TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
DÜNYA

'Tam bir kibir': Google'ın 250 ağacı kesmesi Finlandiya'da büyük tepkiye neden oldu.

Finlandiya

Prerja e rreth 250 mijë pemëve nga Google, pa përmbushur kërkesat ligjore mjedisore, ka shkaktuar reagime të ashpra në Finlandë. Rasti ka hapur debat për pasojat e investimeve në qendrat e të dhënave për natyrën, komunitetet lokale dhe interesat e vendit

Pas një gardhi me tela shtrihet një hapësirë e madhe toke e shkatërruar. Para se Google të mbërrinte aty disa muaj më parë, në 330 hektarë pyll pranë qytetit Muhos, në veriun rural të Finlandës, kishte rreth 250 mijë pemë. Tani, nuk ka mbetur asnjë.

Kompania e teknologjisë e pastroi të gjithë zonën për të ndërtuar një qendër të të dhënave, duke hequr edhe shtresën e sipërme të tokës, në kundërshtim me ligjin. Sot, në vend të pyllit, shtrihet një hapësirë e madhe me baltë, e mbushur me gjurmë makinerish, pellgje uji dhe grumbuj dheu, rrënjësh e degësh. Banorët thonë se uji ngjyrë kafe që rrjedh nga zona përfundon në një përrua, i cili derdhet në lumin Oulujoki.

“Ky shkatërrim nuk ka fund. Vazhdojnë e vazhdojnë prerjet”, thotë Mari Annala, ekologe në Shoqatën Finlandeze për Ruajtjen e Natyrës (SLL), teksa nga kufiri i zonës, shikon pamjet me dron të pyllit të zhdukur.

Finlanda është gjendur në qendër të planeve të fundit të kompanive të teknologjisë për ndërtimin e qendrave të të dhënave. Në vend janë planifikuar 145 qendra të reja, të cilat ndodhen në faza të ndryshme të përgatitjes. Përveç stabilitetit relativ gjeopolitik dhe gjeologjik, si dhe hapësirave të mëdha të tokës, klima e ftohtë e bën Finlandën veçanërisht tërheqëse për këto investime, pasi ndihmon në uljen e kostove të energjisë.

Në fillim të këtij muaji, Autoriteti Finlandez i Licencimit dhe Mbikëqyrjes (LVV) urdhëroi kompaninë Google të ndërpresë përkohësisht punimet në Muhos dhe në një zonë tjetër, rreth 100 kilometra në juglindje, në fshatin Otanmäki. Vendimi u mor pasi kompania nuk kishte përfunduar vlerësimet e nevojshme të ndikimit në mjedis përpara se të niste prerjen e të gjithë pyllit. Lajmi shkaktoi reagime të shumta dhe hapi një debat në nivel kombëtar për rolin që duhet të ketë Finlanda, nëse duhet të ketë ndonjë të tillë, në garën globale për ndërtimin e qendrave të të dhënave, të nxitur nga zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale.

Javën e kaluar, drejtori i Google-it për Finlandën, Antti Järvinen, kërkoi falje për prerjen e pyjeve, por pretendoi se kompania kishte vepruar “bazuar në interpretimin më të mirë që kishim për legjislacionin në atë kohë”.

Projektet në Muhos dhe Otanmäki janë pjesë e një investimi prej 13 miliardë eurosh të Google-it në infrastrukturën e inteligjencës artificiale. Ky projekt ka tërhequr kritika edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili do të preferonte që qendrat të ndërtoheshin në Shtetet e Bashkuara dhe i ka kërkuar publikisht kompanisë ta rishqyrtojë vendimin. Ky është projekti më i madh i këtij lloji i ndërmarrë ndonjëherë në vendet nordike.

Qeveria finlandeze, e cila ka zbatuar shkurtime të thella të shpenzimeve publike, e ka mirëpritur investimin. Muajin e kaluar, kur u njoftuan planet e Google-it, kryeministri Petteri Orpo tha se tërheqja e investimeve ishte një “përparësi kryesore”. Ai theksoi se “vlera e ekonomisë së të dhënave shkon shumë përtej investimit të drejtpërdrejtë”, duke shtuar se marrëveshja me Google-in do të sillte “përfitime afatgjata për të dyja palët”.

Megjithatë, zbulimi i shkeljeve të kompanisë ka nxitur shqetësime në mesin e publikut. Banorët dhe organizatat po ngrenë pikëpyetje për pasojat e këtyre marrëveshjeve për komunitetet lokale, çmimin e energjisë për familjet finlandeze dhe mjedisin natyror, i cili është një burim krenarie për vendin. Zgjerimi i qendrave të të dhënave pritet të jetë një nga çështjet kryesore në zgjedhjet e prillit.

Përveç 250 mijë pemëve të prera në Muhos, Annala vlerëson se edhe në Otanmäki janë prerë rreth 150 mijë pemë të tjera. Meqë prerjet janë kryer në mënyrë të paligjshme, druri nga të dyja zonat nuk mund t’u shitet fabrikave të përpunimit të drurit, thotë ajo.

Ky rast ka ngritur gjithashtu pyetje se përse burimet e ripërtëritshme të energjisë në Finlandë duhet të përdoren për të furnizuar me energji korporata ndërkombëtare.

Peticion për dëmet

Më shumë se 93 mijë persona kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit kërkojnë rregulla më të rrepta për qendrat e të dhënave dhe vendosjen e një tarife që do t’u mundësonte komuniteteve lokale të kompensoheshin për dëmet mjedisore. Pas shpërthimit të skandalit, kryeministri Orpo e përshkroi atë që ndodhi në Muhos si një “dush të ftohtë”, duke iu referuar tronditjes që shkaktoi rasti.

Hanna Halmeenpää, kryetare e bordit të SLL-së, tha se kishte mbetur e habitur kur mësoi se Google kishte shkelur ligjin.

“Në fillim nuk mund ta besoja. Nuk kam dëgjuar kurrë që ndonjë kompani të ketë bërë diçka të tillë në Finlandë”, tha ajo.

Sipas saj, sistemi finlandez mbështetet shumë te besimi dhe Google e ka shfrytëzuar këtë. “Ata blenë një sipërfaqe të madhe toke dhe thjesht nisën ta shkatërronin pyllin, pa më shumë. Është arrogancë e pastër dhe është e pabesueshme”, u shpreh ajo.

Halmeenpää tha se shpejtësia me të cilën po zhvillohen këto projekte e ka tronditur vendin.

“Shumë njerëz thjesht i shikojnë lajmet dhe pyesin njëri-tjetrin: ‘Çfarë po ndodh tani? Çfarë mund të bëjmë? A duhet t’i pranojmë të gjitha këto projekte për qendra të të dhënave në Finlandë?’”, tha ajo.

Jussi Kangasharju, drejtues i departamentit të shkencave kompjuterike në Universitetin e Helsinkit, tha se këto qendra krijojnë një numër të kufizuar vendesh pune dhe mund të ndihmojnë ekonominë lokale, por përfitimet për vendin në tërësi janë minimale.

“Në të vërtetë, Finlanda nuk përfiton asgjë”, tha ai. “Këto janë kompani ndërkombëtare që u shërbejnë klientëve ndërkombëtarë. Shumë pak të ardhura nga taksat e korporatave mbeten në Finlandë. Në fund të fundit, këto qendra sjellin shumë pak përfitime për të tjerët, përveç kompanive që i zotërojnë dhe i operojnë ato”.

Ndërkohë, legjislacioni nuk ka arritur ende të përshtatet me ritmin e zhvillimeve, ndaj kompanitë po nxitojnë t’i nisin projektet sa më shpejt.

Disa kërkojnë krijimin e një institucioni qendror që do të koordinojë projektet e qendrave të të dhënave, në vend që vendimmarrja t’u lihet kryesisht komunave. Këto të fundit mund të përqendrohen te nevojat e menjëhershme të zonave të tyre, pa marrë parasysh sa duhet pasojat më të gjera.

Në Muhos dhe Otanmäki ka banorë që i mbështesin projektet, duke shpresuar te vendet e punës dhe të ardhurat nga taksat mbi tokën që do të përfitojnë zonat e tyre. Megjithatë, shumë të tjerë mendojnë se komunat nuk i kanë mbrojtur siç duhet interesat e tyre.

Antti Jakonen, banor i Muhos, tha se, ndonëse pemët e prera përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të pyjeve të Finlandës, ai kundërshton mënyrën se si është vepruar.

“Kjo është bërë në mënyrën e gabuar. Në stilin amerikan. Pa asnjë logjikë. Aspak logjikë”, tha ai.

Jakonen, ish-sipërmarrës dhe peshkatar, kërkon që Google të kompensojë dëmin duke ndihmuar në rikthimin e popullatës lokale të salmonit, e cila u zhduk dekada më parë për shkak të ndërtimit të hidrocentraleve.

Masat që po merr Google

Në Otanmäki, pasojat e ndërhyrjes në natyrë dhe në jetën e përditshme të banorëve po ndihen dukshëm. Anni Ranta, 53 vjeçe, familja e së cilës jeton prej brezash në këtë zonë, thotë se pas prerjes së pemëve, ujqërit që jetonin në pyll nisën të afroheshin drejt fshatit.

Dikur fshat minierash, kjo zonë njihet për pasuritë me elemente të rralla të tokës. Familja e Rantës jeton në qendër të fshatit, pranë një kishe me majë trekëndore dhe një lokali të vjetër, që prej vitesh është i braktisur. Më parë, pylli i qetë shtrihej për kilometra të tëra përreth fshatit. Tani, zhurma e punimeve pranë zonës së pastruar nga Google për ndërtimin e qendrës së të dhënave dëgjohet në të gjithë zonën.

“Ujqërit nisën të hynin në fshat, sepse të gjitha kafshët e egra u larguan nga pylli. Ato ikën”, thotë Ranta. Ajo shpreh shqetësim edhe për zhurmën që mund të shkaktojë qendra e të dhënave, pasi toka në këtë zonë është shkëmbore.

“Edhe kur qëndrojmë këtu duke biseduar”, thotë ajo, teksa përplas këmbët në tokë, “është sikur po i bie një daulleje”.

Kundërshtimi i saj ndaj ardhjes së Google-it është aq i fortë, saqë po mendon të largohet nga fshati. Ajo druhet gjithashtu se qendra e të dhënave mund ta kthejë zonën në një objektiv të mundshëm për Rusinë, me të cilën Finlanda ndan një kufi të gjatë.

“Nuk i dua këtu”, thotë ajo për Google-in. “Nuk i dua fare në Finlandë. Nuk më pëlqen as ideja e inteligjencës artificiale, as mënyra se si po ndryshon bota. Gjithçka po ndodh shumë shpejt, shumë herët”.

Babai i saj, Pentti Korhonen, ish-udhërrëfyes në zona të egra, tashmë në pension, thotë se që nga shkatërrimi i pyllit, uji i përroit është bërë ngjyrë kafe.

“Nuk ka absolutisht asnjë nevojë për qendra të të dhënave në Finlandë. Nuk ka fare nevojë për to”, thotë ai.

Vesa Hyyryläinen, drejtues i degës lokale të Shoqatës Finlandeze për Ruajtjen e Natyrës (SLL), thotë se qukapikët me tre gishta, që kishin fole në pyll, janë detyruar të largohen.

“Të gjithë ne që merremi me mbrojtjen e natyrës jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në Finlandë dhe për mënyrën se si po zhvillohen politikat. Pyes veten pse duhet të sakrifikojmë kaq shumë nga natyra jonë. Po heqin dorë nga gjithçka shumë lehtë”, thotë biologu, ekspert edhe për shqiponjat e detit.

Megjithatë, ai thotë se e kupton përpjekjen e autoriteteve për të tërhequr investime të reja dhe për të krijuar vende pune, sidomos në një rajon me popullsi në plakje.

“Të rinjtë largohen drejt Helsinkit, Berlinit dhe Parisit. Ka kaq pak njerëz këtu. Duhet të sakrifikojmë”, thotë ai.

Veli-Matti Uski, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, tha se qeveria po “monitoron zhvillimet e përgjithshme në sektorin e qendrave të të dhënave dhe zbatimin e legjislacionit përkatës, si dhe është e gatshme të propozojë ndryshime ligjore kur të jetë e nevojshme”.

Google tha se po merr masa për të mbrojtur cilësinë e ujit në zonën e Muhosit dhe se planifikon të mbjellë pemë në një sipërfaqe prej 130 hektarësh. Megjithatë, mbrojtësit e natyrës thonë se kjo sipërfaqe është shumë e vogël për të kompensuar dëmin e shkaktuar nga prerja e pyllit.

“Ne kemi operuar në Finlandë prej 15 vjetësh dhe gjithmonë jemi përpjekur të përmbushim ose të tejkalojmë kërkesat ligjore për planifikimin e territorit, mjedisin, shëndetin dhe sigurinë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë.

Ai tha se pas marrjes së njoftimeve nga LVV-ja më 6 tetor, ndaluam punimet përgatitore në Muhos dhe Kajaani, ku ndodhet zona e projektit në Otanmäki, dhe se i kanë dërguar autoritetit një përgjigje zyrtare për ta konfirmuar këtë.

“Do t’i përmbushim plotësisht kërkesat e LVV-së për këtë çështje. Presim të vazhdojmë dialogun e hapur dhe të rregullt me të gjitha autoritetet, me synimin për të forcuar bashkëpunimin me Finlandën dhe organizatat lokale”, tha ai.