Protestat kundër rritjes së kostos së jetës, të cilat nisen si paqësore në Gjermani janë kthyer në të dhunshme. Të shtunën, plaçkitësit grabitën dyqane në qendër të Frankfurtit, ndërsa në këtë qytet dhe në qytete të tjera gjermane shpërthyen përleshje me policinë.
Përveç Frankfurtit – qendrës financiare të Gjermanisë – incidente të dhunshme pati edhe në Berlin, Këln dhe Hamburg. Policia bëri të ditur se përdori topa uji për të shpërndarë protestuesit, të cilët sulmuan punonjësit e shërbimeve emergjente me fishekzjarre, gurë dhe shishe.
Mijëra njerëz morën pjesë më herët në demonstratat e organizuara nga grupi i fushatës Gen Z regelt, që do të thotë “Gjenerata Z merr situatën në dorë” për të protestuar kundër financimit të pamjaftueshëm të shkollave, kostos së lartë të jetesës, shkurtimeve të shpenzimeve publike dhe shërbimit ushtarak.
Trazirat në Gjermani vijnë pas protestave të ngjashme masive të udhëhequra nga të rinjtë në Francë, ku më shumë se 320,000 njerëz protestuan gjithashtu të shtunën.
Një pjesë e madhe e rrugës kryesore tregtare të Frankfurtit u bllokua nga policia, raportoi agjencia e lajmeve AFP. Një zëdhënës i policisë tha se në qytet u kryen shumë arrestime.
Autoritetet në Frankfurt, Mynih dhe Berlin raportuan se në protesta morën pjesë deri në 18,000 persona, afërsisht gjysma e numrit që organizatorët kishin parashikuar në faqen e tyre të internetit. Mediat gjermane raportojnë se dhjetëra mijëra njerëz protestuan në qytetet gjermane të shtunën.
Zëdhënësja e organizatës Gen Z regelt, Lina Friedrich, tha se demonstratat kishin për qëllim “të luftojnë për paqe dhe liri, dhe jo për luftë dhe detyrim”.
"Për ne, gjëja më e rëndësishme është mbështetja më e mirë për sistemet shëndetësore dhe arsimore. Ne jemi kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe në favor të një shpërndarjeje më të drejtë të barrës"dedi.