edhe propozimet e komisioneve duke zbritur shifrat. Në njërën kategori, atë të OJQ-ve, “retushimi” arrin deri në një milion euro (Foto: Driton Paçarada)

Fotoğraf: “Driton Pacharada”

Dy lista rezultatesh preliminare ka shpallur Ministria e Kulturës të premten për subvencionet prej të cilave varet ajo që quhet skenë e pavarur. Në listën preliminare të aplikantëve të thirrjes publike “Projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026 – individë” figurojnë 93 projekte të përkrahura në total me 257 mijë e 450 euro. Në atë “Projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026 – OJQ” figurojnë 153 projekte të përkrahura në total me 673 mijë e 130 euro. Të dyja s’e arrijnë milionëshin dhe krejt kjo vjen edhe si pasojë e keqplanifikimit, sikurse edhe rritja e pamenaxhuar viteve të kaluara

Dy muaj pa u mbyllur viti, Ministria e Kulturës dhe e Turizmit ia ka dhënë skenës së pavarur kulturore goditjen e radhës. Pos vonesës me shpalljen e “aplikantëve të suksesshëm”, institucioni më i lartë kulturor, ka prekur me buxhet. As një milion euro në total, nuk arrin buxheti për projektet individuale në fushën e kulturës dhe ato të organizatave joqeveritare. Me listat e shpallura të premten, kanë rënë në ujë “reformat” e proklamuara, tok me zotimet për rritje buxheti. Krejt kjo vjen edhe si pasojë e keqplanifikimit, sikurse edhe rritja e pamenaxhuar edhe viteve të kaluara.

Në listën preliminare të aplikantëve të suksesshëm të thirrjes publike “Projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026 – individë” figurojnë 93 projekte të përkrahura në total me 257 mijë e 450 euro. Në atë “Projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026 – OJQ” figurojnë 153 projekte të përkrahura në total me 673 mijë e 130 euro. “Reforma” e radhës është edhe mungesa e sqarimit se për çfarë projektesh janë përkrahur këto organizata. Buxheti për të dyja thirrjet arrin në 930 mijë e 580 euro, larg zotimeve për përkrahje milionëshe. Te thirrja për individët, afati i ankesave është 15 ditë. Tek ajo e organizatave qeveritare, 5 ditë. Por sapo janë shpallur listat – siç ngjan rëndom të premteve – nuk ka pasur veç ankesa, por edhe akuza publike. Janë më të ashpra edhe se ato kur skena e pavarur qe goditur edhe me thirrje të tjera.

Dy thirrjet për të cilat rezultatet preliminare janë shpallur tek tash, ishin hapur qysh në maj. MKT-ja u ishte rikthyer procedurave “klasike” duke lënë anash “reformën” e proklamuar me aplikime online. Në lista nuk figurojnë as emrat e anëtarëve të komisioneve vlerësuese, përderisa KOHA ka marrë vesh, që edhe propozimet e tyre janë prekur duke zbritur shumat para se të shpallen rezultatet. Dy burime ia kanë konfirmuar KOHËS se vetëm te propozimet për OJQ, Komisioni kishte propozuar projekte në vlerë prej 1.6 milion eurosh. Kur ky propozim kishte arritur në instanca më të larta, ishte zbritur për hiç më pak se një milion euro.

Listat e dëshmojnë se është prekur edhe kufiri deri në 20 mijë euro për një projekt. Tek ajo individuale, “rekordi” është 8 mijë e 500 euro për projektin “Nga kujtesa te filmi” të Blerta Bashollit, pasuar nga “Ode to All – Bienalja e 18-të e Artit Bashkëkohor në Lion të Francës” me të cilin ka aplikuar Oda Haliti dhe “45 vjet me violonçel” të Antonio Gashit. Top-tre projektet me shumën më të madhe te OJQ-të, janë: “Art Without Limit” me 13 mijë e 500 euro, “Fondacioni Rame Lahaj” me 11 mijë euro, dhe “Fondacioni Rona Nishliu” me 10 mijë.

Me ndryshim kategorish e me lexim të ndryshëm shifrash, Ministria e Kulturës kaherë ka nisur t’i fshehë borxhet që i kanë dalë kur ka hapur kuletën në rritje pa planifikim të buxheteve. Tash i dalin pasojat.

I ashpër ka qenë dramaturgu Jeton Neziraj në lidhje atë çfarë shpërfaqin listat. E ka cilësuar tallje e fyerje të MKT-së me skenën kulturore.

“Me vjen keq, tmerrësisht keq që Saranda Bogujevci u gjend në mes të kësaj historie talljeje e fyerjeje që po i bëhet skenës kulturore. Nuk mbaj mend këso poshtërimi. Ka vite që s’ka ndodhur ndonjë këso talljeje e poshtërimi lapidar”, ka thënë Neziraj, udhëheqësi qendrës “Multimedia” ndër të paktët që deklarohen publikisht për situata si kjo të cilën e ka cilësuar si kthim tek origjina e politikanit. “E di që fjala ‘tradhti’ tingëllon keq dhe mund të keqkuptohet, se nuk është se kemi pasur ndonjë besim të verbër në zotimet e kësaj Qeverie”. Megjithatë, po, është tradhti, është mashtrim, është kthim tek origjina e politikanit të pandjeshëm, të poshtër e manipulues! Turp, turp, turp!”, ka thënë ai.

Regjisori Erson Zymberi ka thënë se rezultatet e fundit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dëshmojnë një qasje të gabuar dhe joserioze ndaj kulturës.

“Ndarja e shumave minimale, pa kritere të qarta dhe pa një logjikë të mirëfilltë profesionale është nënçmim i drejtpërdrejtë i punës së artistëve. Ministria duhet ta kuptojë se kultura nuk zhvillohet duke shpërndarë mjete sa për të kënaqur aplikuesit dhe për të mbushur statistikat. Kjo nuk është politikë kulturore, por keqmenaxhim i mbështetjes publike për artin”, ka thënë Zymberi.

Por goditja e radhës me buxhet e fundosja e premtimeve, nuk është diçka e papritur. Është një kronikë e paralajmëruar. Madje, qysh në fund të vitit të kaluar.  

“Ministria e Kulturës ka nisur të hasë në telashe shkaku i hesapeve buxhetore. Fundi i këtij viti (2025 v.j.) ka më pak se dy muaj dhe institucioni më i lartë kulturor në vend nuk i ka përfunduar ende punët me subvencionet për projektet kulturore e artistike. Madje në një kategori s’ka as listë përfundimtare fituesish. Telashet zënë fill në planifikimet buxhetore. MKRS-ja tash orvatet që të ridestinojë buxhet për t’i përmbushur synimet e veta. Shkurt: planifikohet të merret buxhet i projekteve kapitale për të shpërndarë si subvencione”, kishte raportuar KOHA në nëntorin e vjetëm. Po në atë kohë, raportohej se Ministria viteve të fundit e ka hapur kuletën me të madhe për subvencione. Skemat trevjeçare për organizata qeveritare bashkë me rritjen e shumave të përkrahjes për OJQ, me fondin e mobilitetit dhe projektet individuale për projekte që realizohen në vend shkojnë te shumat e papërballueshme me planifikimet fillestare të MKRS-së. “Institucioni më i lartë kulturor në vend veç për organizata kulturore e ato të trashëgimisë kulturore nëpërmjet ‘Thirrjes për projekt – propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore 2025’, sivjet ka ndarë mbi 4 milionë euro. Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore sivjet te kategoria ‘Përkrahja e kulturës’ figurojnë vetëm 4.3 milionë euro. Fakti se nga kjo kategori përdoren mjete edhe për projekte të tjera, KOHA ka mësuar se këto mjete nuk mjaftojnë as për OJQ-të”, kishte raportuar KOHA.

Në majin e sivjetmë, KOHA raportoi edhe për zbritjen e mbështetjes trevjeçare për kulturën deri në 60 për qind. Më 2023 dhe më 2024, tek ajo që ishte kategoria e parë – “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” – shuma minimale e përkrahjes ishte 50 mijë euro, ndërsa ajo maksimale deri në 100 mijë euro. Disa organizata kishin marrë mbështetje edhe në kufirin prej 100 mijë eurosh në vit. Por sivjet MKT-ja kishte ndryshuar qasjen, pa kurrfarë sqarimi. Shuma minimale e përkrahjes është 10 mijë euro, ndërsa ajo maksimale 40 mijë. Nëse krahasohet maksimumi i vjetshëm me atë të këtij viti, zbritja shkon saktësisht në 60 për qind. “Shpejt i ka dalë boja nismës së Ministrisë së Kulturës për përkrahje trevjeçare për organizatat e kulturës dhe trashëgimisë kulturore me deri në 100 mijë euro në vit. Institucioni më i lartë kulturor në vend nuk po mund ta mbajë ritmin e proklamuar me pompozitet për mbështetjen e organizatave. Sivjet nuk ofron as pragun minimal të mbështetjes që ofronte vjet dhe më 2024”, kishte raportuar KOHA.

E, “Skena e pavarur kulturore lëkundet në pritje të buxhetit të Ministrisë”, ka qenë titulli i artikullit të KOHËS fiks para një muaji në të cilin vetëm vonesa shkaktonte telashe, e tash me publikim listash vjen edhe goditja e radhës.

“Kur muaji i nëntë i kalendarit merr fund për pak ditë, Ministria e Kulturës ende s’ka finalizuar hapin e parë në raport me skenën e pavarur kulturore: publikimin e listës së përfituesve të mbështetjes financiare. Shumë ngjarje kulturore janë mbajtur, por ende s’dihet se a do të përkrahen dhe sa do të përkrahen financiarisht. Kurse disa ngjarje tradicionale ende janë në pritje. Vonesë sikurse e sivjetshmja s’është shënuar ndonjëherë. E për dikë bëhet fjalë për papërgjegjësi totale e tallje me skenën e pavarur kulturore”, shkruaj në atë artikull më 23 shtator, e që u konfirmua me listat e 23 tetorit. Po aty shkruhej se sipas institucionit, për mbështetjen e projekt-propozimeve në kuadër të thirrjes publike në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026 janë planifikuar të ndahen një milion euro. E, sipas MKT-së, nga thirrjet publike për projekt-propozimet përfituese të vitit 2025 janë nënshkruar kontrata në vlerë 1 milion e 703 mijë euro.