TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Peja'daki sığınak: Personel Mayıs ayı boyunca maaşsız çalıştı, Bakanlık bütçeyi kıstı.

Barınaklar

Qendra për Mirëqenien e Gruas në Pejë ka strehuar 87 gra dhe fëmijë gjatë vitit 2025, ndërsa nga janari deri në tetor të këtij viti janë strehuar 60 gra dhe fëmijë.

Drejtoresha e Qendrës, Ardita Bala, ka thënë për KosovaPress se strehimorja ka kapacitet prej 16 shtretërish dhe deri më tani nuk ka pasur raste që janë refuzuar për shkak të mungesës së hapësirës.

Sipas saj, sfidë mbetet financimi, i cili këtë vit është zvogëluar krahasuar me vitin e kaluar.

“Gjatë vitit 2025, buxheti total ka qenë 127 mijë euro, ndërsa gjatë vitit 2026 buxheti është zvogëluar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe aktualisht është 118 mijë euro”, ka thënë Bala.

Ajo ka deklaruar se ky buxhet nuk është i mjaftueshëm për mbulimin e të gjitha nevojave të strehimores, veçanërisht për aktivitetet që lidhen me riintegrimin e grave dhe fëmijëve.

Bala ka treguar se fondet përdoren për pagat e stafit, shërbimet psikologjike, sociale dhe juridike, ushqimin, shpenzimet e energjisë, ngrohjes dhe ujit, higjienën, veshmbathjen, shërbimet shëndetësore, mirëmbajtjen dhe sigurinë, si dhe aktivitetet e riintegrimit.

Ajo ka thënë se gjatë këtij viti ka pasur edhe vonesa në financim.

“Gjatë muajit maj nuk kemi pasur të hyra nga ministria, për shkak të vonesave në hapjen e thirrjes. Gjatë asaj periudhe, muajin maj e kemi mbuluar me përkrahje nga komunat dhe stafi ka vazhduar të punojë edhe pa paga”, ka thënë Bala.

Sa i përket qëndrimit të grave në strehimore, ajo ka deklaruar se nuk ka një afat të përcaktuar dhe se ato qëndrojnë deri në momentin kur ndihen të sigurta për të vazhduar jetën jashtë strehimores.

“Gratë nuk kanë një afat të caktuar se sa duhet të qëndrojnë në strehimore, si tre, gjashtë apo nëntë muaj. Ato qëndrojnë deri në momentin kur ndihen të sigurta për të vazhduar jetën jashtë strehimores”, ka deklaruar ajo.

Bala ka bërë të ditur se gjatë këtij viti Komuna e Pejës u ka paguar qiranë për 12 muaj katër grave me fëmijë.

Qendra ofron mbështetje edhe pas largimit nga strehimorja, përfshirë ndihmën për gjetjen e banimit të sigurt, mbështetjen për punësim ose aftësim profesional, ndihmën ekonomike dhe këshillimin psikologjik.

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, nuk është përgjigjur për këtë çështje. /KP