TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

Avokati i Popullit ngre shqetësim për ndotjen e ujërave, kërkon veprime urgjente institucionale

Fotoğraf: Zaman / illüstrasyon

Fotoğraf: Arşiv-İllüstrasyon

Avokati i Popullit ka evidnetuar sfida serioze në mbrojtjen, menaxhimin dhe shfrytëzimin e resurseve ujore, si dhe mangësi të vazhdueshme në zbatimin e legjislacionit dhe politikave përkatëse.

Në raportin për gjendjen e ujërave në Kosovë Avokati i Popullit ka vlerësuar gjendjen e ujërave nga perspektiva e të drejtave të njeriut, duke theksuar se qasja në ujë të sigurt dhe sanitacion, si dhe e drejta për të jetuar në një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, kërkojnë angazhim të vazhdueshëm dhe efektiv të institucioneve përgjegjëse.

“Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ndër lumenjtë më të ndotur në vend janë Graçanka në Vragoli, Sitnica përgjatë gjithë rrjedhës, Nerodime në Gerlicë dhe Kaçanik, Drenica në Drenas dhe Vragoli, si dhe Limani i Klinës në Klinë”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit për raportin.

Burimet kryesore të ndotjes sipas raportit janë shkarkimet urbane të ujërave të patrajtuara, aktivitetet industriale, përdorimi bujqësor, hedhja e mbeturinave në shtretërit e lumenjve dhe degradimi hidromorfologjik i tyre. 

Raporti evidenton gjithashtu degradimin e konsiderueshëm të shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i pakontrolluar i rërës dhe zhavorrit, me ndikime të dukshme në ekosistemet ujore dhe tokat përreth.

“Një nga shqetësimet kryesore të evidentuara në raport është mungesa e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në nivelin lokal. Në shumicën e komunave mungojnë zyrtarët dhe inspektorët mjedisorë, ndërsa shumica nuk kanë plane lokale për mbrojtjen e mjedisit. Po ashtu, raporti evidenton mangësi në koordinimin ndërinstitucional, kapacitetet profesionale, monitorimin e resurseve ujore dhe zbatimin efektiv të legjislacionit”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës vazhdon të përballet me mungesë të stafit, nevojë për pajisje laboratorike të reja dhe zgjerim të rrjetit monitorues, veçanërisht për ujërat nëntokësore. Monitorimi biologjik i ujërave dhe monitorimi i substancave prioritare ndotëse thuhet se mbeten gjithashtu fusha që kërkojnë zhvillim të mëtejshëm.

“Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë vitit 2024 janë analizuar 11,016 mostra të ujit, prej të cilave 98.7% kanë qenë në përputhshmëri me vlerat parametrike të përcaktuara. Ndërsa, gjatë periudhës janar–gusht 2025, nga 8,435 mostra të analizuara, 98.2% kanë qenë në përputhshmëri me standardet përkatëse”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, raporti thuhet se vë në pah edhe sfidat që lidhen me cilësinë e ujit të pijshëm, përfshirë fenomenin e manganit në Liqenin e Badocit, i cili gjatë vitit 2024 dhe në vitin 2025 ka paraqitur tejkalime të vlerave të përcaktuara.

“Raporti trajton gjithashtu rrezikun nga përmbytjet, duke theksuar nevojën për planifikim afatgjatë, investime në infrastrukturën ujore, mirëmbajtje sistematike të rrjedhave ujore dhe funksionim efektiv të mekanizmave të paralajmërimit të hershëm. Mbrojtja e lumenjve nga ndërhyrjet e pakontrolluara, degradimi i shtretërve dhe ndotja kërkon koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe pjesëmarrje efektive të publikut në vendimmarrje”, thuhet në njoftim.

Avokati i Popullit vlerëson se problemet e evidentuara në sektorin e ujërave nuk janë të reja, por janë raportuar ndër vite nga institucionet publike, organizatat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë Avokati i Popullit.

Pavarësisht ekzistencës së legjislacionit dhe dokumenteve strategjike, Avokati i Popullit vlerëson se zbatimi i masave ka avancuar me ritëm të pamjaftueshëm, ndërsa shumë prej problemeve vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

“Në këtë kontekst, Avokati i Popullit thekson se nuk ekziston më nevoja për analiza shtesë mbi ekzistencën e problemeve, por për veprime konkrete, urgjente dhe të koordinuara nga autoritetet përgjegjëse, duke ofruar edhe rekomandime për autoritetet përgjegjëse”, thuhet në njoftim.