TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Muhalefet, hükümetten İlerleme Raporu'nun bulguları konusunda hesap vermesini talep ediyor.

Kosova parlamentosu

Fotoğraf: “Driton Pacharada”

Gjetjet e Raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën janë diskutuar të mërkurën në Kuvend, në një seancë të jashtëzakonshme të ftuar nga Lidhja Demokratike. Derisa opozita ka kritikuar pushtetin për mungesën e progresit në vlerësimin e Komisionit Evropian, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend e në qeveri janë arsyetuar me bllokadën institucionale

Fajin te njëri-tjetri e kanë gjuajtur deputetët e pushtetit dhe të opozitës lidhur me vlerësimin e Komisionit Evropian të shprehur në raportin për Kosovën, i publikuar javën e shkuar.

Debati parlamentar i thirrur nga opozita për gjetjet e Raportit të Progresit të BE-së, u shoqërua me akuza e kundërakuza për mungesën e reformave të kërkuara në rrugën drejt integrimit evropian të Kosovës.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se pushtetarët duhet të japin përgjegjësi për gjetjet.

“Qeveria të na tregojë pse nuk janë përmbushur shumë nga detyrimet që ndërlidhen drejtpërdrejt me të ardhmen evropiane të vendit tonë. Gjetjet e tij prekin funksionin e thelbit të shtetit tonë, cilësinë e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe jetën e përditshëm të qytetarëve tanë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, u shpreh se qeveria nuk duhet të arsyetohet për dështimet.

“Kur institucionet evropiane evidentojnë mangësi në demokraci, drejtësi, ekonomi dhe funksionin e institucioneve, përgjigjja e një qeverie serioze nuk mund të jetë arsyetimi. Duhet të jetë reflektimi. Nuk mund të jetë propaganda, duhet të jetë përgjegjësia”, ka thënë Tahiri.

Kritik është shprehur edhe kryetari i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri.

“Kosova sot është në një proces integrues totalisht pa agjendë, totalisht pa agjendë. Është vendi me progresin më të dobët në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Por në adresimin e tij, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, tha se bllokada institucionale që ka shoqëruar vendin në periudhën raportuese, ka koston e saj.

Sipas tij, kërkesa e LDK-së për debat është duke e paraqitur qeverinë sikur të ketë pasur kompetenca të plota.

“Të gjitha subjektet, përfshirë edhe ato opozitare ishim pjesë e bllokadës institucionale që në vend të reformave e orientuan energjinë drejt kësaj bllokadës që unë e quaj artificiale... Sa i përket llogaridhënies që duhet ta japim dhe si përgjegjësi, atëherë unë mendoj që ka hapësirë të mjaftueshme që secili me këqyr veten në pasqyrë”, ka thënë Konjufca.

Atij i reaguan deputetët Lushaku e Tahiri.

“Fakt është që po mundoheni t’ia hidhni përgjegjësinë krizës politike, bojkotimit ose zgjedhjeve. Por, dua t’ju kujtoj se ky Raport i Progresit e kritikon shpërndarjen lineare të parave në kohë zgjedhjesh, për të mos thënë blerjen e votave”, ka thënë deputetja e LDK-së.

“Ajo që ju them juve si ministër dhe Qeverisë: hiq dorë nga përgjegjësia e integrimit evropian. Ke shumë gjëra të tjera. Merrni dikë nga kabineti, ngrini nivelin dhe merreni seriozisht këtë raport, i cili është i keq për vendin”, ka thënë në anën tjetër deputeti i Aleancës.

Diskutimet për Raportin e BE-së kanë vazhduar deri pasditen vonë të së mërkurës.

Dokumenti i Komisionit Evropian është publikuar javën e shkuar, derisa Kosova është renditur në mesin e vendeve që nuk kanë shënuar progres apo kanë shënuar kryesisht progres të limituar.