КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

Ретроспектива Џевдета Џафе, као бесконачна трка

Dževdet Džafa

Akademik Xhevdet Xhafa njihet si modernisti pionier në stilin e tij në këto anë. Zjarri, në njëfarë forme, ka “pushtuar” Galerinë. Pak më tej, shumica e veprave që titullohen “Autobiografi” janë punime me dimensione të mëdha e teknikë të kombinuar

“Still Running” (Ende në vrap) nuk është përshkrimi i një gjendjeje. Është matricë e artit të tij, filozofia e artit të Xhevdet Xhafës. Ekspozita e parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës ka një kuptim të shumëfishtë, tensioni është thelbi i krejt artit të tij, si një prej pararendësve të modernizmit në këto anë. Ndonëse “ende në vrap”, ai qe para kohe në skenën artistike të vendit, dhe i tillë mbetet edhe sot

Në tetorin e vitit 2002, diçka krejt e pazakontë po ngjante në qendër të kryeqytetit. Në platenë e asokohe KEK-ut, i është futur flaka një tabuti. Plot me rroba, tabuti digjej mbi një kryqëzim qilimash ku shkruhej: “Autobiografi”. Dikush e ka xhiruar atë moment ku artisti Xhevdet Xhafa, veç në brekë, ia kishte vënë flakën rrobave dhe tabutit dhe, pas pak, ia kishte mësyrë vrapit për në banesën e tij. 
Kjo video, e titulluar si “Performancë”, tash është krejt në hyrje të Galerisë Kombëtare të Kosovës në ekspozitën retrospektive të Xhevdet Xhafës (93). “Still Running” (Ende në vrap) zjarrin e ka njëfarë emëruesi të përbashkët:  zjarrin për dinjitet.

Për shumëkënd ekspozita është më e rëndësishmja e disa dekadave sa i përket formatit retrospektiv. Dhe akademik Xhafa njihet si modernisti pionier në stilin e tij në këto anë. Zjarri, në njëfarë forme, ka “pushtuar” Galerinë. Pak më tej, shumica e veprave që titullohen “Autobiografi” janë punime me dimensione të mëdha e teknikë të kombinuar. Shumë prej tyre japin ndjenjën e rrobave të shkrumbuara. Kundërmimin e kanë në ajër, edhe pse nuk ndihet. Veprimtaria e Xhafës, që Shkollën e Mesme të Arteve e bëri në Pejë e studioi në Lubjanë, është njëfarë kërkimi i lirisë. Lirisë së popullit të tij e edhe lirisë personale. Qe i pakompromis për këtë. Madje edhe historia e tij me Galerinë, ku ekspozon për herë të parë, është një performancë më vete. Më 2002 pritej që do të ekspozonte në këtë institucion. Kërkoi të jetë tetori e ekspozita të jetë e hapur për një muaj. Menaxhmenti asokohe do të ngulte këmbë se ekspozita do të jetë e hapur veç për tri javë. Dhe Xhafa, në shenjë revolte, ia mbathi. E kështu edhe lindi “Performanca” me djegien e tabutit.

Skenë nga videoja “Performancë” që është krejt në hyrje të Galerisë Kombëtare të Kosovës në ekspozitën retrospektive të Xhevdet Xhafës. “Still Running” (Ende në vrap) zjarrin e ka njëfarë emëruesi të përbashkët:  zjarrin për dinjitet

“Kjo është revoltë kundër Galerisë”, citohej ai atëherë nga “Koha Ditore”. Të enjten mbrëma ai i është kthyer institucionit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 40 ditë, pa llogaritur hapjen. Janë 10 ditë më shumë se sa kërkonte më 2002. E në pak më shumë se një muaj, vizitorët do të shohin se si për Xhafën, arti ishte mënyra më e drejtpërdrejtë për t’u përballur me jetën, për ta kthyer përvojën në formë, ngjyrë e gjuhë. I lindur më 1934 në Pejë, kujtimet e tij kanë kapur Luftën e Dytë Botërore, skamjen e madhe pas saj, vitet pak më të mira të dekadës së shtatë të shekullit të kaluar, shtypjen e luftën e viteve ’90. Xhafa sikur i bën një obduksion artistik historisë së Kosovës. Tablotë e tij të mëdha asocojnë me këpucë viktimash, tela burgu, hapësira torturash e çka do tjetër që ka përjetuar ky vend. Xhafa këtë e bën thjesht me teknika të kombinuara, por duke dhënë emocion. E për kohën e tij, vështirë i pranueshëm. Ishin ujëra të tjerë të artit atëherë.

“Kam nisur të inspirohem nga skamja e politika”, do të thoshte ai më 2021 në një intervistë për KOHËN. Krejt kjo shihet në veprat e tij që, sado që shtjellohen në krejt thjeshtësinë e tyre, përherë fshehin diçka mistike.

“Nocioni i dinjitetit është thelbi i projektit artistik të Xhevdet Xhafës: dinjiteti i jetës njerëzore përballë mbijetesës dhe dinjiteti i një shoqërie, posaçërisht i shoqërisë shqiptare në Kosovë”, shkruan kuratorja e kritikja Övül Ö. Durmusoglu në tekstin e botuar në fletushkën e ekspozitës. Dhe ekspozita e përçon luftën e Xhafës për dinjitet. Qysh në hyrje me performancën asokohe si reagim ndaj Galerisë.
“Në vitet e fundit, ndoshta në dekadat e pasluftës, është ekspozita më e fortë retrospektive e një prej protagonistëve më me renome që ka pasur Kosova pas Luftës së Dytë Botërore. Janë vepra top. Është modernisti ynë që ka qenë më afër me botën. Edhe të tjerët në vitet ’50 e ’60 kanë kultivuar modernizëm, por modelet i kanë pasur pak më të hershme dhe ia kanë përshtatur shijes së kohës”, ka thënë filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi. Ka përmendur se Xhafa ka studiuar në Lubjanë.
“Unë pas luftës së fundit kam bërë një shkrim për një ekspozitë që kishte në Shkup. Xhafa është i domosdoshëm dhe i pakapërcyeshëm për artin modern të Kosovës. Duhet mbajtur këtë standard të ekspozitave”, ka thënë Maliqi.

Xhevdet Xhafa (93) në hapjen e ekspozitës së tij retrospektive, të enjten më 10 shtator në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Ekspozita e Xhevdet Xhafës është kuruar nga familja. I biri i tij, artisti me nam botëror, Sislej Xhafa, ka thënë se në momentin kur ka marrë ftesën është dashur ta bindin që ta mbajë ekspozitën.

“Kur ka pranuar, kemi menduar për një kurator ose kuratore, por si familje erdhëm në përfundim se është shumë e rëndësishme t’i kuptohet gjendja shpirtërore, evolucioni i tij, vështirësitë, kompleksiteti dhe jeta e tij, dyshimet e energjia dhe vendosëm që ta kurojmë si familje. Kemi filluar ekspozitën me vrapimet e tij. Gjithmonë ka vrapuar Pejë-Deçan e anasjelltas. Pastaj edhe në Prishtinë...”, ka thënë ai. Sipas Xhafës, momenti i tij i vrapimit ka qenë gjithmonë maratona, jo si qëllim, por si përvojë.
“Në këtë rast kemi menduar që ta krijojmë këtë ekspozitë si ‘Still Running’, që nuk është si diçka e kaluar, por është e sotmja dhe e ardhmja. Xhafa sot është 93 vjeç e në një moment të caktuar, si gjithnjë në evolucion, vepra e tij do të udhëtojë në kozmosin e tij. Por gjithmonë ka me vrapu”, ka thënë Sislej Xhafa. Sipas tij, ekspozita është në relacion me vrapimin e tij, me intensitetin e tij, me kërkimin e lirisë së tij.

“Ai gjithmonë ndihej i lirë kur vraponte, pasi askush nuk e ndalte, por është e rëndësishme se, duke e kërkuar atë çmendurinë e tij në veprim, ekspozita e tij është në relacion me frymëmarrjen e tij”, ka thënë ai.

Veprat e viteve ’60, ato të mëvonshme e sidomos ato të viteve ’90 kanë një të zezë të rëndë. Duken si kronikë e kohëve të vështira. Edhe kur e bardha hyn në lojë, prapë ka njëfarë mjegulle. Aso mjegulle që me zor u hoq nga këto anë.

“Ai, si njeri sensitiv ndaj ngjarjeve historike, ka qenë gjithmonë i preokupuar me gjendjen e dinjitetit njerëzor, në këtë rast të popullit të Kosovës. Më 1973 ka qenë i ftuar që të jetojë në Paris, por ka refuzuar duke thënë se veprat e tij burojnë nga dheu e lloçi i Kosovës dhe s’mund ta mohojë atë prej nga është. Gjithçka është në relacion me brengat e popullit, por duke mos rënë në retorikë, por duke folur edhe sot për brengat e popujve të tjerë në botë. Është gjithmonë prezent. Ka magji, por ka edhe freski”, ka thënë Sislej Xhafa. Veprimtarinë e veprat e të atit, nëpërmjet një fjalie, i ka përmbledhur me shprehjen: Tension. Bash me këtë fjalë i është përgjigjur Xhevdet Xhafa kuratorit gjerman, Hans Ulrich Obrist, kur është pyetur nëse procesi i tij artistik është diçka e planifikuar apo luan rol edhe rastësia. “Tensioni” është përgjigjja e Xhafës në intervistën e realizuar së voni e brenda një intervali kohor prej tre muajsh.

Veprat e viteve ’60, ato të mëvonshme e sidomos ato të viteve ’90 kanë një të zezë të rëndë. Duken si kronikë e kohëve të vështira. Edhe kur e bardha hyn në lojë, prapë ka njëfarë mjegulle
 

Në hapje të ekspozitës, ushtruesja e detyrës së drejtorit të Galerisë, Alisa Gojani, ishte shumë shkurtër. Si zakonisht kur është i pranishëm kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ai mban fjalën kryesore. E po ashtu si zakonisht, pavarësisht ngjarjes, ai mban një “ligjëratë udhëzuese” për të pranishmit. Në këtë rast ka treguar se si duhet parë e lexuar arti i Xhafës.

“Kjo është ekspozitë që na jep mundësi të ndalemi, të shohim dhe të reflektojmë mbi një jetë të tërë kushtuar artit. Shtatë dekada krijimtari janë shumë më tepër se një periudhë kohore, janë shtatë dekada të historisë sonë, ndryshimeve shoqërore, politike, të përpjekjeve të panumërta e transformimeve të mëdha që ka kaluar vendi ynë”, ka thënë ai. Sipas Kurtit, përgjatë gjithë këtyre viteve, Xhafa ka qenë dëshmitar dhe krijues aktiv i kësaj historie. Ka thënë se jeta e tij është pjesë e kujtesës kulturore, është pjesë e rrugëtimit të artit pamor në Kosovë dhe një konfirmim i fuqisë që ka arti për të tejkaluar kohën, rrethanat dhe kufijtë. Ka shtuar se përmes veprave të tij njihet një artist i madh shqiptar dhe një pjesë e historisë së artit të Kosovës.

“Ju jeni pjesë e një gjenerate që i dha artit të Kosovës një identitet të fuqishëm dhe një zë të dallueshëm. Kontributi juaj, përveçse me numër veprash të krijuara, matet edhe me ndikimin që ka pasur në zhvillimin e kulturës dhe të mendimit artistik në vendin tonë. Shijet tona janë të tilla çfarë janë edhe për shkak të Xhafës”, ka thënë Kurti derisa i është drejtuar edhe vetë artistit.

Në intervistën me Obristin, Xhafa rrëfen për ditët studentore në Slloveni e afërsinë me profesorin Gabrijel Stupica.

“Pikërisht në atë periudhë fillova të kuptoja artin si një formë filozofie, jo si një sistem teorik, por si një proces që lind nga përvoja, nga materiali dhe nga vetë jeta. Për mua arti u bë një hapësirë ku mendimi dhe ndjenja bashkëjetojnë...”, ka thënë Xhafa. E mendimi dhe ndjenja bashkëjetojnë në veprat e tij të ekspozuara në Galeri. Në ato, por si kronika historie, ndjenja individuale e kolektive, më së shumti çon krye dinjiteti.