TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
DÜNYA

Kaliforniya, 548 mahkumun ölüm cezasını ömür boyu hapis cezasına çevirdi.

Newsom

Fotoğraf: Associated Press

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ua ka zëvendësuar dënimin me vdekje 584 të burgosurve që ndodheshin në pritje të ekzekutimit, me burgim të përjetshëm, raporton “BBC”.

“Tani mund t’i lëmë këta shkelës të ligjit të vdesin në harresë, ndërsa ne do t’i kujtojmë dhe nderojmë përgjithmonë viktimat”, tha ai në një letër.

Vendimi për t’i falur të dënuarit me vdekje është kryesisht simbolik, në një shtet ku nuk është ekzekutuar asnjë i burgosur që nga viti 2006, megjithëse ekspertët thonë se ai mund të kursejë miliona dollarë në vit nga shpenzimet gjyqësore. Vetëm 13 të burgosur janë ekzekutuar që kur votuesit e rikthyen dënimin me vdekje në vitin 1978.

Vendimi vjen në një kohë kur Newsom, udhëheqësi demokrat i shtetit më të populluar të SHBA-së, është përmendur si një kandidat i mundshëm për president të Shteteve të Bashkuara në vitin 2028.

Newsom, të cilit i ndalohet të kandidojë sërish për shkak të kufizimit të mandateve, po përmbyll muajt e fundit në detyrë. Bashkëpartiaku i tij demokrat, Xavier Becerra, pritet ta pasojë atë pasi triumfoi në zgjedhjet e mesmandatit të martën.

Në letrën e tij, Newsom shpjegoi se po ushtron kompetencën e tij kushtetuese për falje, për t’i zëvendësuar dënimet me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.

“Pas gati 30 vjetësh në poste publike, kam arritur të kuptoj kufijtë e asaj që Qeveria mund të arrijë me drejtësi”, tha Newsom. “E ndërmarr këtë veprim sepse besoj fuqimisht se vrasja e sanksionuar nga shteti është e papajtueshme me vlerat e Kalifornisë, minon themelet e sistemit tonë ligjor dhe na zvogëlon secilin prej nesh”.

Historikisht, Kalifornia ka pasur numrin më të madh të të burgosurve të dënuar me vdekje. Newsom më herët kishte urdhëruar pezullimin e zbatimit të dënimit me vdekje në këtë shtet në vitin 2019.
Newsom, duke e cilësuar vendimin e tij si një veprim të vështirë, por “të drejtë”, tha se, ndonëse shumë banorë të Kalifornisë mendojnë se ata që kryejnë krime brutale meritojnë të vdesin, ai ka arritur në përfundimin se “shteti nuk mund t’i vrasë ata moralisht”.

Ai tha se, sipas çdo matjeje, sistemi i Kalifornisë për zbatimin e dënimit me vdekje “është një dështim” dhe se ai as nuk është zbatuar dhe as nuk mund të zbatohet në mënyrë të drejtë, duke rezultuar edhe në dënimin e personave të pafajshëm.

Burgimi i përjetshëm, pa mundësi lirimi me kusht, është dënimi më i rëndë që ai mund të shqiptojë ligjërisht dhe që shteti mund ta zbatojë në mënyrë etike, tha ai.

Ai pranoi se vendimi i tij do të zemërojë dhe lëndojë disa banorë të Kalifornisë dhe tha se kjo “do të rëndojë gjithmonë mbi mua”.

“Si guvernator, vetëm unë mbaj përgjegjësi për këtë vendim dhe ndikimin e tij, ashtu siç do të mbaja përgjegjësi i vetëm për çdo ekzekutim”, shkroi ai.

“Për këtë arsye, jam i detyruar të ndjek ndërgjegjen time dhe, në përputhje me autorizimin që më jep Kushtetuta jonë, ta ndërmarr këtë veprim për të mirën e shtetit të Kalifornisë”.

Meqenëse shtetet individuale kanë kompetencën për të ndjekur penalisht krimet dhe për të urdhëruar ekzekutimet, pjesa më e madhe e këtij pushteti u takon guvernatorëve të shteteve.

Vendimi vjen pas tentimit të dështuar për ekzekutimin të Christa Pike në Tennessee, si dhe në një kohë kur ekzekutimet janë shtuar në SHBA.

Në nivel federal, presidenti amerikan Donald Trump, një përkrahës i kahershëm i dënimit me vdekje, e ka cilësuar dënimin kapital si “një mjet thelbësor për parandalimin dhe ndëshkimin e atyre që kryejnë krimet më të rënda dhe aktet e dhunës vdekjeprurëse kundër qytetarëve amerikanë”.

Në vitin 2020, gjatë mandatit të tij të parë, ai i dha fund një moratoriumi gati dydekadësh për dënimin me vdekje në nivel federal, duke urdhëruar 13 ekzekutime brenda një periudhe gjashtëmujore.
Moratoriumi u rikthye gjatë presidencës së Joe Bidenit, por në ditën e parë të mandatit të dytë të Trumpit, në vitin 2025, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për rikthimin e dënimit me vdekje.
Megjithatë, që nga nënshkrimi i këtij urdhri, nuk është kryer asnjë ekzekutim në nivel federal. Në SHBA, si qeveria federale, ashtu edhe autoritetet e shteteve individuale mund të urdhërojnë ekzekutime.