TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Basketbol

Trepca Split'i ağırlıyor, Bashkimi Manchester'la oynuyor

KB Trepça

Dy ndeshje të rëndësishme evropiane i luajnë të mërkurën mbrëma skuadrat kryesore të basketbollit në vend. Në palestrën buzë lumit Ibër, “Minatori”, Trepça e pret skuadrën e njohur kroate, Split. Kjo ndeshje fillon në ora 18:30. 

Në qytetin e vjetër të Prizrenit, Bashkimi luan me Manchesterin anglez. Kjo ndeshje fillon në ora 19:00.

Ndeshja në Mitrovicë i takon Grupit A të FIBA Europe Cup. Pas gjashtë xhirove, Spliti është i dyti me 10 pikë, një më shumë se Trepça që renditet e katërta. Dy humbjet e fundit e kanë larguar pak skuadrën e Adis Beqiragiqit nga lufta për vendin e dytë në grup, që siguron avancimin tutje. Por gara nuk ka përfunduar plotësisht. Pjesë e saj është edhe skuadra greke, Promitheas Patras, që renditet e treta, po ashtu me dhjetë pikë. Trieri gjerman është i paarritshëm. Ka fituar gjashtë ndeshjet dhe udhëheq me 12 pikë. Opava çeke dhe Batumi gjeorgjian tashmë janë jashtë garës.

Trepça kishte fituar në Split me rezultat 78:69. Një tjetër fitore në shtëpi do të ishte me peshë të madhe.

Spliti është prej skuadrave me historinë më të pasur në regjion. Me emrin Jugoplastika kishte dominuar edhe në Evropë, me tre tituj rresht kontinentalë, nga viti 1989 deri në vitin 1991.

Bashkimi tashmë është thuajse jashtë garës për avancim tutje. Ka gjashtë pikë nga pesë ndeshje në Grupin F dhe mban pozitën e parafundit. Manchester Basketball është i fundit, po ashtu me gjashtë pikë. Ndonëse Bashkimi e Manchesteri kanë një ndeshje më pak të luajtur, kanë humbur hapin me skuadrat tjera të grupit. Korfezi turk udhëheq me 11 pikë. Chaloni francez i ka dhjetë, ndërsa nga nëntë i kanë Valmiera e Letonisë dhe Kalevi i Estonisë.

Ndeshja e së mërkurës në Prizren më shumë ka rëndësi për t’i ikur vendit të fundit. Ndeshja e shtyrë mes Manchesterit dhe Bashkimit zhvillohet më 2 dhjetor në Angli. Ajo ndeshje u shty pasi prizrenasit nuk u pajisën me kohë me viza.