TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Belçika Senatosu'nda bile Kos, Sırp milliyetçi şarkısıyla ilgili olaydan duyduğu üzüntüyü dile getirdi.

Marta Kos

Skandali me interpretimin e melodisë së këngës nacionaliste serbe në një koncert të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, për çka edhe udhëheqësi i orkestrit ka kërkuar falje, ka pasur jehonë edhe në një debat në Senatin e Belgjikës, ku ka marrë pjesë komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos. Ajo është pyetur për këtë incident me këngën nga senatori belg Michel De Maegd, i cili në të kaluarën ka qenë edhe gazetar dhe ka raportuar nga Kosova. Kos, edhe në këtë paraqitje, ka shprehur keqardhje për incidentin, duke thënë se ajo nuk është dashur të ndodhte. Ajo ka thënë se për këtë ka biseduar përmes telefonit edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Senatori belg i është drejtuar komisioneres Kos duke thënë se ai, sikur edhe ajo, para se të hynte në politikë ishte gazetar dhe kishte raportuar edhe nga Kosova, ku nga afër kishte parë pasojat e regjimit të egër të Millosheviqit, pastrimin etnik, kampet e refugjatëve, krimet ndaj civilëve, por edhe hyrjen fitimtare në Prishtinë dhe arritjen e shtetësisë së Kosovës.

“Por të dielën mbrëma, këtu në Bruksel, në hapjen e Forumit për Zgjerim, ndodhi një gabim shumë i dëmshëm: u interpretua një këngë nacionaliste serbe që përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës. Kjo u këndua në zemër të Evropës sonë. Ju shprehët keqardhje, për çka natyrisht ju falënderoj. Ky ishte minimumi për të bërë diçka që ishte, sipas jush, po e citoj, ‘zgjedhje e muzikantëve’. Por duhet të pranoj se nuk e kuptoj si ka mundur të bëhej kjo zgjedhje pa miratimin e shërbimeve evropiane, duke ditur të kaluarën e dhimbshme të një populli të tërë. Më duket se një kërkim falje do të ishte më se i mirëpritur për këtë revizion të paturpshëm të historisë, të cilin populli i Kosovës e përjetoi si një shuplakë të re”.

Senatori në fjalë e pyeti komisioneren Kos se çfarë do të bëhet që kjo të mos përsëritet dhe çfarë sinjali do t'i dërgohet Kosovës, e cila nuk u përfaqësua fare në forum.

Kos u përgjigj në këto pyetje duke përsëritur shprehjen e keqardhjes.

“Kur është fjala për pjesën muzikore, siç e thashë, ne i dhamë grupit muzikor udhëzime se çfarë donim, por nuk e miratuam secilën këngë në mënyrë individuale. Më vjen shumë keq që ndodhi kjo, sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen tonë dhe do ta ketë atë mbështetje. Edhe unë personalisht jam angazhuar shumë kohët e fundit dhe duhet të kujdesemi për këtë. Unë isha në kontakt edhe me kryeministrin dhe i shpreha keqardhjen, duke thënë se kjo nuk është dashur të kishte ndodhur. Pra, Komisioni Evropian dhe unë personalisht jemi qartë të zotuar se do ta mbështesim Kosovën tutje“.

Ndonëse janë dhënë sqarime, është kërkuar falje dhe është shprehur keqardhje për skandalin e lidhur me këtë këngë, kjo temë po vazhdon të diskutohet mes diplomatëve evropianë.