TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
DÜNYA

İspanya'da 14 yıl sonra ilk genel grev, Barselona'da olaylar kaydedildi.

Barcelona

Fotoğraf: Associated Press

Miliona punëtorë spanjollë pezulluan punën në biznese dhe transportin publik në ekonominë e katërt më të madhe të eurozonës të mërkurën, përpara se mijëra qytetarë të dilnin në rrugët e qyteteve kryesore, në kuadër të një proteste mbarëkombëtare kundër rritjes së qirave dhe çmimeve të pronave të paluajtshme, shkruan agjencia “AP”. 

Aktivistët për çështjen e banimit shpresojnë se kjo protestë masive do të çojë në miratimin e më shumë rregulloreve për mbrojtjen e qiramarrësve dhe frenimin e spekulimeve në tregun e pasurive të paluajtshme. Ndërkohë, qeveria e majtë e Spanjës po përpiqet t’i mobilizojë votuesit përpara zgjedhjeve kombëtare që do të mbahen më vonë këtë muaj, në një kohë kur sondazhet nuk janë në favor të saj.

Greva, e organizuar nën sloganin “Pagat. Banimi. Çmimet”, ishte greva e parë e përgjithshme në Spanjë pas 14 vjetësh dhe e para, që kishte si shtysë kryesore pakënaqësinë e qytetarëve për shkak të krizës së banimit.

Greva kulmoi me tubime të punëtorëve dhe qytetarëve në qendrat e Barcelonës dhe Madridit, si dhe me protesta në qytete të tjera. Aktivistët për strehimin thanë se 400 mijë protestues mbushën rrugët e Barcelonës, ndërsa autoritetet e qytetit vlerësuan se në marshim morën pjesë 55 mijë persona, të cilët bartnin një pankartë gjigante me mbishkrimin “Të jetojmë, jo vetëm të mbijetojmë”.

Zyrtarët e qeverisë spanjolle vlerësuan se në Madrid dolën në protesta 120 mijë persona, pavarësisht shiut të rrëmbyeshëm.

Pas marshimit paqësor në Barcelonë, disa protestues, që dukeshin të rinj, nisën të thyenin vitrinat e dyqaneve të markave të njohura në Paseo de Gracia, një nga bulevardet kryesore tregtare të qytetit. Ata ndezën zjarre të vogla para dyqaneve, përfshirë edhe një dyqan të Applet, hyrja e të cilit u shkatërrua. Gjithashtu, dogjën kontejnerë mbeturinash dhe hodhën fishekzjarrë në drejtim të policisë, e cila mbërriti me pajisje kundër trazirave dhe automjete të blinduara.

Gjatë ditës, metroja dhe autobusët në Barcelonë nuk qarkulluan, përveç orëve të pikut. Edhe trafiku rrugor ishte i lehtë. Megjithatë, shumë biznese të vogla, si kafenetë, qëndruan të hapura.

Carlos Ferrer, 45-vjeçar, punonjës i shërbimit ndaj klientit, i cili po përpiqej të kthehej me tren nga Barcelona në shtëpinë e tij në Alicante, tha se ndonjëherë vetëm “masat radikale, si greva e përgjithshme”, mund të detyrojnë ndryshimin e kursit.

“Autoritetet duhet ta ndiejnë presionin e qytetarëve, në mënyrë që të ndërmarrin veprime”, tha ai.

Në mbrëmje në kryeqendër, Madrid, bulevardi i gjerë Paseo del Prado u mbush me çadra, ndërsa një numër i madh qytetarësh dolën në protesta mes shiut të vazhdueshëm.

Almudena López, 74-vjeçare, dhe bashkëshorti i saj morën pjesë në protestën e së mërkurës në Madrid, duke menduar për fëmijët e tyre.

“Djali im është 43 vjeç dhe ende nuk ka shtëpi të veten, sepse nuk mund ta përballojë blerjen e saj”, tha López. 

Ajo tregoi se djali i saj, i cili punon në sektorin e teknologjisë informative, detyrohet të marrë me qira një dhomë të vogël në një banesë të përbashkët.

“Në kohën time, nëse e kishe diplomën universitare, mund ta gjeje një punë dhe, duke kursyer pak nga pak, gjë që gjithmonë kërkonte sakrifica, mund të arrije të siguroje një shtëpi. Sot situata është krejtësisht ndryshe”, tha ajo.

Ndonëse greva u organizua nga dy sindikatat tradicionale më të mëdha të Spanjës, në të morën rol udhëheqës edhe aktivistët e një grupi qytetar që po protestojnë për kushte të rënda banimi, i përbërë kryesisht nga të rinj që e kanë përjetuar personalisht vështirësinë për të siguruar një banesë.

“Kjo grevë është kundër atyre që përfitojnë nga qiratë, kundër spekulatorëve të pasurive të paluajtshme, kundër kompanive të mëdha që pasurohen duke shitur prona dhe, natyrisht, kundër të gjitha niveleve të qeverisjes”, tha për gazetarët në Madrid aktivistja, Valeria Racu. “Jemi këtu për të treguar se kemi aftësinë të përcaktojmë vetë agjendën tonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, pavarësisht se kush është në pushtet”.

Sindikatat e vlerësuan grevën si të suksesshme, ndërsa organizatat përfaqësuese të bizneseve në Spanjë pretenduan se ajo nuk pati ndikim të madh.

“Greva i ka tejkaluar pritshmëritë e sindikatave”, tha Unai Sordo, sekretar i përgjithshëm i CCOO-së, njërës prej dy sindikatave që thirrën grevën në një vend me 22 milionë punëtorë të regjistruar.
CCOO dhe UGT, sindikata tjetër e madhe që organizoi grevën, raportuan ndërprerje të konsiderueshme të punës në sektorë strategjikë. Sipas tyre, ndërprerjet arritën në 90 për qind në sektorët e automobilave dhe porteve, 85 për qind në industrinë e mishit, 82 për qind në shërbimet e grumbullimit të mbeturinave dhe 75 për qind në sektorin e energjisë. Shumë shkolla dhe universitete u mbyllën.

Megjithatë, organizata kryesore e bizneseve, CEOE, e cilësoi grevën si “dështim”, duke pretenduar se pjesëmarrja e përgjithshme ishte vetëm 5 për qind.

Sindikatat dhe CEOE-ja u pajtuan vetëm për një çështje: pjesëmarrja e punëtorëve ishte më e lartë në industrinë e rëndë dhe transport, ndërsa më e ulët në sektorë të tjerë të ekonomisë, si tregtia me pakicë dhe restorantet.

Sipas operatorit spanjoll të aeroporteve, AENA, rreth 5 për qind e fluturimeve të planifikuara për të mërkurën u anuluan në aeroportet e vendit.

Në orët e para të grevës u raportuan incidente të vogla. Sindikatat njoftuan për përleshje me policinë pranë tregut kryesor të shitjes me shumicë, në periferi të Madridit. Në disa vende, policia përdori edhe sprej me piper kundër protestuesve.

Policia njoftoi se deri atëherë kishte arrestuar 49 persona në të gjithë Spanjën, për incidente të lidhura me grevën.

Qiraja mesatare në Spanjë është dyfishuar gjatë dekadës së fundit, duke rënduar buxhetet familjare dhe duke shkaktuar pakënaqësi te votuesit.

Zemërimi arriti kulmin pas dëbimit nga banesa të një gruaje 87-vjeçare në Madrid, muajin e kaluar. Vdekja e mëvonshme e Maricarmenit, siç u bë e njohur gruaja, e shndërroi atë në simbol të qytetarëve spanjollë që nuk mund të ëndërrojnë më të kenë një shtëpi në pronësi të tyre.

Aktivistët për strehimin shfrytëzuan reagimin e madh publik ndaj dëbimit të Maricarmenit për të bërë thirrje për grevë, duke arritur që shumë shpejt të siguronin edhe mbështetjen e sindikatave.

Aktivistët kërkojnë vazhdimin automatik të kontratave të qirasë, si një mënyrë për t’i mbrojtur qiramarrësit, si dhe masa të tjera. Ndërkaq, sindikatat kërkojnë më shumë banesa publike dhe një marrëveshje të re për pagën minimale.

Pas protestave lidhur me rastin e Maricarmenit, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shpalli zgjedhje të parakohshme, me shpresën se koalicioni i tij i majtë do të sigurojë edhe katër vjet të tjera në pushtet. Zgjedhjet janë caktuar për 29 nëntor.

Më pas, në fund të tetorit, ndodhi një përplasje e trenave me shpejtësi të lartë, fatkeqësia e dytë vdekjeprurëse hekurudhore në Spanjë këtë vit, ku humbën jetën 69 persona. Pasojat e kësaj tragjedie kanë ndikuar negativisht në fushatën e Sanchezit.

Greva tashmë përbën një mundësi për socialistët e Sanchezit dhe partitë e tjera të majta që synojnë të mbeten në pushtet, tha analisti Oriol Bartomeus.

“Socialistët kanë nevojë që greva të jetë e suksesshme dhe që të mos ketë dhunë, në mënyrë që fushata zgjedhore të rikthehet te çështja e banimit”, tha Bartomeus, profesor i shkencave politike në Universitetin Autonom të Barcelonës, për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Sanchez mbajti një profil të ulët publik të mërkurën. Në fillim të kësaj jave, ai publikoi një video në rrjetin social X, ku lavdëroi arritjet e mëparshme të politikave sociale, si java e punës prej 40 orësh dhe sigurimi shëndetësor kombëtar, të cilat sipas tij ishin rezultat i lëvizjes punëtore.

“Nuk ishte e lehtë, por ata e ndryshuan Spanjën”, tha Sanchez, duke paralajmëruar se partitë e djathta do të reduktonin financimin për shërbimet sociale nëse do të merrnin pushtetin.

Partia konservatore Popullore (PP) dhe partia e ekstremit të djathtë Vox argumentuan se sindikatat po përpiqeshin t'i vinin në ndihmë Sanchezit.

“Kjo është një dhuratë e sindikatave për partitë e tyre politike, në prag të një fushate ku është e qartë se e majta ka nevojë për gjithë ndihmën që mund të marrë”, tha zëdhënësi i Partisë Popullore, Miguel Tellado.