КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Додатак за културу

Човек као „инфорг“ у инфосфери „онлајфа“

„Четврта револуција“

“Revolucioni i Katërt” nuk është thjesht një libër për teknologjinë. Është një libër për njeriun në një realitet që po bëhet gjithnjë e më informues. Vlera e tij qëndron në pyetjen që na detyron të bëjmë: nëse ne jemi inforg-ë dhe jetojmë në infosferë, atëherë çfarë përgjegjësie kemi për mjedisin informues që po ndërtojmë?

Makinat tashmë mund të përpunojnë, klasifikojnë dhe gjenerojnë informacion në mënyra që ndryshojnë raportin tradicional mes njeriut dhe teknologjisë. Në këtë realitet shfaqet koncepti i “inforgut” (organizëm informativ). Për Luciano Floridin, njeriu nuk duhet kuptuar vetëm si një trup fizik që përdor pajisje digjitale. Ai është një organizëm informativ, i lidhur vazhdimisht me njerëz të tjerë, me pajisje, rrjete dhe sisteme artificiale

Luciano Floridi e sheh njeriun e epokës digjitale jo më thjesht si përdorues të teknologjisë, por si një qenie informuese të zhytur në një infosferë ku kufiri mes botës fizike dhe asaj digjitale po bëhet gjithnjë e më i padukshëm.

Në librin “Revolucioni i katërt: Si po e formëson realitetin njerëzor infosfera”, botuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”,  filozofi Luciano Floridi përpiqet të shpjegojë një prej ndryshimeve më të thella të epokës digjitale: teknologjia nuk është më vetëm një mjet që e përdorim, por është bërë pjesë e mjedisit në të cilin jetojmë. Kompjuterët, interneti, rrjetet sociale, algoritmet dhe sistemet e inteligjencës artificiale nuk qëndrojnë më jashtë jetës njerëzore. Ato ndërhyjnë në mënyrën se si komunikojmë, informohemi, punojmë, ndërtojmë marrëdhënie dhe e kuptojmë realitetin.

Floridi e quan këtë mjedis infosferë dhe ndryshimin që po ndodh e vendos në kuadrin e “Revolucionit të Katërt”. Sipas tij, njerëzimi ka kaluar nga historia në hiperhistori, një fazë në të cilën mirëqenia individuale dhe funksionimi i shoqërisë varen gjithnjë e më shumë nga prodhimi, përpunimi dhe qarkullimi i informacionit. Informacioni nuk është më vetëm një burim që na ndihmon të marrim vendime; ai është bërë një prej strukturave themelore mbi të cilat organizohet jeta shoqërore.

Revolucioni i Katërt duhet kuptuar edhe si një revolucion mbi vetëkuptimin njerëzor. Floridi e vendos atë në vazhdën e tri revolucioneve të mëparshme: Koperniku e zhvendosi Tokën nga qendra e universit, Darvini e vendosi njeriun brenda vazhdimësisë së evolucionit biologjik, ndërsa Frojdi sfidoi idenë e njeriut si zotërues i plotë i mendjes së vet. Me Turingun dhe shkencën kompjuterike, sfidohet edhe një tjetër privilegj njerëzor: ideja se njeriu është përpunuesi unik i informacionit. Makinat tashmë mund të përpunojnë, klasifikojnë dhe gjenerojnë informacion në mënyra që ndryshojnë raportin tradicional mes njeriut dhe teknologjisë.

Në këtë realitet shfaqet koncepti i “inforgut” (organizëm informativ). Për Floridin, njeriu nuk duhet kuptuar vetëm si një trup fizik që përdor pajisje digjitale. Ai është një organizëm informativ, i lidhur vazhdimisht me njerëz të tjerë, me pajisje, rrjete dhe sisteme artificiale. Kujtimet, komunikimet, fotografitë, të dhënat personale dhe gjurmët që lëmë në rrjet bëhen pjesë e mënyrës se si ekzistojmë dhe përfaqësohemi. Identiteti ynë, në këtë kuptim, shtrihet përtej trupit fizik dhe hyn në hapësirën e informacionit.

Këtu lidhet edhe një prej koncepteve më të njohura të Floridit: “onlife”. Ndarja ndërmjet online dhe offline po humbet gjithnjë e më shumë kuptimin e saj. Ne nuk “hyjmë” më në botën digjitale vetëm kur hapim kompjuterin apo telefonin. Jeta jonë e përditshme është e ndërthurur me të. Një postim në rrjetet sociale mund të ndikojë në reputacionin tonë jashtë rrjetit; një kërkim online mund të përcaktojë se çfarë përmbajtjeje na shfaqet; një algoritëm mund të ndikojë në atë që blejmë, lexojmë apo shohim. Kështu, “online” dhe “offline” shkrihen në një përvojë të vetme: onlife.

Për këtë arsye, infosfera nuk është thjesht interneti. Ajo përfshin të gjithë mjedisin informues në të cilin bashkëveprojnë njerëzit, platformat, algoritmet, pajisjet dhe sistemet automatike. Në këtë mjedis, njeriu nuk është gjithmonë në qendër të procesit. Teknologjitë e rendit të tretë mund të ndërveprojnë me teknologji të tjera (internet of things) dhe të kryejnë procese pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë njerëzore. Kjo e ndryshon rolin tonë: nga kontrollues të drejtpërdrejtë të mjeteve, bëhemi gjithnjë e më shumë pjesë e sistemeve që funksionojnë përmes ndërveprimit të automatizuar.

Kjo perspektivë e bën librin veçanërisht aktual në epokën e inteligjencës artificiale dhe të krizës së informacionit. Infosfera e sotme nuk përbëhet vetëm nga informacioni profesional dhe komunikimi njerëzor. Ajo përmban edhe dezinformim, profile të rreme, manipulim të informacionit dhe përmbajtje të prodhuara masivisht nga inteligjenca artificiale. Në një mjedis të tillë, sfida nuk është vetëm të gjejmë informacionin, por të dallojmë burimin, kontekstin dhe besueshmërinë e tij. Problemi bëhet ekologjik: çfarë lloj mjedisi informues po krijojmë?

Floridi e zgjeron këtë ide përmes konceptit të një ekologjie të infosferës. Nëse infosfera është mjedisi ku jetojmë, atëherë ajo kërkon kujdes dhe përgjegjësi, njësoj si mjedisi natyror. Integriteti i informacionit, cilësia e komunikimit, transparenca e sistemeve dhe përgjegjësia ndaj të dhënave nuk janë më çështje thjesht teknike. Ato bëhen çështje sociale dhe etike, sepse mënyra se si ndërtohet infosfera ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë realitetin dhe ndërveprojnë me njëri-tjetrin.

Një tjetër pasojë e kësaj filozofie lidhet me privatësinë. Nëse njeriu është një inforg, atëherë informacioni që lidhet me të nuk është thjesht një grup të dhënash të shkëputura nga personi. Të dhënat janë pjesë e mënyrës se si individi përfaqësohet dhe identifikohet në infosferë. Për këtë arsye, cenimi i privatësisë nuk duhet parë vetëm si cenim i një hapësire private, por edhe si ndërhyrje në përbërjen informative të identitetit. Në epokën e gjurmimit digjital, profileve algoritmike dhe inteligjencës artificiale, kjo ide merr një rëndësi të veçantë.

Në fund, “Revolucioni i Katërt” nuk është thjesht një libër për teknologjinë. Është një libër për njeriun në një realitet që po bëhet gjithnjë e më informues. Vlera e tij qëndron në pyetjen që na detyron të bëjmë: nëse ne jemi inforg-ë dhe jetojmë në infosferë, atëherë çfarë përgjegjësie kemi për mjedisin informues që po ndërtojmë? Ndoshta ky është ndryshimi më i madh që Floridi na kërkon të pranojmë: nuk jemi më thjesht përdorues të teknologjisë dhe as vizitorë të botës digjitale. Jemi banorë të infosferës, dhe ekzistenca jonë gjithnjë e më shumë zhvillohet “onlife”, në një hapësirë ku fizikja dhe digjitalja nuk janë më dy botë të ndara, por pjesë e të njëjtit realitet njerëzor.