TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

16 Eylül tarihli kararın ardından durumun ortak değerlendirilmesine yönelik bazı öneriler

Veton Surroi

Veton Surroi (Fotoğraf: KTV/Program: Pikë)

Këto nëntë konstatime janë vijim i reagimit të parë ndaj aktgjykimit. Ato e marrin si pikënisje se aktgjykimi nuk është i formës së prerë, se ndryshimi i tij mund të kërkohet vetëm me mjete juridike, se përgjegjësia e trajtuar është individuale dhe se dënimi i individëve nuk e zhbën karakterin e luftës së drejtë të UÇK-së. Mbi këtë bazë, dokumenti përmbledh gjendjen politike dhe institucionale dhe synon të krijojë hapësirë për një lexim të përbashkët në Kosovë. Pas kësaj do të pasojë sugjerimi i një platforme për veprim të përbashkët.

Yazmak Veton Surroi

1. Aktgjykimi i 16 shtatorit e ka zënë Kosovën në një krizë të zgjatur politike.

Kosova ka kaluar nëpër tri palë zgjedhje dhe gjendet në një moment kur, nëse kriza politike nuk zgjidhet, vendi mund të përballet edhe me një palë zgjedhje të tjera gjatë vitit. Kësaj gjendjeje i është shtuar një çështje me peshë të madhe juridike, historike dhe emocionale., Aktgjykimi i 16 shtatorit për katër ish krerët e UÇK-së.

Leximi i parë i aktgjykimit e vendosi atë në kornizën e përgjegjësisë individuale, të procesit ende të papërfunduar dhe të karakterit të luftës së drejtë — bellum iustum — të UÇK-së kundër pushtimit nga Serbia. Megjithatë, reagimet publike po ndahen ndërmjet mbrojtjes së pakushtëzuar të të dënuarve dhe trajtimit të aktgjykimit si verdikt ndaj UÇK-së.

Botimi i versionit të plotë publik do t’i sjellë në vëmendje të gjerë gjetjet, dëshmitë dhe përvojat e viktimave. Në mungesë të një leximi të përbashkët, kjo mund ta përshkallëzojë polarizimin, duke i vendosur viktimat, të dënuarit dhe karakterin e luftës së UÇK-së në një përplasje të panevojshme politike e shoqërore.

2. Kosova po rrëshqet në ligjërimin e kundërshtarëve të vet.

Aktgjykimi nuk e pranoi akuzën për krime kundër njerëzimit, sepse nuk u provua se sulmi ishte drejtuar kundër një popullsie civile si të tillë; sipas gjykimit të shkallës së parë, viktimat ishin përzgjedhur kryesisht mbi baza individuale. Ky përfundim e vendos çështjen në kornizën e përgjegjësisë penale individuale për krime lufte.

Megjithatë, një pjesë e debatit ia bart këtë përgjegjësi UÇK-së dhe Kosovës si tërësi, diçka që ka qenë pjesë e ligjërimit të kundërshtarëve të Kosovës gjatë tridhjetë vjetëve të fundit. Në vend të leximit juridik, interpretimi po bëhet pjesë e konfliktit politik-partiak dhe po shumëfishohet në rrjetet sociale si debat mbi “fajësinë” e personaliteteve publike dhe politike për themelimin e Dhomave, funksionimin e tyre dhe vetë aktgjykimin — pra, si mjet për qërimin e hesapeve me kundërshtarët e perceptuar politikë.

3. Aktgjykimi mund të ndryshohet vetëm nëpërmjet procesit të Apelit.

Aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar. Çështja mund të shqyrtohet në Apel si mbi bazën e ankesave të katër të dënuarve, ashtu edhe mbi bazën e ankesës së Prokurorisë. Shkalla e dytë mund të vërtetojë, ndryshojë ose rrëzojë pjesë të aktgjykimit brenda shkaqeve që do të ngrihen nga palët.

Ndryshimi i aktgjykimit mund të kërkohet vetëm me mjetet juridike të parashikuara nga sistemi i Dhomave të Specializuara. Paraqitja e ideve se ekziston një rrugë politike ose joligjore, përtej procesit të Apelit, krijon pritje të rreme te publiku, familjet dhe përkrahësit e të dënuarve dhe mund të perceptohet si pjesë e garës për përfitim politik.

4. Zhbërja e njëanshme e Dhomave nuk e ndihmon procesin e Apelit.

Vendimet institucionale, gjuha politike dhe sjellja publike mund t’i forcojnë garancitë e mbrojtjes ose të perceptohen si përpjekje për të ushtruar presion ndaj një procesi ende të hapur.

Ideja e zhbërjes së njëanshme të Dhomave të Specializuara-që nënkupton edhe amandamentin të Kushtetutës që nuk në këtë situatë nuk ka gjasa të ndodhë- nuk ofron mjet juridik për rrëzimin e aktgjykimit apo për përmirësimin e pozitës së katër të dënuarve në Apel. Përkundrazi, ajo mund të interpretohet si përpjekje e Kosovës për t’iu shmangur obligimeve të veta dhe ta dobësojë pozitën juridike, politike dhe ndërkombëtare të vendit.

5. Dhomat e specializuara kanë legalitet por jo edhe bazë të gjerë legjitimiteti

Pikënisja politike për themelimin e Dhomave të Specializuara ishte raporti i Dick Martyt dhe Rezoluta 1782 e PACE-s, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e miratuar me formulën se nuk paragjykonte statusin e Kosovës.

Hapi vendimtar pasues ishte këmbimi i letrave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, i cili gjithashtu nuk kishte dhe ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Procesi, pra, nisi në një organizatë ku Kosova nuk ishte anëtare dhe vazhdoi me një organizatë që nuk e njeh kolektivisht si shtet. Megjithatë, Kosova u trajtua si subjekt i aftë për të marrë dhe zbatuar obligime ndërkombëtare.

Pikërisht ky paradoks ndërmjet detyrimeve që iu kërkuan Kosovës dhe statusit të pabarabartë që iu njoh asaj ka ndikuar, mes të tjerash, që Dhomat e Specializuara të perceptohen gjerësisht nga shtresa të mëdha të popullsisë si institucione me legjitimitet të mangët. Ky perceptim shoqëror, pavarësisht bazës kushtetuese dhe ligjore të Dhomave, është pjesë e realitetit politik që nuk mund të shpërfillet.

6. PACE dhe hija e Dick Martyt

Pretendimet e raportit të vitit 2011 patën pasoja të mëdha politike, kushtetuese dhe institucionale për Kosovën. Deri tani nuk është bërë një ballafaqim formal ndërmjet këtyre pretendimeve dhe asaj që u hetua, u përfshi në aktakuzë dhe u provua ose nuk u provua në gjykim.

Pretendimet që nuk kanë qenë objekt i aktgjykimit nuk mund të cilësohen si të rrëzuara prej tij, por as të vazhdojnë të trajtohen si fakte të provuara. Kështu, vazhdon hija e Dick Martyt përkundër faktit se disa prej pretendimeve thelbësore të tij nuk gjetën mbështetje juridike.

7. Katër qytetarë të Kosovës nuk e gëzojnë mbrojtjen e plotë të sistemit evropian të të drejtave të njeriut.

Katër qytetarë evropianë, qytetarë të Kosovës, gjykohen nga një mekanizëm që zbaton standardet evropiane, por nuk e gëzojnë mbrojtjen e plotë të sistemit evropian të të drejtave të njeriut.

Dhomat janë pjesë e rendit kushtetues të Kosovës dhe janë të obliguara t’i respektojnë standardet e Konventës Evropiane. Megjithatë, katër të dënuarit nuk mund t’i paraqesin Dhomat e specializuara, pra Kosovën, para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse Kosova nuk është palë në Konventë.

Kështu krijohet një pabarazi objektive ndërmjet standardeve evropiane që zbatohen ndaj tyre dhe mundësisë së tyre për të kërkuar mbrojtje nga sistemi evropian.

Katër qytetarët evropianë, duke qenë qytetarë të Kosovës, janë të diskriminuar.

8. Mandati i Dhomave mbetet pa datë të përcaktuar përfundimi dhe pa mbikëqyrje të përbashkët parlamentare.

Neni 162 i Kushtetutës së Kosovës përmendi një periudhë pesëvjeçare, por përcaktoi se mandati vazhdon deri në njoftimin formal për përfundimin e tij.

Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për Dhomat, por përfaqësuesit e popullit të Kosovës, pushteti dhe opozita, nuk kanë një mekanizëm të përbashkët që përcjell përmbushjen e obligimeve, marrëdhëniet me BE-në dhe kushtet juridike për përfundimin e mandatit.

9. Kosova e ka kaluar provën e Dhomave me pjekuri të veçantë institucionale, por kjo nuk është reflektuar në pozitën e saj evropiane.

Kosova ka pranuar, në një proces kontraktual me BE-në, hetimin dhe gjykimin e ish-presidentit dhe ish-drejtuesve të UÇK-së, ka ndryshuar Kushtetutën, ka krijuar një gjykatë me seli jashtë vendit dhe nuk e ka penguar funksionimin e saj.

Kapaciteti i Kosovës për t’u ballafaquar me tema të rënda dhe për të zbatuar obligime të ndërlikuara ndërkombëtare është marrë si i mirëqenë. Në këtë kuptim, Dhomat e Specializuara përbëjnë një provë sui generis, të cilën Kosova e ka kaluar me më shumë pjekuri institucionale se cilido shtet tjetër i rajonit.

Marrëdhënia me Bashkimin Evropian ka mbetur kryesisht e njëkahshme: Kosovës i janë kërkuar obligime të jashtëzakonshme, pa iu njohur përparim përkatës në statusin e saj evropian.Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nuk është trajtuar. Kjo nuk e ndihmon vendin që të ballafaqohet me sfidat e tanishme dhe të ardhshme, nëpërmjet përligjjes së qartë të rrugës së tij evropiane.

(Nesër: sugjerime për një platformë të përbashkët)