TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Arberi

İttifak: Vatandaşlar elektrik kesintileriyle karşı karşıya kalırken, beş günde 11 milyon euro elektrik faturası ödendi.

Ardian Gjini

Aleanca ka akuzuar Qeverinë se, pavarësisht se brenda pesë ditësh janë paguar mbi 11 milionë euro për import të energjisë elektrike, qytetarët në disa komuna po përballen sërish me reduktime të rrymës.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Aleanca ka kritikuar qeverisjen për, siç ka thënë, “shkelje të shumta institucionale, skandale financiare, nepotizëm dhe mungesë të llogaridhënies”.

Sipas Aleancës, Kosova po e përmbyll javën me probleme të shumta institucionale, ndërsa dështimet e Qeverisë po rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët.

“Për pesë ditë pune janë paguar mbi 11 milionë euro për import të energjisë elektrike, ndërsa qytetarët po përballen me reduktime dhe paralajmërime për shtrenjtim të tarifave”, thuhet në reagim.

Aleanca ka kritikuar edhe emërimet në shërbimin e jashtëm, të cilat i ka cilësuar si “nepotizëm partiak”. Ka përmendur emërimin e familjarëve të zyrtarëve të pushtetit në ambasada, si dhe deklaratën e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, se listat me emra i dorëzohen për nënshkrim pa u shqyrtuar paraprakisht.

Kritika ka pasur edhe ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, të cilët Aleanca i ka akuzuar për shmangie të llogaridhënies lidhur me gjetjet e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm dhe për bllokim të raportimit para Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt. 

Në reagim, Aleanca i është referuar edhe Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian, duke theksuar kritikat për mungesën e përparimit në sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Po ashtu, Aleanca ka ngritur shqetësimin për protestat në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë. Sipas saj, institucionet duhet të japin përgjegjësi për rastin, ndërsa ka kritikuar heshtjen e krerëve të shtetit ndaj kërkesave të protestuesve për dorëheqjen e ministrave Xhelal Sveçla dhe Donika Gërvallës.

Aleanca ka deklaruar se mungesa e përgjegjësisë dhe reagimit nga udhëheqësit institucionalë, sipas saj, dëshmon se pushteti “ka humbur ndjeshmërinë dhe legjitimitetin për të qeverisur me vendin”.