Autonomia e universitetit nuk cenohet vetëm kur politika ndërhyn në zgjedhjen e udhëheqësve ose përpiqet ta kontrollojë personelin akademik. Ajo cenohet edhe kur qeveria ia kufizon burimet financiare, ia dobëson sigurinë profesionale, i imponon kërkesa pa krijuar kushtet për përmbushjen e tyre dhe nuk e mbron hapësirën universitare nga interesat private. Politikat e qeverive të Kosovës ndaj universiteteve publike, veçanërisht disa vendime të qeverisë Kurti, duhen shqyrtuar pikërisht në këtë dritë: jo vetëm për synimet e tyre, por edhe për pasojat në autonominë, cilësinë dhe funksionin publik të universitetit.
Autonomia e universitetit dhe ndërhyrja e politikës
Autonomia është ndër kushtet themelore të universitetit si institucion i dijes, mendimit kritik dhe edukimit qytetar. Një universitet që nuk është i lirë të përcaktojë përparësitë akademike, të zhvillojë kërkime shkencore dhe të ushtrojë kritikë ndaj pushtetit politik, ekonomik e shoqëror, vështirë se mund ta përmbushë misionin e tij publik.
Kjo autonomi nuk sigurohet vetëm përmes dispozitave ligjore. Ajo kërkon edhe kushte materiale: financim të qëndrueshëm, siguri profesionale dhe ekonomike për mësimdhënësit, infrastrukturë kërkimore dhe liri për të zgjedhur temat, metodat dhe përfundimet e kërkimit, pa diktat politik ose ekonomik.
Në Kosovë, ndërhyrja e politikës në universitet ka marrë forma të ndryshme. Në njërën anë, pushteti politik ka kërkuar ta shtrijë ndikimin përmes personave dhe grupeve të lidhura me të. Në anën tjetër, qeveritë kanë marrë vendime për universitetin pa konsultim të mirëfilltë me komunitetin universitar dhe pa vlerësuar mjaftueshëm pasojat e tyre. Këto forma e plotësojnë njëra-tjetrën: e para synon ndikimin brenda universitetit, ndërsa e dyta e bën universitetin gjithnjë e më të varur nga vendimet e marra jashtë tij.
Qeveritë e mëparshme kanë kontribuuar në krijimin e marrëdhënieve klienteliste ndërmjet politikës dhe universitetit, ndërsa kanë dështuar ta mbështesin zhvillimin e tij kërkimor. Politikat e viteve të fundit kanë shtuar një kundërthënie tjetër: kërkesa më të larta ndaj universitetit, të shoqëruara me kufizime financiare dhe mbështetje të pamjaftueshme.
1) Politika e “arsimit të lartë falas” dhe varësia financiare e universitetit
Një nga vendimet më të hershme të qeverisë Kurti ishte heqja e tarifave të studimit në universitetet publike në nivelet bachelor dhe master. Në pamje të parë, kjo politikë duket si masë sociale që lehtëson barrën financiare të studentëve dhe familjeve të tyre dhe mundëson shanse më të barabarta në shkollim të lartë. Mirëpo, problemi qëndron te mënyra e realizimit dhe pasojat për autonominë financiare të universitetit.
Arsimi i lartë nuk është falas. Për të paguan dikush: studentët, familjet, taksapaguesit ose burime të tjera. Heqja e tarifave nuk i zvogëlon nevojat financiare të universitetit. Politika e “arsimit të lartë falas” vetëm e ndryshon burimin e financimit. Nëse humbja e të hyrave vetanake nuk kompensohet përmes financimit publik të mjaftueshëm, të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, universiteti humb një pjesë të autonomisë financiare dhe bëhet më i varur nga qeveria.
Kjo varësi bëhet edhe më problematike kur kufizimi i të hyrave nuk shoqërohet me rritje përkatëse të financimit shtetëror. Përkundrazi, pjesëmarrja e buxhetit të Universitetit të Prishtinës në buxhetin e përgjithshëm të Kosovës ka shënuar rënie, duke zbritur nën 1% që nga viti 2024. Kësaj i shtohet mbështetja tejet modeste e kërkimit shkencor. Kështu, universitetit jo vetëm që i kufizohen mundësitë për të siguruar të hyra vetanake, por as nuk i ofrohet mbështetje e mjaftueshme publike për të përmbushur misionin e tij akademik dhe kërkimor.
Prandaj, çështja nuk është nëse studentët duhen mbështetur financiarisht, por nëse kjo mbështetje duhet të realizohet duke dobësuar autonominë financiare të institucionit ku studiojnë. Një politikë vërtet mbështetëse do të siguronte njëkohësisht qasje të barabartë në arsimin e lartë dhe financim të mjaftueshëm për universitetin. Përndryshe, shteti mund të mburret se e ka bërë arsimin e lartë falas, ndërkohë që universiteti mbetet pa mjete për literaturë, laboratorë, biblioteka, kërkime shkencore dhe përmirësimin e kushteve të studimit.
2) Ulja e pagave dhe zhvlerësimi i profesionit akademik
Ndryshimi i sistemit të pagave në sektorin publik në vitin 2023, që solli ulje të pagave për personelin akademik, preku pasurinë më të rëndësishme të universitetit: mësimdhënësit e tij.
Profesioni akademik kërkon vite të gjata studimi, përgatitje shkencore, përvojë kërkimore dhe përgjegjësi në mësimdhënie, mentorim dhe administrim akademik. Mirëpo, në vend që këto kualifikime të njiheshin e të shpërbleheshin për ta bërë karrierën akademike më të dëshirueshme, ndryshimet në paga sollën pasiguri e pakënaqësi, duke i ulur pagat e profesorëve, jo rrallë, në nivele të krahasueshme me profesione që kërkojnë kualifikime dukshëm më të ulëta dhe përgjegjësi shumë më të kufizuara.
Problemi nuk kufizohet te paga bazë. Kufizimet në kompensimin e mbinormave dhe angazhimeve në komisione e organe udhëheqëse kanë ndikuar në funksionimin e universitetit. Edhe të ardhurat e personelit në pozita udhëheqëse, nga rektori e prorektorët, dekanët e prodekanët, deri te udhëheqësit e departamenteve, kanë pësuar rënie.
Ndërkohë, kërkesat për performancë janë shtuar: më shumë botime, projekte shkencore, kritere akreditimi, mentorime, ndërkombëtarizim dhe detyra administrative. Mu këtu qëndron kundërthënia: nga universiteti kërkohet më shumë punë dhe performancë, ndërsa kushtet për realizimin e tyre nuk përmirësohen në përpjesëtim me kërkesat.
Kërkimi shkencor kërkon kohë, financim, literaturë, pajisje, bashkëpunim ndërkombëtar, institute kërkimore dhe mbështetje administrative. Në vend të investimit në këto parakushte, vëmendja përqendrohet kryesisht te numri i botimeve. Universiteti ka nevojë për standarde të larta, por edhe për mundësi reale që t'i arrijë ato. Nuk mund t'i kërkosh shkencëtarit të prodhojë dije pa i siguruar kushtet elementare të kërkimit.
Kjo politikë rrezikon edhe rekrutimin e kuadrove të reja. Pse do ta zgjidhte një i ri i talentuar karrierën akademike, që kërkon vite përgatitjeje dhe përkushtim, nëse profesionet e tjera ofrojnë kushte më të mira? Universiteti nuk mund të jetë cilësor nëse profesioni akademik bëhet gjithnjë e më pak i dëshirueshëm.
3) Kampusi universitar ndërmjet misionit akademik dhe interesave komerciale
Një nga shprehjet më të dukshme të cenimit të autonomisë është trajtimi i hapësirës fizike të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 2017, Selim Pacolli, kandidat për kryetar të Prishtinës, i cili që do të bëhej nënkryetar i Komunës së Prishtinës në qeverisjen komunale të Shpend Ahmetit, pati propozuar zhvendosjen e kampusit qendror në periferi të qytetit, ndërsa në vend të tij ndërtimin e një qendre tregtare, parkingjeve dhe një tempulli fetar.
Për fat të mirë, vullneti për ta çu universitetin syrgjyn larg djepit të tij, qendrës së kryeqytetit, konvikteve, Bibliotekës Kombëtare, Galerisë Kombëtare, Institutit të Albanologjisë dhe syve të publikut nuk u realizua. Fakultetet mbetën në rrugën “Eqrem Çabej”, por hapësira përreth Fakultetit Filozofik dhe Fakultetit të Filologjisë u degradua me ndërtimin e lokaleve afariste dhe vendosjen e trafove, gjeneratorëve, ventilatorëve e kontenjerëve të mbeturinave të atyre lokaleve. Ky degradim ndodhi gjatë qeverisjeve komunale të Shpend Ahmetit të LVV-së dhe Përparim Ramës të LDK-së.
Komuna e Prishtinës e kishte përjashtuar Universitetin nga konsultimi, me arsyetimin absurd se nuk ishte pronar ose bashkëpronar i hapësirës. Mirëpo, pavarësisht statusit pronësor, kampusi nuk është thjesht pronë e paluajtshme që mund të shfrytëzohet sipas interesave të tregut ose planeve urbanistike që shpërfillin funksionin e tij akademik, kulturor dhe shoqëror.
Pavarësisht kundërshtimeve dhe kërkesave për marrëveshje me Universitetin, parkingu nëntokësor dhe lokalet afariste e kanë ndryshuar karakterin e kampusit. Rasti më i fundit është hoteli privat, për të cilin udhëheqësia universitare ka ngritur shqetësime dhe ka kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve.
Këto nuk janë thjesht probleme urbanistike. Ato shtrojnë pyetjen se kush e përcakton të ardhmen e hapësirës universitare: komuniteti akademik apo aktorët politikë dhe ekonomikë? Fakultetet, qendra historike të edukimit dhe mendimit kritik, rrezikojnë të katandisen në ndërtesa mësimore të rrethuara nga parkingje, lokale afariste, ventilatorë e gjeneratorë.
Simbolika bëhet edhe më e rëndë te shtatorja e Fehmi Aganit, dikur prominente në hapësirën e gjelbëruar përpara Fakultetit të Filologjisë, ndërsa sot mezi shihet në hijen e infrastrukturës së parkingut. Profesor Agani dhe shumë profesorë të tjerë e lidhën universitetin me edukimin, mendimin kritik dhe emancipimin shoqëror. Prandaj, trajtimi i kampusit është edhe çështje e kujtesës institucionale dhe e vlerave që përfaqëson universiteti.
Universiteti nuk mund të reduktohet në vend ku studentët ndjekin ligjërata dhe hyjnë në provime për të marrë një diplomë. Ai duhet të jetë e tashmja dhe e përditshmja e tyre: hapësirë ku lexojnë, diskutojnë, kundërshtojnë, krijojnë ide, shoqërohen dhe ndërtojnë komunitet. Kampusi duhet të gjallnohet si vend i aktiviteteve jashtëkurrikulare, i diskutimit publik, i pushimit dhe i përkatësisë në komunitetin universitar, jo t'u nënshtrohet hesapeve komerciale.
4) Deklarimi i pasurisë dhe profesorët si kategori e dyshimtë
Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, i miratuar më 2022, përfshin të gjithë mësimdhënësit me kontratë të rregullt në universitetet publike. Luftimi i korrupsionit dhe transparenca janë qëllime legjitime. Mirëpo, mbetet e diskutueshme nëse deklarimi publik i pasurisë është masë e domosdoshme dhe proporcionale për të gjitha kategoritë e përfshira.
Profesorët nuk kanë të gjithë kompetenca për menaxhimin e buxheteve, fondeve dhe prokurimeve publike. Megjithatë, atyre u imponohen detyrime të ngjashme për deklarimin e pasurisë personale dhe familjare.
Kjo të kujton atmosferën e “Procesit” të Franz Kafkës, ku individi gjendet përballë një sistemi që i kërkon llogari pa ia bërë të qartë arsyen e dyshimit. Natyrisht, detyrimi për deklarim nuk përbën juridikisht prezumim të fajësisë. Mirëpo, ai ngre pyetje për kufijtë e kontrollit shtetëror, privatësinë dhe proporcionalitetin. Pse duhet të bëhet publike pasuria familjare e një profesori ose asistenti që nuk ushtron kompetenca vendimmarrëse mbi fondet publike?
Parandalimi i konfliktit të interesit në proceset akademike mund të jetë arsye legjitime, por detyrimet duhen diferencuar sipas përgjegjësisë, kompetencave dhe rrezikut. Përndryshe, krijohet një sistem që e trajton një kategori të tërë profesionale si objekt mbikëqyrjeje, në një kontekst ku profesorët shpesh stigmatizohen përmes stereotipave të dembelisë, paaftësisë dhe korrupsionit.
Në këtë kuptim, mësimdhënësi trajtohet si potencialisht i korruptueshëm, edhe kur nuk është denoncuar, hetuar ose dyshuar për ndonjë veprim të paligjshëm. Atij i kërkohet t'ia zbulojë shtetit dhe publikut pasurinë e vet dhe të familjes, sikur t'i binte barra të dëshmonte se nuk është i korruptuar.
Bash si te “Procesi” i Kafkës, gjykimi nuk zhvillohet në sallën e gjyqit, por në gjykimet publike e në gojë të hallkut. Profesori mbetet i ekspozuar ndaj dyshimit publik, pa qenë i hetuar apo i dënuar nga gjykata. Natyrisht, problemet reale të integritetit akademik duhen trajtuar, por ato nuk mund të arsyetojnë damkosjen kolektive të profesorëve universitarë dhe profesionit universitar.
5) Universiteti si burim kuadrosh për politikën, jo si burim dijesh për shoqërinë
Një tjetër kundërthënie është se partitë dhe qeveritë vazhdimisht e përdorin universitetin si hambar nga i cili marrin këshilltarë, ekspertë, ministra, deputetë, madje edhe presidentë, ndërkohë që mbështetja për zhvillimin institucional të tij mbetet tejet e kufizuar.
Kjo dëshmon një marrëdhënie kryesisht individuale dhe instrumentale. Politika interesohet për profesorin që mund t'i shërbejë pushtetit, por shumë më pak për universitetin si institucion që prodhon dije, ide dhe kritikë të pavarur. Kështu, universiteti bëhet burim kuadrosh për politikën, por jo burim dijesh për shoqërinë.
Në një shoqëri demokratike, universiteti duhet t'i kontribuojë politikës para së gjithash përmes kërkimit shkencor mbi ekonominë, arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, kulturën dhe institucionet. Kjo kërkon mbështetje institucionale të kërkimit të pavarur, jo vetëm angazhim individual të profesorëve në politikë. Një profesor mund të bëhet ministër ose deputet, por pjesëmarrja e profesorëve në pushtet nuk e zëvendëson misionin e universitetit për të prodhuar dije për shoqërinë.
Në vend të përfundimit: Universitetit nuk i duhen vetëm kërkesa, por edhe përkrahje
Çfarë universiteti publik synon të ndërtojë shteti i Kosovës? Një universitet që u nënshtrohet kërkesave të tregut, që shërben si burim kuadrosh për politikën, që prodhon botime për të përmbushur kritere administrative dhe mbetet financiarisht i varur nga qeveria? Apo një universitet autonom, kërkimor, kritik dhe aktiv në jetën publike?
Nëse e duam të dytën, reforma është e domosdoshme. Por reforma serioze duhet të përfshijë financimin e qëndrueshëm, mbështetjen e kërkimit shkencor, kushtet e punës, cilësinë e studimeve dhe mbrojtjen e hapësirave universitare. Llogaridhënia, transparenca dhe standardet e larta janë të nevojshme, por nuk mund t'i zëvendësojnë politikat që krijojnë kushtet për përmbushjen e tyre.
Autonomia nuk nënkupton mungesë përgjegjësie. Përkundrazi, ajo është kusht që universiteti të marrë përgjegjësinë për misionin e vet publik, pa u shndërruar në instrument të qeverisë, partive ose interesave private.
Qeveritë ndryshojnë dhe mandatet politike mbarojnë. Universiteti duhet të mbetet institucion që u mbijeton pushteteve, i gjykon ato në mënyrë kritike dhe i shërben shoqërisë përtej interesave të tyre të përkohshme. Një shtet që kërkon universitet cilësor duhet të krijojë kushtet që e bëjnë të mundur cilësinë. Një qeveri që kërkon universitet të përgjegjshëm duhet, para së gjithash, të marrë përgjegjësinë për politikat e veta ndaj tij.
(Аутор је професор социологије на Универзитету у Приштини)