TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Köşe yazısı

Önümüzdeki seçenek

Sot ekzistojnë dy rrëfime për procesin e zgjerimit: rrëfimi rozë për Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, dhe rrëfimi gri për Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Mbetet të shihet pjesë e cilit rrëfim do të jemi ne

Javën e kaluar kam shkruar për momentumin unik në të cilin gjendet procesi i zgjerimit. Sot jetojmë në një kohë kur brenda 12 muajve të ardhshëm mund të jemi dëshmitarë të një gjëje që ka qenë e paimagjinueshme vetëm pak kohë më parë: që Mali i Zi të bëhet anëtari i ri i BE-së. Pakoja e fundit e zgjerimit konfirmoi se katër vendet në procesin e zgjerimit: Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina, po ecin me një ritëm shumë më të shpejtë drejt BE-së, dhe rrjedhimisht Komisioni Evropian publikoi udhërrëfyesit specifikë për secilin nga këto vende, që të vendosë piketat e matshme dhe konkrete për përmbylljen e procesit negociator.

Por në anën tjetër të këtij diskutimi janë edhe disa vende të tjera, të cilat kanë ngadalësuar rrugën e tyre drejt BE-së. Në këtë grup është edhe Kosova. Raporti i publikuar këtë vit konfirmoi se Kosova ka ngadalësuar ndjeshëm ritmin e reformave evropiane. Le të fillojmë me pikturën e madhe.

Për të thjeshtësuar gjërat dhe gjuhën burokratike të procesit të zgjerimit, mendojeni procesin e anëtarësimit në BE si përfundimin e një shkolle. Pra, për t’u anëtarësuar në BE, një nxënës duhet të bëjë progres dhe të japë testin përfundimtar në 31 lëndë. Qëllimi është që çdo vit Kosova, si nxënëse e mirë, të bëjë progres në secilën nga këto lëndë shkollore. Në praktikë kjo do të thotë që Kosova të ketë drejtësi më të mirë, ekonomi më të mirë, ajër më të pastër, shëndetësi më cilësore, e kështu me radhë. Për ta matur këtë progres shkollor në secilën lëndë, Kosova notohet çdo vit nga 0 deri në 4 nga ana e Komisionit Evropian.

Tani shtrohet pyetja: si ka performuar Kosova gjatë këtij viti shkollor? Krahasuar me vitin e kaluar, në 15 lëndë shkollore Kosova ka marrë notë më të dobët, në 10 ka marrë të njëjtën notë (pra, nuk është përmirësuar) dhe vetëm në 6 ka marrë notë më të mirë. Ndër lëndët ku nota ka rënë janë energjia, transporti, tatimi, bujqësia, mjedisi dhe klima, politika e konkurrencës dhe lëvizja e lirë e punëtorëve. Nota është rritur në lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, peshkimin, statistikat, politikën rajonale, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Dhjetë lëndë të tjera, ndër të cilat prokurimi publik, e drejta e shoqërive tregtare, gjyqësori dhe të drejtat themelore dhe unioni doganor, kanë mbetur me të njëjtën notë si vitin e kaluar. Ky rezultat i sjell Kosovës notën mesatare prej 0,9 në shkallën nga 0 në 4, që në terma shkollorë nuk do t’i binte as mjaftueshëm. Thënë ndryshe, Kosova do të ngelte në klasë. Ky do të ishte njëkohësisht rezultati më i dobët i Kosovës që nga viti 2020, kur Komisioni Evropian ka filluar të matë progresin e vendeve të Ballkanit në procesin e zgjerimit.

Kosova këtë vit ka një arsyetim, dhe është arsyetim që qëndron: ky ishte një vit i jashtëzakonshëm. Në më pak se gjashtë muaj u bëmë spektakël i botës, duke mbajtur dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe qeveria ka qenë në detyrë për pjesën më të madhe të periudhës që mbulon raporti, ndërsa Kuvendi ishte i paralizuar. Vetë Komisioni Evropian vlerëson se kjo paqëndrueshmëri ka dobësuar mbikëqyrjen legjislative dhe ka ngadalësuar zbatimin e reformave.

Por problemi me këtë arsyetim është se, ndonëse është i vërtetë, është po ashtu i parëndësishëm. Çështja është që ora e mësimit nuk ndalet dot. Ndërsa Kosova ngel në klasë, të tjerët hapin e mbyllin kapituj të anëtarësimit. Mali i Zi këtë vit ka mbyllur 14 kapituj, ndërsa deri në qershorin e vitit tjetër synon nënshkrimin e Traktatit të Anëtarësimit. Shqipëria këtë vit mbylli katër kapitujt e parë, ndërsa deri në fund të vitit tjetër synon mbylljen e të gjithë kapitujve të mbetur. Moldavia këtë vit hapi 24 nga 33 kapituj, ndërsa deri në fund të vitit tjetër synon të mbyllë 25 kapituj. Ukraina këtë vit hapi 24 nga 33 kapituj, ndërsa deri në fund të vitit tjetër synon mbylljen e 7 kapitujve. Ne, ndërkohë, përpiqemi thjesht të fillojmë. Një nxënës që ndalon së mësuari ndërsa shokët e klasës ecin përpara nuk mbetet aty ku është, ai mbetet pas. Kemi shumë për të arritur. Momenti i zgjerimit është unik, por ai nuk pret askënd.