КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

Три косовска филма истовремено у биоскопима – дуго очекивани успех

“Dua”, “Shame and Money” dhe “Hana”, njëkohësisht para publikut vendor...

“Dua”, “Shame and Money” dhe “Hana”, njëkohësisht para publikut vendor...

Nuk ka ndodhur më parë që tre filma që mbajnë vulën e Kosovës, të shfaqen njëkohësisht në kinema. “Dua” i Blerta Bashollit, “Shame and Money” i Visar Morinës dhe “Hana” i Ujkan Hysajt janë treshja që ka zënë repertorin, e për kineastë e producentë kjo është dëshmi e zhvillimit të industrisë vendore dhe një sukses i pritur kaherë. Por për dikë, publiku vendor ende heziton t’u përgjigjet filmave vendorë dhe pritjet për prodhime si këto kanë qenë më të mëdha

Tri rrëfime të ndryshme, tri qasje kinematografike dhe një hapësirë e përbashkët për publikun. Filmi “Dua” i Blerta Bashollit, “Shame and Money” i Visar Morinës dhe “Hana” i Ujkan Hysajt që po shfaqen paralelisht në kinematë e Kosovës, kanë bërë që prodhimet vendore të zënë hapësirë në ekranet e kinemave. Përtej kësaj, kjo prani pasqyron edhe kinemanë vendore e cila po fiton vëmendje edhe në skenën ndërkombëtare e edhe me sfidën e krijimit të audiencës së qëndrueshme vendore. 

Aktualisht, publiku ka mundësi të shohë dy filma të përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit –  “Dua” dhe “Shame and Money”. Ndonëse nuk janë dhënë shifra nga “Cineplexx”, filmi i fundit i Bashollit po ndjek suksesin e filmit “Zgjoi” që kishte mbledhur mbi 45 mijë shikues. 

Producenti i filmit “Dua”, Valon Bajgora, ka thënë se shikueshmëria e filmit matet edhe me mundësinë që ai të arrijë te publiku dhe të shihet në kinema. 

“Për ne është shumë e rëndësishme që filmi të arrijë te publiku dhe të shikohet. Nuk ka kuptim të bësh filma nëse ata nuk shihen nga audienca. Fakti që filmi është shfaqur dhe ka gjetur shikues është diçka që na bën shumë të lumtur dhe për të cilën jemi krenarë”, ka thënë ai. 

Ka kujtuar se filmi paraprak i Bashollit, “Zgjoi”, kishte vendosur rekord shikueshmërie dhe ka konsideruar se edhe “Dua” po shkon në të njëjtin drejtim.

“Nuk është hera e parë që filmat tanë kanë sukses në kinema. Edhe filmi paraprak i Blertës ka pasur një rekord të pathyeshëm deri më tani për filmat kosovarë në aspektin e shikueshmërisë. Edhe filmi tjetër i saj po shkon në të njëjtin drejtim”, ka thënë Bajgora më tej. 

Për bashkëproducentin e “Shame and Money”, Eshref Durmishi, fakti që tre prodhime vendore po shfaqen njëkohësisht në kinema është dëshmi e një viti të suksesshëm për kinematografinë e Kosovës. 

“Është jashtëzakonisht kënaqësi që aktualisht tre filma shqiptarë, të prodhuar në Kosovë ose në bashkëprodhim me Kosovën, janë në kinema. Ata po shfaqen në Prishtinë, por edhe në Prizren e Pejë”, ka thënë Durmishi.

Ka theksuar edhe suksesin ndërkombëtar të dy prej këtyre filmave. 

“Është e rëndësishme të theksohet se filmat ‘Shame and Money’ dhe ‘Dua’ kanë arritur sukses dhe aktualisht janë në rrethin e ngushtë të garës për çmimet e Akademisë Evropiane të Filmit. Është hera e parë që dy filma nga Kosova gjenden në këtë fazë të garës për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit, që mund të konsiderohet si ‘Oscari’ i Evropës. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për kinematografinë e Kosovës, e cila po e përmbyll vitin me filma të suksesshëm”, ka thënë ai.

Filmat që po shfaqen në kinema dallojnë për nga temat dhe mënyra se si i qasen përvojës njerëzore. 
“Dua” – i cili ka hyrë në ditën e 44-t të shfaqjes në kinema – e kthen shikuesin në Prishtinën e fundit të viteve ’90, përmes historisë së një vajze 13-vjeçare që rritet në Prishtinën në prag të luftës. Filmi i Blerta Bashollit shpalos frikën, tensionet dhe përjetimet e asaj periudhe përmes syve të një adoleshenteje. 

Ndërkaq, “Shame and Money” i Visar Morinës – i cili ka nisur të shfaqet në kinema prej 25 shtatorit – trajton fatin e një familjeje që, pasi humbet mundësinë për të siguruar jetesën në fshat, detyrohet të zhvendoset në kryeqytet. Filmi e ka nisur rrugëtimin ndërkombëtar me çmimin e madh të jurisë në festivalin “Sundance”. 

E filmi “Hana” i Ujkan Hysajt – i cili po bën një javë para publikut vendor – trajton traumën e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Përmes historisë së Sarës, një të mbijetuare të dhunës seksuale, filmi e shtjellon artin si rrugë të mundshme drejt përballjes me traumën dhe kërkimit të drejtësisë. 

Por, drejtori i “Cineplexx” në Kosovë, Milazim Salihu, ka thënë se shikueshmëria e filmave vendorë nuk i ka mbushur pritshmëritë. 

“Kemi publik, por jo sa kemi pritur. Filmat shqiptarë, dramat sidomos, nuk presin shikueshmëri të madhe, sepse njerëzit ende hezitojnë t’i shohin dramat që trajtojnë përjetimet njerëzore dhe përvojat e tyre. Në vend të tyre, publiku parapëlqen më shumë komeditë dhe filmat horror”, ka thënë Salihu.

Por, sipas tij, suksesi artistik dhe numri i shikuesve nuk ecin gjithmonë paralelisht.

“Ka filma që kanë vlera të mëdha artistike dhe kanë marrë çmime, por nuk kanë arritur shikueshmërinë që pritet prej tyre. Ndonjëherë, pavarësisht vlerësimeve dhe çmimeve, publiku nuk u përgjigjet pritshmërive. Kjo tregon se suksesi artistik nuk përkthehet domosdoshmërisht në numër të madh shikuesish”, ka thënë ai.

Ka thënë se për shifrat e sakta të shikueshmërisë duhet pritur deri në përfundimin e shfaqjeve. 

“Sa u përket shifrave të shikueshmërisë, ato duhet të përditësohen, pasi disa filma janë ende duke u shfaqur në kinema. Për këtë arsye, nuk mund të japim të dhëna të sakta pa i mbledhur të gjitha rezultatet. Shifrat përfundimtare mund t’i bëjmë të ditura pasi të kemi një pasqyrë më të plotë të periudhës”, ka thënë Salihu. 

Për Eroll Bilibanin, producent filmi dhe udhëheqës i programit “DokuLab” të “DokuFestit”, prania e një numri kaq të madh filmash vendorë në kinema është dëshmi e zhvillimit që kinematografia e Kosovës e ka pritur prej vitesh. 
“Kurrë më herët nuk kemi pasur kaq shumë filma vendorë në kinema. Është shumë e rëndësishme që kemi dy filma që janë në garë për çmime evropiane, në kategori ku konkurrojnë aktorë e aktore të mëdhenj të kinematografisë evropiane, si Javier Bardem dhe Penélope Cruz”, ka thënë Bilibani.

Ka vlerësuar se numri i filmave që shfaqen në kinema është tregues i zhvillimit të industrisë. 

“Begatia kinematografike, apo numri i filmave që shfaqen në kinema, është një tregues se kemi një industri të zhvilluar dhe progresive. Këtë e kemi paralajmëruar prej shumë vitesh, pra këtë valë të kinematografisë që tash po na ndodh para syve. Mendoj se është shumë pozitive që audienca vendore tani mund t’i shijojë filmat në kinema dhe jo vetëm nëpër festivale”, ka thënë ai.

Sipas Bilibanit, për ta kuptuar zhvillimin aktual duhet marrë parasysh mungesën e infrastrukturës kinematografike në periudhën e pasluftës. Por, ka konsideruar se publiku duhet të edukohet tash në këtë aspekt. 

“Duhet ta kemi parasysh se Kosova ka kaluar një periudhë lufte dhe nuk ka pasur infrastrukturë të zhvilluar kinematografike. Në vitin 2013, në Kosovë kishte dy kinema, ndërsa deri në vitin 2012 kishte vetëm një. Më pas, kinematë filluan të zhvilloheshin edhe në qytete të tjera. Për një kohë të gjatë, publiku nuk ka pasur mundësi të mjaftueshme për t’i parë filmat vendorë në kinema. Zhvillimi i audiencës është proces dhe nuk mund të ndodhë brenda natës. Publiku duhet të krijojë shprehi dhe të edukohet përmes përvojës së vazhdueshme me filmin”, ka konsideruar ai duke kundërshtuar idenë se publiku nuk ka interesim për kinemanë vendore. 

I është referuar rezultateve të filmit “Dua” duke rezultuar si ndër pesë filmat më të shikuar në kinema. 

“Mendoj se interesimi për filmat vendorë ekziston. Njerëzit shpesh kërkojnë diçka me të cilën mund të identifikohen ose që lidhet me përvojat e tyre. Prandaj, duhet të vazhdojmë të sjellim sa më shumë filma dhe të krijojmë mundësi që publiku të lidhet më shumë me ta. Nuk mendoj se mund të thuhet se filmat vendorë nuk preferohen, ndërsa në të njëjtën kohë shohim se filmi ‘Dua’ ka arritur rezultate të mira në kinema. Këto të dhëna duhen parë në kontekstin e tyre, sepse nuk është e drejtë të nënvlerësohet potenciali i filmit vendor”, ka thënë ai.