КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

Албанија има за циљ да ојача пословно спонзорство културе

1

Reforma e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë synon krijimin e një partneriteti të ri midis shtetit dhe biznesit. Bizneset që financojnë kulturën kanë deri në 30 për qind lirim nga tatimi i fitimit. Kosova ende e ka 20 për qind

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka miratuar Projektligjin e ri për donacionet dhe sponsorizimet, e cilësuar si një reformë që synon të transformojë financimin e sportit, artit dhe kulturës, duke krijuar mundësi të reja për talentin shqiptar.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, citohet të ketë thënë se në këtë mënyrë i hapet rrugë një mekanizmi të ri të mbështetjes financiare të këtyre sektorëve, të cilët me këtë politikë të re i trajtojnë si prioritarë për vlerën e shtuar sociale, edukative dhe ekonomike që ato gjenerojnë.

Kjo reformë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë synon krijimin e një partneriteti të ri midis shtetit dhe biznesit, duke e kthyer sponsorizimin në një instrument real investimi për talentet shqiptare. Për herë të parë, bizneset që sponsorizojnë artin, kulturën dhe sportin, sipas dispozitave të reja, do të mund të zbresin faturën e sponsorizimit direkt deri në 30 për qind të tatimit të tyre mbi fitimin. Skema parashikon një tavan deri në dy miliardë lekë të reja në vit, ose rreth 22 milionë euro, në dispozicion të financimit të sportit, artit dhe kulturës, përmes programeve të miratuara vjetore të buxhetit të shtetit.

“Kjo do të sjellë një efekt zinxhir pozitiv rritës për eventet dhe bashkëfinancimet, për imazhin dhe prestigjin ndërkombëtar, për industrinë kreative dhe komunitetet sportive, duke rritur kohezionin dhe duke ulur kostot e shtetit në shëndetësi, siguri e çështje sociale. Reforma sjell edhe një standard të ri transparence përmes regjistrit elektronik kombëtar të sponsorizimeve dhe mekanizmave të auditit dhe kontrollit”, ka thënë ai. 

Sipas të dhënave, Shqipëria ka pasur Ligj për sponsorizim qysh prej vitit 1994 veçmas për sportin, por nuk ka pasur mekanizma për ta konkretizuar atë. Në vitin 2020 u propozua një ndryshim për të nxitur sponsorizimin në sport, me lehtësi tatimore: parashihte 20 për qind për disa sporte ekipore, si futbolli, basketbolli dhe volejbolli dhe deri në 10 për qind për sporte të tjera. 

Kosova ka Ligj për sponsorizim në fushën e kulturës, sportit dhe rinisë qysh para një dekade. Qe vendosur që aktivitetet sportive të mund të financohen deri në 30 për qind të fitimit të bizneseve, përderisa ato kulturore deri në 20 për qind. I bie që nëse një biznes ka fitim vjetor prej 100 mijë eurosh, të ketë të drejtë të sponsorizojë ngjarje kulturore deri në 20 mijë euro dhe për ato mjete të lirohet nga tatimi në fitim. Asokohe, komuniteti i sportit kishte qenë shumë më i zëshëm edhe nëpërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kurse komuniteti i artit ka shpërfillur edhe debatet publike. Qysh para se ligji të aprovohej, komuniteti kulturor kishte konsideruar që kultura do të duhej ta kishte një lloj diskriminimi pozitiv pasi që apriori sponsorizimet në sport janë më të lehta shkaku i popullaritetit të sporteve të ndryshme. Por një gjë e tillë nuk ishte marrë parasysh. Pavarësisht se Ligji ishte miratuar në Kuvend në dhjetorin e vitit 2016, deri në mars të vitit 2018 nuk ishte themeluar Komisioni i Ministrisë së Kulturës për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për lëshimin e vërtetimit për sponsorizime. Qysh para miratimit të Ligjit për sponsorizime, një prej diskutimeve më të mëdha ka qenë kontrollimi i procesit të sponsorizimit në mënyrë që bizneset të mos u ikin tatimeve duke përdorur si arsye sponsorizimin e aktiviteteve kulturore, sportive apo rinore. 

Se kultura mbetet prapa në sponsorizim në raport me sportin, shembull ishin edhe raportet e vitit 2023 e 2024. Siç kishte raportuar KOHA, kultura nuk arriti të marrë as 10 për qind prej parave që jep biznesi në emër të sponsorizimeve në sport, kulturë e rini, siç ia lejon ligji. Ishin 2 milionë e 77 mijë euro sponsorizime në kulturë, e listën e kryesonin kryesisht ngjarjet e mëdha. Bankat ishin sponsorizuesit me shumat më të mëdha, përderisa te përfituesit figuronin edhe organizata jo fort të njohura në publik. Për disa akterë të kulturës, përqindja duhej të rritej pasi sporti është në avantazh, e për disa të tjerë, mundësia e keqpërdorimit në sponsorizim është shumë e madhe. Ministria e Kulturës, sipas të dhënave për vitin 2024, kishte leshur gjithsej 158 vërtetime për sponsorizim. Sporti kishte marrë 20 milionë euro sponsorizime. Nga buxheti total prej 22 milionë eurosh në sponsorizime, përfshirë edhe rininë me 480 mijë euro, kultura nuk ia kishte dalë të marrë as 10 për qind. Më 2023, sipas listës së MKRS-së, qenë përkrahur 125 projekte kulturore me 1 milion e 788 mijë e 936 euro.