КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

Албанија повећава буџет за културно наслеђе на 21 милион евра

УНЕСЦО

Konferenca Vjetore e Rrjetit të Ekspertëve të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale në Evropën Juglindore në Tiranë

Tirana mirëpret edicionin e 20-të të Konferencës Vjetore të Rrjetit të Ekspertëve të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale në Evropën Juglindore, një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, në një videomesazh, ka thënë se të martën “ky takim i rëndësishëm mbledh ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, për të shkëmbyer përvoja, praktika të mira dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal në mbrojtje të trashëgimisë sonë kulturore”.

“Ndërkombëtarët janë këtu, UNESCO-ja është këtu, në dialog të drejtpërdrejtë me institucionet tona, duke dëshmuar rëndësinë e sinergjisë dhe të angazhimit të përbashkët për trashëgiminë kulturore në përgjithësi. Dhe kjo ndodh ndërsa disa vazhdojnë të pretendojnë se trashëgimia në Shqipëri po shkatërrohet”, ka thënë ai. Sipas tij, rritja e financimit për trashëgiminë kulturore në vitin 2027 do të mbështesë projekte të rijetësimit, mbrojtjes dhe promovimit të traditës, hapësira të reja muzeore, si dhe investime në lokalitetet arkeologjike.

“Faktet tregojnë një tjetër realitet, një tjetër angazhim. Financimi për trashëgiminë kulturore rritet me 80 për qind më shumë në vitin 2027, duke mbështetur projekte rijetësimi e shpëtimi, mbrojtjeje dhe promovimi të traditës. Hapësira të reja muzeore dhe vëmendje të shtuar tek identiteti, historia, artizanati, dijebërja për brezat që vijnë. Projekte menaxhimi e kujdesi në sitet arkeologjike, krahas forcimit të kapaciteteve restauruese dhe personelit me punonjës të rinj. Reforma ligjore e instrumente të tjera për mbështetjen dhe nxitjen e turizmit kulturor si edhe përfshirjen sa më direkte të komunitetit”, ka thënë ai. Në shifra dhe konvertuar në euro, i bie që buxheti për trashëgimi kulturore në Shqipëri, të jetë 21 milionë euro për vitin që vjen.

Sipas ministrit, për ata që “nxituan të shpallnin se miliona euro për Bylisin ishin bërë ‘rrush e kumbulla’, përgjigjja gjendet përsëri në terren”. 

“Projekti i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe AICS është në zbatim dhe puna në kantier vijon suksesshëm. Paralelisht, në Butrint, ekspertë të tjerë ndërkombëtarë të trashëgimisë nga UNESCO-ja vijojnë angazhimin për të verifikuar nga afër gjendjen e monumenteve dhe ecurinë e ndërhyrjeve konservuese, krahas planeve dhe projekteve të reja. Dhe ndërkombëtarët nuk janë spektatorë. Janë këtu, në Tiranë dhe në terren, në bashkëpunim me ekspertët shqiptarë, ndërsa Shqipëria është sot më lart se kurrë në reputacion, në rezultate e në raporte”, ka thënë ai.