КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Мишљење

Опозиција може да афирмише себе и Косово само уз нови, инспиративни и мобилишући циљ.

Për ta afirmuar projektin e saj të kauzës së munguar, ish-opozita (LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja) nuk ka nevojë edhe aq për një program “antiKurt”, sa ka nevojë për gjetjen e një kauze të re, e cila do ta bënte të panevojshme politikisht logjikën “pro ose kundër Kurtit”. Logjikë kjo që më shumë po i sjell degradim sesa favore elektorale opozitës. Në fakt, ky argument u pa dhe u dëshmua edhe në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, ku LVV-në sërish e bënë forcën më të madhe, me rreth 43%, por pa shumicë të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, ndërkaq ish-opozitën sërish e lanë aty ku ishte para gati 20 muajsh

Një gazetar mjaft inteligjent një ditë më pyeti: “Profesor, ju pak më herët keni deklaruar në disa media se në Kosovë ‘opozitës i ka humbur dera në oborr’. A mund të ma shpjegoni këtë thënie tuajën interesante për krizën në të cilën gjendemi?” 

E para, i thashë, kjo thënie nuk është aq interesante sa është domethënëse dhe e rëndësishme jo vetëm për opozitën, por për gjithë shoqërinë. Në fakt, ajo është një metaforë që i shërben qytetarit për ta ilustruar gjendjen amorfe, jokreative e, do të shtoja, edhe të pabesueshme ndaj subjekteve tona politike. Gjithashtu, është edhe një mesazh i qartë dhe shumë realist i përshkrimit të krizës sonë, që tashmë ka filluar të marrë edhe përmasat dhe ngjyrimet e një “kaosi të kontrolluar”, ku dy blloqe politike, me platforma dhe kompetenca të ndryshme etike dhe morale, po rivalizojnë dhe po i kundërvihen njëra-tjetrës me mjete demokratike. Ish-qeveria, me kartën e kauzës konstante të “shtrirjes së sovranitetit dhe të sigurisë” në veri të vendit, është më se e qartë tashmë se po e “mirëmban” me sukses pushtetmbajtjen e vet, anipse shumë më tepër me statusin e dorëheqjeve sesa me atë të legalitetit dhe legjitimitetit, dhe po arrin ta kontrollojë situatën e përgjithshme përmes fitoreve brenda këtyre 18 muajve e tej, ndërsa ish-opozita, me floskulat e procedurave, por ende pa një kauzë të artikuluar madhore.

E dyta, për ta afirmuar projektin e saj të kauzës së munguar, ish-opozita (LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja) nuk ka nevojë edhe aq për një program “antiKurt”, sa ka nevojë për gjetjen e një kauze të re, e cila do ta bënte të panevojshme politikisht logjikën “pro ose kundër Kurtit”. Logjikë kjo që më shumë po i sjell degradim sesa favore elektorale opozitës. Në fakt, ky argument u pa dhe u dëshmua edhe në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, ku LVV-në sërish e bënë forcën më të madhe, me rreth 43%, por pa shumicë të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, ndërkaq ish-opozitën sërish e lanë aty ku ishte para gati 20 muajsh. Andaj, kjo kauzë e munguar opozitare, që e kam ilustruar me metaforën se “opozitës i ka humbur dera në oborr”, de facto dhe de jure nuk do të duhej të ndërtohej mbi sloganin e promovuar tashmë si “rrëzimi i Kurtit me çdo kusht”, por mbi idenë dhe konceptin kreativ për mënyrën e “normalizimit të shtetit”. Sepse, e kam thënë disa herë dhe prapë po e përsëris, kriza në Kosovë nuk qëndron vetëm te projeksioni dhe perceptimi se kush po qeveris, por te mënyra se si po qeveriset ajo. E them kështu, ngase arkitektët “ahtisarianë” qëllimisht e kanë dizajnuar këtë Kushtetutë, në atë mënyrë që pakica të mos jetë në gjendje ta pengojë asnjëherë vullnetin e shumicës politike (shqiptare) dhe të asaj etnike (serbe). Pra, projeksioni apo sintagma përmes së cilës do të duhej të udhëhiqej kauza e re opozitare ka të bëjë jo me atë se “kush po qeveris”, por “në ç’mënyrë dhe në çfarë niveli cilësor” po qeveriset Kosova. Kjo qasje do t’i lejonte opozitës të kapte edhe kontingjente të reja votuesish që nuk janë domosdoshmërisht kundër Kurtit, por, duke qenë të zhgënjyer me krizën dhe polarizimin politik, pothuajse gjithnjë e më shumë janë kah abstenojnë në zgjedhje…

E treta, opozita, që me (mos)veprimet e saj të fundit, sa po mund ta kuptoj, përkundër tentativave dështuese për ta ndërtuar një politikë konsensusi, po futet ngadalë, por sigurt, në diskursin e konfliktit të hapur, ashtu siç i pamë skenarët në Kuvend. Dhe, ajo sërish gabon, sepse kauza e re nuk ndërtohet me mobilizim imitues konfliktuoz, sikurse vepronte LVV-ja sa ishte opozitë, por përmes një mobilizimi kreativ unifikues. Qasja që po insistoj nuk nënkupton se opozita duhet të tregohet e butë ndaj pushtetit. Përkundrazi, ajo duhet të jetë e fortë në qëllime, por edhe e moderuar dhe kreative në metoda e taktika. Së këndejmi, opozita kauzën e munguar mund ta ndërtojë vetëm nëse konfliktin aktual që po e prodhon Republika “ahtisariane”, ku ajo edhe formalisht po lë përshtypjen se po avokon për “nenet” dhe frymën e saj, arrin ta artikulojë si një kauzë të njëmendtë, që unë po e identifikoj si “Republikë funksionale”. Kauzë kjo që, në njëfarë mënyre, përveçse i vihet si pandam “Republikës së Tretë” të LVV-së, të “licencuar” nga vetë Albin Kurti. Natyrisht, “kursi” që jam duke ia rekomanduar opozitës bart me vete edhe reperkusione e rreziqe evidente. Një nga këto rreziqe apo reperkusione, pa asnjë dyshim, ka të bëjë me rikthimin e saj në kurthin e frymës “ahtisariane” që ata vetë edhe e instaluan. Pra, rruga e “Republikës funksionale” që po ia propozoj opozitës është përplot gjemba dhe me plot të panjohura, si politike, ashtu edhe juridike. Por, mendoj se tani për tani, ajo është rruga e vetme që, në një të ardhme, asaj i mundëson rikthimin e namit të mëhershëm. Pra, Kurti mund të mposhtet elektoralisht vetëm po qe se ish-opozita arrin të krijojë një identitet dhe konfiguracion të ri politik që do të ekzistojë edhe pa Kurtin dhe pas Kurtit. Por, opozita në ndërkohën e rindërtimit apo rikonsolidimit të arkitekturës "ahtisariane" përmes asaj që po e shquajmë si "Republike funksionale" duhet ta parasheh edhe mënyrën e "shkurorëzimit". Këtë duhet ta bëjë me "skalpel" kirurgjik, ngase, përball "Republikës së tretë", ka shumë pak gjasa mbijetimi...

E katërta, çështjet thelbësore që duhet të shtrohen, vlerësohen dhe interpretohen në debatet e mbyllura opozitare për këtë kauzë të re opozitare duhet kryesisht të kanalizohen në jo më shumë se 4–5 shtylla fundamentale, që unë po i cek si shtylla apo si strumbullarë pikënisës. Ato do të mund të ndërtoheshin kryesisht rreth nevojave për: a) institucione funksionale dhe shumë më adaptive e fleksibile për qytetarët; b) përballjen me krizën ekonomike që po kërcënon gjithnjë e më shumë statusin social të qytetarëve; c) reforma të thella në drejtësi, që do të derivonin nga kjo “Kushtetutë funksionale” që e përmenda; dhe sidomos d) nevojën për fillimin e hartimit të politikave që kanë të bëjnë me sferën e afirmimit të një diplomacie shumë më agresive, shumë më pragmatike dhe praktike, sepse të tilla janë rrethanat. Kjo kauzë, që po ua ofroj opozitës blanko, pa asnjë lekë dhe që vështirë do të mund të kontestohej nga pushteti, do të duhej gjithashtu ta zëvendësonte atë sloganin absurd se “Kurti duhet të ikë” me atë: “Kosova duhet të funksionojë”, ose atë: “Ne, si opozitarë, s’duam ta ndryshojmë vetëm qeverinë, por duam ta ndryshojmë mënyrën se si funksionon shteti.”

E pesta, tani po ngre një hipotezë vitale për interesat e shtetit dhe, në perspektivë, edhe të kombit. Që, kujtoj, duhet të lançohet me kujdes dhe vëmendje, sepse ka të bëjë me stigmatizimet dhe paragjykimet që opozita i ka përdorur si taktika të gabuara politike. Kjo hipotezë ka të bëjë me, hajde ta kualifikojmë, “miqësinë dhe Aleancën me Perëndimin”. Jemi dëshmitarë të lloj-lloj epiteteve denigruese, madje edhe fyese, publike ndaj KM Albin Kurti, duke e identifikuar atë si “antiamerikan”, si “koreanoverior”, si “diktator” etj., që, dorën në zemër, më shumë u kanë bërë dëm vetes dhe subjekteve që u takonin sesa karizmës së Albin Kurtit! Efektet e kësaj gjuhe, sidomos në rrjetet sociale, gjykoj se vetëm sa e kanë rritur Albin Kurtin. Është e pamenduar, tejet e dëmshme dhe madje primitive deklarata e tipit: “Albin Kurti është kundër Amerikës”!? Po përse, në vend të kësaj përpjekjeje të qëllimshme denigruese, nuk thuhet: “A mund ta ndërtojmë shtetin duke pasur njëkohësisht sovranitet të fortë dhe aleanca të forta me Amerikën”? Ose: “Çfarë mund të bëjmë bashkërisht në krijimin e një diplomacie shumë më efektive e më produktive me aleatët tanë euroatlantikë”?! Sepse qytetarit duhet me ia ngulitur në mendje se patriotizëm nuk është vetëm të mbrosh shtetin në luftë, por edhe ta ndërtosh atë në paqe dhe ta bësh ta jetueshëm për të gjithë njerëzit, pa dallime etnike, sociale, politike e madje edhe racore. Kjo do të ishte shtylla kryesore e kauzës opozitare.

E gjashta, përveç këtyre shtyllave, ndërkohë ajo do të duhej ta plotësonte skemën finale edhe me nënshtylla, po ashtu relevante për shtetin e Kosovës, ku disa nga këto preferenca që do të dilnin nga këto nënshtylla, p.sh., do të ishin gara për një shtet funksional, për një administratë profesionale, për një ekonomi konkurruese, për një arsimim e shëndetësi më cilësore etj. Këto shtylla dhe nënshtylla, pak a shumë, do ta ngrinin rejtingun opozitar dhe do ta kthenin atë në një ofertë serioze alternative shtetformuese.

E shtata, përfundimisht Kosova nuk ka nevojë më për një opozitë që pret të rrëzohet vetvetiu qeveria e Albin Kurtit. Thënë më thjesht: Kosova nuk po përjeton thjesht një krizë të politikës, por një krizë të mënyrës se si është projektuar dhe si funksionon qeverisja aktuale politike; pastaj, përse institucionet e Republikës sot janë më të fragmentuara sesa akti i konsensusit shoqëror, ose përse partitë tona politike janë më të personalizuara sesa të institucionalizuara dhe përse kultura politike është më konfliktuale sesa kompromisore. 

Këto do të ishin disa nga tematikat që kujtoj se opozita aktuale kosovare do të duhej t’i vendoste, në vija të trasha, në skemën e kauzës së munguar. Ngase, ajo kurrë nuk do të mund ta mposhtë Kurtin duke u bërë më “anti-Kurt”, por vetëm duke u bërë më bindëse se Kurti në “sytë dhe veshët” e elektoratit, për mënyrën se si duhet të funksionojë shteti dhe si mbrohet kombi shqiptar në këto rrethana të pasigurta dhe jostabile në rajon. Kjo qasje, do të ishte pa asnjë dyshim edhe në interes të aleatëve…