TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Köşe yazısı

"Engellenen"

E përderisa numri i kallëzimeve penale ndaj tij shkojnë duke u shtuar, popullariteti i tij shkon e rritet me një inxhiniering që synon rrëzimin e Abdixhikut nga kreu i LDK-së. Pra, duke e paraqitur atë “viktimë të bllokimeve, ndaj të cilit po zhvillohet një luftë e fëlliqtë diskreditimi”, po përpiqet krijimi i imazhit të një lideri që nuk i frikësohet askujt dhe i cili do ta sjellë rilindjen e LDK-së së dërrmuar, udhëheqja e së cilës, ka kohë, rri heshtur

Se sa vazhdojmë të tregohemi të papjekur politikisht, e dëshmon më së miri puna të cilën e kryejnë udhëheqësit politikë në nivele qendrore e lokale.

Ani pse mund të mos kenë asgjë të përbashkët ideologjikisht (nëse mund të thuhet kështu) kanë shumëçka të përbashkët kur duhen kryer, e nuk i kryejnë, punët për të cilat janë zgjedhur. E atë që e kanë super të përbashkët është mania e fajësimit të tjetrit për dështimet e veta.

Dhe zor se para pesë vjetësh do të më shkonte mendja se do të mund të tërhiqej një paralele kaq e fuqishme mes qeverisjes së VV-së në Kosovë nga njëra anë, dhe qeverisjes së Ramës në Prishtinë, nga tjetra. 

Për qeverinë, kur gjërat nuk ecin, fajin e kanë “ata që e kanë sunduar Kosovën 20 vjet”. Por, kur e thonë këtë, harrojnë të tregojnë se janë në pushtet qe gjashtë vjet, gati një e treta e kohës “së atyre” dhe se pos ndryshimit radikal në veri, nuk është se kanë për çfarë të lavdërohen shumë. 

Kosova është tash më e varfër se para gjashtë vjetësh, pavarësisht shpenzimit të pakontrolluar të parave të gatshme, që vetëm e nxisin inflacionin. Kosova vazhdon të ketë mungesë të sistemeve për t’i menaxhuar pensionet, shëndetësinë e punët sociale, sepse gjatë këtyre gjashtë vjetëve, pushteti ka dëshmuar një paaftësi kronike në udhëheqjen e dikastereve. Udhëheqësit e tyre janë dëshmuar kryesisht të padijshëm. 

Për Ramën, krejt fajet i ka pushtetit qendror. Kjo, ngase ai veten e projekton si alternativën e vetme ndaj VV-së në zgjedhjet e radhës parlamentare. Natyrisht, si lideri i ri i LDK-së, që pretendon të bëhet, ani pse shumë herë e ka përsëritur se nuk është anëtar i kësaj partie. Por, edhe ky, pos betonizimit nuk është se ka bërë ndonjë gjë që do të meritonte lëvdata në këta pesë vjet sa është në krye të Prishtinës.

Atë që ende nuk e kuptoj është se, si në njërin ashtu edhe në rastin tjetër, populli ende “i ha” arsyetimet se fajin duhet kërkuar te dikush tjetër. E kjo më shumë se asgjë, na bën politikisht të papjekur, të paaftë për të kërkuar përgjegjësi nga ata që vendosin për jetën që kemi.

* * *

Jo një herë kam shkruar se Prishtina ka merituar shumë më mirë se kaq. E sollën nga Anglia si “aset”. Zyrtarisht, qe basti i Abdixhikut për ta rikthyer Prishtinën nën udhëheqjen e LDK-së pas tetë vjetësh. Jozyrtarisht, nuk do të dija ta përkufizoja se basti i kujt ishte.

Bashkimi i partive opozitare e bëri kryetar në mandatin e parë, ngase Vitia nuk ia doli për pak për qind të votave ta fitonte garën në rrethin e parë. Në zgjedhjet e radhës, VV-ja pati për kandidat dikë që nuk dukej të kishte madje as interesimin më të vogël për të fituar. Me një fushatë të vakët, e çoi garën në balotazh. Aty, sërish falë bashkimit të bllokut të partive, Rama e fitoi edhe mandatin e dytë. E ky fakt i shërben tash Ramës të thotë se “qytetarët e zgjodhën për punën e mrekullueshme që e ka bërë në Prishtinë”.

Pra, është fakt i pamohueshëm është se qytetarët që dolën të votonin e zgjodhën atë kryetar edhe për së dyti. Porse, gjithashtu është fakt i pamohueshëm se atë që Rama ka bërë në Prishtinë në pesë vjetët e fundit s’është asgjë më shumë sesa një kaos. Kaos i gjithçkaje, me dyshime të mëdha për shkelje ligjore e procedurale që do të mund të barazoheshin me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

* * *

Jo rrallë dilte e deklaronte se kishte ardhur në Prishtinë, nga rehatia e Londrës, për ta zhvilluar qytetin. Dhe, për dallim prej shumë politikanëve, investimin e parë më të madh e bëri në sektorin e reklamimit të punës së tij me pamje nga droni dhe me foto para dhe pas (ani që nuk ka shumëçka për të treguar para dhe pas). Përherë i pranishëm në rrjete sociale, për çdo ditë ekipi i tij ia qet një postim për ndonjë copë projekti që po zhvillohet andej a këndej nëpër qytet. Tek-tuk del edhe ndonjë pamje nga ndonjë rrugë rurale diku. Kurse Rruga A del për çdo ditë.

Ajo që e ka karakterizuar punën e tij ka qenë nisja e punimeve në shumë vende, kryesisht befas dhe pa paralajmërim, për pasojë edhe pa diskutim publik, në atë që e quajti pak a shumë “fushata për transformimin e kryeqytetit”. Pra, renderë gjithandej, për çfarëdo që kishte ndër mend të niste, që madje nuk përkonin as me sipërfaqen në të cilën planifikohej ndonjëri projekt. Dhe, në të shumtën e rasteve, i niste projektet me të cilat e kishte ngarkuar “Arkitektin e qytetit”, një kontratë problematike, as pa i marrë lejet e domosdoshme për t’i realizuar ato.

* * *

Dy projekte u bënë shumë problematike – Xhorxh Bushi, për të cilën nuk kishte marrë leje nga institucionet e trashëgimisë. E kishte pasur në plan të ndërtonte shumë dyqane që do të vendoseshin para objekteve që janë nën mbrojtje të përkohshme. Nuk çau kokë për procedura. Madje as për buxhet: për këtë projekt i kishte ndarë gati dy milionë, por e lidhi kontratën në vlerë 18 milionë e fiu. 

I nisi punët dhe më pas, sa herë ndërpriteshin, dilte në rrugë të konfrontohej gojarisht me zyrtarët për mbrojtjen e trashëgimisë e madje edhe zyrtarët policorë, duke i akuzuar të gjithë që “po e bllokonin”. Pra, thoshte ai, po të mos ishte bllokada, projekti i nisur para tre vjetësh do të përfundonte moti. Bashkë me dyqane. 

Tjetri projekt ishte ai i ishullit të Arbërisë që u ndal në çastin kur jo vetëm që ndërhyri në territorin e zonës së mbrojtur (ku sërish nuk kishte leje), por edhe preku projektin e Operës, për të cilin ishin shpenzuar disa milionë vetëm për ide projektuese.

Nuk e bëri sallën koncertale në shtëpinë e mallrave, sepse “e bllokuan”. Nuk e kreu rrugën A për tetë muaj siç kishte premtuar (1.5 km gjatësi bashkë me kolektorin). Rruga ende nuk ka përfunduar ani që kanë kaluar 3 vjet e gjysmë tashmë. Këtu “e bllokuan” në gjykatë me akuzën se “motra e (atëherë) një deputeteje të VV-së është gjykatëse”. E në fakt, ajo që ka ndodhur është se vonesat i kanë shkaktuar shpronësimet, të cilat logjikisht duhen kryer para se të nisin punët. 

Qytetin e ka mbushur me mbeturina – nejse, jo tekstualisht, por me menaxhimin katastrofal në këtë sektor. Qyteti kuuurrrrë nuk ka qenë më i ndotur se tash. E “bllokuan”, se qeveria nuk e nënshkruan kredinë ndërkombëtare, ani që ndërkohë e ka bankrotuar dhe shuar kompaninë e pastrimit, me idenë që ta themelojë një të re. 

Rrjeti i “Termokosit” nuk zgjerohet, për shkak se “qeveria e bllokon, e nuk e nënshkruan kredinë”, ani pse Komuna e Prishtinës i ka disa detyra të përcaktuara nga donatori, që nuk i ka kryer, e për të cilat janë kapërcyer afatet.

* * *

Raporti i Zyrës së Auditorit për vitin 2025 tregon për një mal parregullsish në Komunën e Prishtinës dhe do të jetë i vetmi raport që do të kalojë me konkluzion të kundërt (negativ) - me vlerësimin se rreth 100 milionë euro nuk janë menaxhuar si duhet. Këtë raport Rama e ka pranuar me një letër konfirmimi se i pranonte gjetjet e ZKA-së, por pavarësisht, shpesh e thoshte se “e kishin bllokuar”, edhe atëherë kur nuk kishte arritur ta kalonte buxhetin me kohë, ndërkohë që hynte në obligime që nuk mund t’i mbulonte që për pasojë përfunduan te përmbaruesi.

Për njërën nga kontratat problematike, e mbase edhe për ndonjë rast tjetër që nuk është bërë publik, Rama u ftua në Prokurori për intervistim, në cilësinë e të pandehurit. Te rasti i “Arkitektit...”, bartësit të kontratës së lartpërmendur, i është revokuar licenca, pikërisht për shkak të shkeljes së ligjit, përkatësisht etikës profesionale, dy muaj para ftesës në Prokurori.

Në dalje prej aty, deklaroi: “Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”. Logjikisht, nëse qëllimi është zhvillimi sipas bazës ligjore, ekziston ekipi ligjor që duhet të kujdeset që legjislacioni të respektohet. E në çastin kur i nis projektet pa leje e pa buxhet, nuk ka nevojë me qenë prokuror për të ditur se ligji po shkelet. 

* * *

Ndaj akuzave që i vijnë nga VV-ja në Prishtinë, përgjigjet me një fushatë të re: “Njëherë renderi, mandej bageri e në fund projekti”, përcjellë me “reels” dhe me foto. Foto të cilat, për fat të keq, mungojnë nga shkollat e qytetit, në dy prej të cilave dje, është ndërprerë mësimi. Në njërën për shkak të mungesës së ngrohjes. E në tjetrën, e cila është dashur t’i nënshtrohej meremetimit në pranverë të sivjetme, për shkak të papastërtisë dhe mungesës së personelit mirëmbajtës. S’po di, ndoshta është më zor të prodhohet në render për një objekt kaq të parëndësishëm sa është shkolla.

E përderisa numri i kallëzimeve penale ndaj tij shkojnë duke u shtuar, popullariteti i tij shkon e rritet me një inxhiniering që synon rrëzimin e Abdixhikut nga kreu i LDK-së. Pra, duke e paraqitur atë “viktimë të bllokimeve, ndaj të cilit po zhvillohet një luftë e fëlliqtë diskreditimi”, po përpiqet krijimi i imazhit të një lideri që nuk i frikësohet askujt dhe i cili do ta sjellë rilindjen e LDK-së së dërrmuar, udhëheqja e së cilës, ka kohë, rri heshtur. Thuajse pret që problemin Rama ta eliminojë gjyqësia. 

[e-posta korumalı]