TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Köşe yazısı

Vučić'in Sırbistan'daki seçim yenilgisinden sonra bile diyalog askıda kaldı.

Mes shumë gabimeve në qasje, BE-ja ka gabuar edhe kur e ka lidhur fatin e normalizimit të raporteve të Kosovës e Serbisë me përparimin në procesin e integrimeve evropiane. “Nuk do të ketë progres drejt BE-së nëse nuk ka normalizim“ do të thotë edhe të kundërtën: „Nuk ka progres në dialog nëse nuk ka progres drejt BE-së“. Ky kushtëzim, i cili është i vetmi argument i BE-së për të dëshmuar se për Serbinë marrëveshjet e dialogut janë ligjërisht obliguese, pasi është pjesë e kritereve në kapitullin 35, është problematik, sepse vetë anëtarësimi në BE nuk është obligim zgjedhor dhe, për më tepër, Serbia mund të vendosë se nuk do integrim në BE. Kështu mund të shuhet edhe obligimi

Zgjedhjet në Serbi asnjëherë nuk janë ndjekur me aq shumë vëmendje nga jashtë sa këto që u zhvilluan të dielën, më 25 tetor. Madje, interesimi për to krahasohet me tetorin e vitit 2000, kur u rrëzua regjimi i diktatorit dhe kriminelit Sllobodan Millosheviq. Kësaj radhe, kureshtja, por edhe frika, ishin më të mëdha për fatin e regjimit të Aleksandar Vuçiqit, i cili, në bashkëpunim me Ivica Daçiqin, ktheu në Serbi dhe në raportet me fqinjët pikërisht frymën dhe politikën nacionaliste të Millosheviqit, për të cilat para 26 vjetësh u besua se ishte mposhtur. Humbja e Vuçiqit është lehtësuese për shumë evropianë, por fituesit e zgjedhjeve nuk janë edhe shumë të njohur.

Përderisa analizat shkojnë kryesisht drejt parashikimeve se çfarë do të ndodhë me demokracinë e brendshme në Serbi dhe me orientimin e saj ndërkombëtar, një pjesë e vëmendjes është edhe se si do të reflektohen këto zgjedhje në raportet e Serbisë me Kosovën. Në parim, në paraqitjet publike nuk ka pasur shumë dallime mes Listës së Studentëve dhe pushtetit në Serbi sa i përket qasjes ndaj Kosovës. Të dyja palët e konsiderojnë Kosovën si “pjesë të Serbisë“, duke shprehur kështu vazhdimin e pretendimeve territoriale. Dhe në këtë situatë, kushdo që do të dalë fitues nga këto zgjedhje, i paparashikueshëm do të jetë edhe fati i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Javën e shkuar, Koha pati një raport të bazuar në përgjigjen e BE-së rreth fatit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. E ajo përgjigje ishte se “Përfaqësuesja e Lartë e BE-së është e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë sapo palët të jenë të gatshme për një të tillë“. Kjo është e vetmja përgjigje që BE-ja e jep tash e dy vjet. Dhe do ta japë edhe në muajt në vijim, sepse nuk është reale të pritet që palët të jenë të gatshme.

Zhgënjimi i BE-së me progresin në procesin e dialogut do të shprehet më 4 nëntor edhe në raportet përkatëse të progresit, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. Po ashtu, në dokumentin e përgjithshëm për zgjerimin, raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të përmenden si një prej pengesave kryesore për tërë rajonin në procesin e pajtimit dhe fqinjësisë së mirë. Por, për këto ngecje, BE-ja nuk do ta fajësojë veten. Do të konstatojë se situata e brendshme politike, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, ka penguar që të ketë më shumë përparim në përmbushjen e detyrimeve nga procesi i dialogut. Dhe do të përsërisë se për të dyja “palët“ (sepse BE-ja i konsideron palë e jo shtete, pasi nuk e trajton Kosovën si shtet), progresi në dialog dhe në normalizimin e raporteve mbetet edhe kusht për avancim në rrugëtimin drejt BE-së.

Mes shumë gabimeve në qasje, BE-ja ka gabuar edhe kur e ka lidhur fatin e normalizimit të raporteve të Kosovës e Serbisë me përparimin në procesin e integrimeve evropiane. “Nuk do të ketë progres drejt BE-së nëse nuk ka normalizim“ do të thotë edhe të kundërtën: “Nuk ka progres në dialog nëse nuk ka progres drejt BE-së“. Ky kushtëzim, i cili është i vetmi argument i BE-së për të dëshmuar se për Serbinë marrëveshjet e dialogut janë ligjërisht obliguese, pasi është pjesë e kritereve në kapitullin 35 është problematik, sepse vetë anëtarësimi në BE nuk është obligim zgjedhor dhe, për më tepër, Serbia mund të vendosë se nuk do integrim në BE. Kështu mund të shuhet edhe obligimi.

Kosova nuk ka lëvizur fare në procesin e integrimeve evropiane dhe kërkesa e saj për anëtarësim as që është shqyrtuar. Dialogu nuk ka qenë pengesë, por mosnjohja e Kosovës si shtet nga ana e pesë vendeve të BE-së, pasi vendimet merren me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare. Serbia, për pesë vite, nuk ka bërë asnjë hap të vetëm në procesin e integrimeve evropiane, nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat e anëtarësimit. Dhe pengesë për Serbinë nuk ka qenë dialogu. Bile, i dërguari i posaçëm për dialog, Peter Sorensen, ka konfirmuar se Serbia ka vazhduar të jetë konstruktive në dialog. Dhe kjo situatë, as për Kosovën e as për Serbinë, nuk pritet të ndryshojë shpejt.

Edhe pse Kosova e ka kaluar tash për tash krizën institucionale në të cilën ishte për dy vjet, duke organizuar zgjedhje çdo gjashtë muaj, përmes proceseve zgjedhore ka kaluar edhe Serbia. Dhe, përderisa pritet sqarimi i situatës pas zgjedhjeve të së dielës, më 25 tetor, Serbinë e presin edhe zgjedhjet presidenciale për dy muaj. Në një shtet autoritar, siç ishte Serbia në 13 vjetët e fundit, nuk ishte fare me rëndësi se çfarë posti formal kishte Aleksandar Vuçiqi. Ai ishte kryesori edhe kur ishte kryeministër dhe u bë kryesori edhe kur mori postin e presidentit. Dhe, si i tillë, si person i cili vendos për gjithçka dhe ka në dorë gjithçka, ai ishte edhe personi kryesor në emër të Serbisë në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Përfaqësuesit e BE-së e kanë preferuar këtë, duke i besuar Vuçiqit dhe duke e ndihmuar që të kalojë pa pasoja edhe kur ka ndërmarrë hapa kundër normalizimit.

Me gjithë problemet që i ka Kosova, është vërtet një vend me demokraci pluraliste. Kështu që, ta kenë Vuçiqin si bashkëbisedues në procesin e dialogut nga Kosova, patën fatin Hashim Thaçi, edhe si kryeministër, edhe si president, pastaj Isa Mustafa, për një kohë edhe Avdullah Hoti dhe pastaj Albin Kurti.

Nga ana e BE-së, në këtë periudhë u ndërruan katër përfaqësues të lartë, të cilët e kishin detyrën që, në emër të BE-së, të ndërmjetësonin dialogun dhe takimet në nivel të lartë. Nisi me Catherine Ashton (e cila i vuri themelet e dialogut), vazhdoi me Federica Mogherini (që u mundua ta impononte ndarjen e Kosovës si zgjidhje), vazhdoi me Josep Borrellin (që nuk kishte ide çfarë po ndodhte, por i besonte Miroslav Lajçakut jokredibil) dhe vazhdon me Kaja Kallasin, e cila nuk ka bërë asgjë, pos që ka shprehur gatishmërinë për të organizuar një takim në nivel të lartë sapo palët të jenë të gatshme. E nuk mund të pritet që palët të jenë të gatshme shpejt, prandaj edhe fati i dialogut do të vazhdojë të jetë i paqartë.

Tash duhet të pritet konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe të shihet se në cilin drejtim do të shkojë Serbia pas Vuçiqit. Deri tash, “Studentët“ kanë pasur elemente tejet nacionaliste dhe shoviniste sa i përket Kosovës, ndërkohë që për BE-në nuk janë prononcuar shumë dhe e kanë lënë në plan të dytë. Dhe, në anën tjetër, nuk mund të pritet që BE të bëjë presion që në fillim.