TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

FVA, süt ürünleri sektörünün gözetim ve izlenmesine yönelik kalıcı bir program başlattığını duyurdu.

süt

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka filluar zbatimi i Programit të Përhershëm të Survejimit dhe Monitorimit të Sektorit të Qumështit, në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit. 

Ky program përfshin kontrolle të rregullta zyrtare dhe marrjen e mostrave në të gjithë zinxhirin e prodhimit, përpunimit, importit dhe tregtimit të qumështit dhe produkteve të tij. 

“Programi synon vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm të mbikëqyrjes së sektorit, të bazuar në vlerësimin e rrezikut, rezultatet laboratorike dhe historikun e përputhshmërisë së operatorëve me kërkesat ligjore”, tha AUV-ja. 

Kontrolli shtrihet në të gjithë zinxhirin e qumështit dhe produkteve të qumështit, duke filluar nga ushqimi për kafshët, prodhimi i qumështit në fermë, grumbullimi dhe transporti, deri te përpunimi, paketimi, importi, shpërndarja dhe tregtimi i produkteve të gatshme. 

“Programi përfshin si qumështin dhe produktet e prodhuara në Kosovë, ashtu edhe produktet e importuara nga jashtë vendit, duke siguruar mbikëqyrje të integruar të të gjitha hallkave të zinxhirit ushqimor, nga ferma deri te konsumatori”. 

AUV-ja ka thënë se në kuadër të programit çdo muaj do të realizohen analiza laboratorike fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe të sigurisë ushqimore, sipas llojit të produktit dhe nivelit të rrezikut. 

“Kontrollet do të përfshijnë verifikimin e ushqimit për kafshë për mikotoksina dhe kontaminantë të tjerë, analizimin e qumështit të papërpunuar në ferma dhe pika grumbullimi, si dhe analizimin e produkteve të përpunuara vendore dhe të importuara për përmbajtjen e yndyrave, proteinave, vajit të palmës dhe yndyrave të tjera bimore, përdorimin e qumështit pluhur, praninë e aflatoksinave, mbetjeve të antibiotikëve dhe substancave të tjera të palejuara. Analizat mikrobiologjike do të përfshijnë kontrollin për Salmonella spp., Listeria monocytogenes, Escherichia coli dhe mikroorganizma të tjerë, në varësi të produktit dhe vlerësimit të rrezikut”.