TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Köşe yazısı

Çamur içindeki Singapur

Derisa po bëhej përurimi natën në Rrugën A, po kaloja nga parku universitar, prej Rektoratit në drejtim të stacionit të autobusëve afër Juridikut. Atë natë, m’u bë e qartë se si ndihen pulat nëpër terr. Asnjë, ama bash asnjë nga shtyllat e ndriçimit nuk kishte dritë. Rroftë llamba e telefonit që më udhëzoi deri te edhe një shportë e stërmbushur me bërllok bri stacionit

Para 35 vjetësh, për herë të parë pata kuptuar se deti, artificialisht, mund të shndërrohej në tokë. Para se aeroplani të aterronte në aeroportin Changi, stjuardesat u përkujdesën që të na tregonin për të arriturën inxhinierike – në mungesë toke, shteti ishullor kishte vendosur “ta hante” ujin, duke derdhur e ngjeshur mbi 50 milionë metra kub dheu e zalli për ta ndërtuar pistën e aterrimit.

Atë që e mbaj mend nga ai udhëtim ishte pastërtia e jashtëzakonshme e ishullit qendror. Nuk shihje shporta bërlloku askund. Mbaj mend pritjen e disiplinuar te stacionet e taksive dhe të autobusëve dhe një sistem të jashtëzakonshëm metroje.

Me të dalë në shëtitje në këmbë nëpër qytet, na e tërhoqën vërejtjen: mos hidhni mbeturina, e mbi të gjitha mos pështyni, sidomos jo sakëzin, sepse kërciste dënimi prej 100 dollarësh të vendit, që ishin nja 60 dollarë amerikanë të atëhershëm, apo për ta kuptuar më mirë nja 90 marka gjermane.

E mbaj mend edhe organizimin e jashtëzakonshëm të trafikut të veturave private. Për ta pasur një veturë, duhet pasur licencë, e ajo kushton shumë shtrenjtë dhe i shtohet çmimit të veturës që blihet. Kalimi i veturave nëpër qytet bëhet me taksa. Nëse do luks, paguaj.

Në hapësirë të kufizuar pra, ishte bërë ndërtimi i shumëkatësheve si e vetmja mundësi për t’i akomoduar ata 3 milionë banorë, e megjithatë, asnjë ndërtesë nuk ia zinte frymën tjetrës. Për më tepër, një nga vendet më të bukura në ishullin kryesor, është parku botanik prej nja 80 hektarësh. E në mesin e parkut gjendet Kopshti Kombëtar i Orkideve. Çka të them për orkidetë – mahnitëse.

* * *

Dje në mëngjes, si rëndom, u nisa në punë. Rrugës, kësaj radhe, shkova ta hedh qesen e bërllokut dhe i gjeta kontejnerët “duke vluar”, me mbeturina të përhapura përreth. Fatmirësisht, erdhi kamioni, e hodha brenda dhe vazhdova rrugën.

Dola te plateja e “Grandit” dhe tup, para fytyrës m’u shfaq një rimorkio e madhe e një kamioni transportues, parkuar mes Ministrive të Ekonomisë dhe të Jashtme. I bëra edhe një njëzet hapa dhe më “verbëroi” bukuria e versionit prishtinas të rrotës London Eye, që ofron pamje të jashtëzakonshme panoramike të kulmeve të ndërtesave të qendrës. Nuk e di sa kushton bileta – mbyllur ishte në mëngjes, por edhe ta dija, zor se do të hipja. I frikohem lartësisë.

E kalova Zahirin, më doli përpara “Carousseli” që montohet e çmontohet çdo dy a tre muaj, dhe i hyra trotuarit me gropa dhe të ngushtuar nga rrethojat deri në lartësinë e ish-Bankkosit. Aty tashmë ishte zgjeruar horizonti: s’kishte mbetur asnjë rrethojë dhe ato pak kubëza që kanë mbetur në vend, ishin mbushur me lloç. Arti i ecjes mbi lloç është një nga teknikat që prishtinasit e kemi kultivuar me vite – pra lirisht do të mund të garonim po të kishte ndonjë kampionat të kësaj disipline.

Vazhdova tutje, dhe për pak sa nuk e theva kokën, sepse zura thua në disa vidha a çka në dreq janë, që u kishin shërbyer dy kioskave që u patën “parkuar” para Rektoratit rrafsh tetë muaj. Tash janë zhvendosur sërish. Me mend, gjithë ai lloç aty i tremb edhe myshterinjtë.

Hyra në parkingun e Radio Prishtinës, dhe i rashë pishman. Edhe nja tri shtresa lloç, kësaj radhe të bartura e vendosura aty prej ekskavatorëve që e kanë gjetur rrugën më të shkurtër për të dalë nga lloçi pak më lart për të hyrë te lloçi pas më poshtë. E pse hyjnë në hapësirën e cila nuk është pronë e komunës, hiç vonë nuk iu bëhet. Hajt se për pak nuk e kemi këqyrë.

* * *

Para tri netësh, për efekt të dronit, u bë përurimi i edhe një segmenti të Rrugës A. Do të kujtojmë se copa e parë prej nja 200-300 metrave u pati përuruar vjet në fushatë. Po mirë, punimet vazhduan, dhe më në fund u kryen 1.500 metrat e këtij segmenti që njëmend nga pamjet e dronit dukej mirë – gjerë, me ndriçim, dhe me shenjëzim të qartë të rrugëve për biçikleta.

E derisa po bëhej përurimi në atë anë të qytetit, po kaloja nga parku universitar, prej Rektoratit në drejtim të stacionit të autobusëve afër Juridikut. Atë natë, m’u bë e qartë se si ndihen pulat nëpër terr. Asnjë, ama bash asnjë nga shtyllat e ndriçimit nuk kishte dritë. Rroftë llamba e telefonit që më udhëzoi deri te edhe një shportë e stërmbushur me bërllok bri stacionit.

Nejse. Mirë që përfundoi ajo pjesë e projektit. Por kanë mbetur edhe 4.5 kilometra të tjera, që me kësi tempo mund të përfundojnë mbas nëntë vjetësh – sepse këto u kryen për tre vjet, me akuzën e përhershme të Ramës, se po e bllokojnë dhe po e pengojnë, se përndryshe, Prishtina ish bâ parajsë. Dhe tha: “Si kryeministër, synojmë që Kosova të jetë si Singapori apo si vendet e zhvilluara, sepse kemi rini të mrekullueshme, potencial të mrekullueshëm të zhvillimit.”

Ka kohë që nuk i fsheh ambiciet politike, dhe vazhdon ta përsërisë se ai do të ishte kandidati ideal për të bërë mrekulli, pavarësisht fjalorit shumë të vobektë, përsëritjes së frazave dhe mbi të gjitha punës së keqe dhe plot mjegull. Për ilustrim mjafton deklarata për Singaporin, ku vetes i referohet në shumës (ah harrova, lartmadhëritë i referohen ashtu vetes, sa naive...) dhe mandej i qaset frazës së vaktit të Ali Bungut për “rininë e mrekullueshme”.

* * *

E nëse me gjithë “bllokadat e pengesat” megjithatë ka arritur ta perfeksionojë betonizimin e gjithçkaje në qytet, veç po e paramendoj në çka ishte shndërruar qyteti po t’i ishte lejuar ndërtimi i 50 mijë metrave katrorë dyqane para Rektoratit, Radios, Filologjikut e mandej Grandit e deri te BQK-ja... edhe një shtresë betoni për t’u siguruar se betoni përfundi nuk lëviz.

Rruga A, që është projekt i mirë që e shkarkon qytetin, nuk e besoj se mund të kryhet shpejt, sepse e ka një problem të madh – që është shpronësimi i tokave. Kur është nisur projekti, njerëzve u janë dhënë lejet për ndërtim të lartë si kompensim. Edhe për ta vazhduar e përfunduar do të mund të veprohej njësoj, dhe jo pse ka ndonjë plan rregullues për këtë punë, por thjesht si “zgjidhje” për t’u bërë Singapor.

Pavarësisht faktit se sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në Kosovë 35.7% të banesave (mbi 207 mijë) janë të pabanuara, prej të cilave madje mbi 25 mijë janë në Prishtinë. Dhe ky është shënim i vitit 2024.

E nuk është që Rama nuk është përpjekur për ta bërë Prishtinën Singapor. E vlerësoi se duhet vënë taksën për qarkullim me vetura në qytet, përderisa nuk ofronte alternativë të transportit urban. Qe sa vjet priten të vijnë autobusët e rinj, ndërkohë që ata të vjetrit kanë filluar të amortizohen, me të cilët mbahen një duzinë linjash. Singapori i ka 300 linja të autobusëve.

Na i solli kontejnerët e mençur. E shoi kompaninë e pastrimit e nisi të renë. Qyteti pos që është mbushur e stërmbushur bërllok, është mbushur edhe me “pacova”, se shumë të mëdhenj e nuk po mjafton me u thanë minj. Ngado që sillesh, vjen era stërvinë. Në Singapor, bëhet riciklimi i mbeturinave; një pjesë e tyre përdoret për prodhimin e energjisë, kurse pjesa tjetër shndërrohet në hi dhe më pas mbulohet me gjelbërim dhe bëhet park. Ne parkun e kemi pllaka, beton e lloç.

Krenohet me faktin se po i heq gypat e azbestit dhe po na e rregullon infrastrukturën, ndërkohë që kanalizimi atmosferik në qytet ose është i mbyllur ose nuk funksionon, dhe në shiun më të vogël ndodh paraqitja e një liqeni, përzier me lloç, natyrisht. Në Singapor, ujërat e zeza pastrohen në impiante; ujërat e shiut pastrohen dhe dërgohen në liqene akumuluese prej nga bëhet furnizimi me ujë të pijshëm.

Kur u krye projekti në rr. “Rexhep Luci”, doli që gjelbërimi i mbjellë ishte dhuratë e një banke. E hapësirat që dikur kishin qenë të gjelbra e që nuk i ktheu, u mbuluan me armaturë, beton e pllaka.

Singapori ka rreth 47% sipërfaqe të gjelbëruar, me madje 400 parqe publike dhe i ka rreth 150 hektarë gjelbërim vertikal (tarraca të gjelbra nëpër soliterë), e betoni, asfalti e ndërtesat bëjnë diku nja 38% të sipërfaqes.

Raporti i UN-Habitatit për hapësirat publike dhe gjelbërimin në Prishtinë publikuar më 2019 thotë se Prishtina ka 2.9 m² për banor. Pra, ky shënim është para se të niste ndërtimi masiv i shumëkatësheve në Mati 1, Kalabria, Prishtina e Re dhe Veterniku. Sipas BERZH-it, në zonën urbane të Prishtinës ka rreth 26% gjelbërim – por është i shpërndarë keq, sepse përqendrohet në Gërmi dhe Taukbahçe. Ndërkohë qendra mbushet edhe me më shumë beton kurse e vetmja lagje normale në qytet synon gjithashtu të betonizohet.

* * *

Shumë mirë do të ishte që Kosova të bëhej Singapor, por nuk mundet. Se as nuk ka dije e as nuk ka vullnet për ndryshim radikal. Singapori nuk ka korrupsion dhe e fuqizon arsimin. Kosova e bën të kundërtën. Singapori e ka dendësinë e popullsisë ndër më të mëdhatë në botë, e ne garant e kemi dendësinë e objekteve më të madhe në botë. Ata kanë punë. Ne kemi fjalë.

[e-posta korumalı]