КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

„Северноморски гудачки квартет“ у лабораторији која открива формулу звука

Гудачки квартет Северног мора

Koncerti “North Sea String Quartet” në edicionin e 25-të të “ReMusicas” ka qenë si një lundrim në detet e pafundmë të tingujve

Skena për ta është një lloj laboratori. Muzika, eksperimenti e ajo çfarë konfirmohet, është formula e tingullit. Në fakt, për ta çdo gjë është muzikë. Harkorët nuk kufizohen vetëm te telat, violina, viola e violonçeli, kanë të tjera mundësi. “North Sea String Quartet” zhytet në thellësinë e deteve muzikore, zhanri nuk ka përkufizim e koncerti i këtij formacioni në “ReMusica” është si një rrugëtim ku ndërthuren klasikja, jazzi e elektronikja

Ambienti ku pritet të dalë katërshja e harqeve i ngjan pak një laboratori. Por, kur kuarteti shfaqet në skenë, pamja laboratorike plotësohet. Bartin mantele që përdoren në ambiente ku hulumtohet, studiohet, bëhen eksperimente, shpiken e zbulohen gjëra. Dhe të tillë janë “North Sea String Quartet”, i përbërë nga George Dumitriu (violinë dhe violë), Pablo Rodríguez (violinë), Yanna Pelser (violë) dhe Thomas van Geelen (violonçel). Grupi, i themeluar në Rotterdam më 2016, e nis koncertin me tinguj shumë intimë. Janë muzikantë me bazë në muzikën klasike, por që nuk përmbushen vetëm me të. Ngadalë, tingujve që nxjerrin ua shtojnë edhe elementet elektronike. Instrumentet, për ta, nuk janë vetëm tela. Ritmet që prodhojnë përshkruhen si jazz dhome. Por katërshja shkon përtej kësaj.
Në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”, ata kanë sjellë freski. Viola, violina dhe violonçeli, për ta, janë edhe instrumente që funksionojnë me goditje. Më pas, ndërhyjnë në tela me gjësende të ndryshme për të nxjerrë tinguj shtesë. Në disa momente, publiku – në këtë rast, rreth 50 veta – mund të paramendojë se ndodhet në ndonjë klub të madh të muzikës elektronike. Por, në rastin konkret, është para një kuarteti që ofron shumë më tepër. Aty për aty, ata nxjerrin efekte që ftojnë për vallëzim. Nuk është krejt improvizim. Kanë veprat e tyre dhe, varësisht nga momenti e energjia, shtojnë edhe pak lojë të lirë. Në rastin e kishës katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, ambienti sakral është njëfarë kundërvënieje ndaj muzikës së tyre, njësoj siç janë mantelet në raport me instrumentet që mbajnë në duar.

Albumi i tyre, i promovuar në fillim të këtij viti, “ZONAR”, vjen pas një serie sesionesh laboratorike, gjatë të cilave kuarteti zhvilloi teknika të reja interpretimi dhe përgatiti instrumentet duke përdorur materiale të përditshme. Veprat janë kompozuar në mënyrë kolektive, me improvizimin në thelbin e tyre, ndërsa muzikantët përdorin edhe zërat e tyre, zakonisht atë të Yanna Pelser. Rezultati është një muzikë bashkëkohore, zhytëse, që ndërlidh njëkohësisht trupin dhe imagjinatën.

Violinisti Pablo Rodríguez tregon se bëhet fjalë për muzikë të kompozuar nga vetë ata.

“Tema e koncertit është se si një kuartet zhytet në botën e muzikës elektronike, muzikës së vallëzimit. Për ne është një botë shumë frymëzuese, që ofron shumë mundësi për eksplorimin e efekteve dhe ritmeve. Sfida është se duam që programi të jetë shumë akustik. Është një sfidë e madhe”, ka treguar ai. Gjatë interpretimit shihet se bëhet fjalë për një sfidë jo të lehtë, por anëtarët ia kanë marrë dorën.

“Ne jemi të trajnuar për muzikë klasike, por e marrim shumë seriozisht atë që bëjmë. Duam ta shohim instrumentin si një paletë me shumë ngjyra. Në fund të fundit, instrumenti është një copë druri që, po ta godasësh, nxjerr tingull”, ka shpjeguar ai.

Vepra “Saunter”, nga albumi i ri, zgjat rreth tetë minuta dhe nis nga një sekuencë e thjeshtë, e cila zhvillohet me hov. Ajo mban autorësinë e George Dumitriu. Improvizimet me elemente të jazzit arrijnë deri në një lloj “çmendurie”, sa i përket efektit që krijohet, sikur muzikantët të ishin perkusionistë.
Përgjysmë më e shkurtër është vepra “On The Edge”, që mban autorësinë e vajzës së vetme të kuartetit. Ajo flet për kohën dhe kufijtë e saj. Për grupin, kjo vepër sjell një qasje tjetër ndaj bashkëkohores në muzikën klasike, e cila nuk u mjafton. Ndër veprat e tjera të luajtura në koncert është edhe “Heavy Wood”, e violonçelistit Thomas van Geelen. Ajo ka një bazë të heavy metalit, por eksplorimi e çon në një nivel tjetër.

“Ne dukemi si shkencëtarë dhe këto janë mantele laboratori. Ne hulumtojmë shumë për tinguj jokonvencionalë. Kështu që jemi njerëz të laboratorit dhe ndihemi si hulumtues. Po ashtu, gjatë koncertit nxjerrim tinguj të rinj. Është diçka që bazohet 60 për qind në vepër dhe 40 për qind në improvizim”, ka shpjeguar Yanna Pelser. Përpjekjet e tyre për të eksperimentuar me instrumentet i ka përshkruar si kërkim për të nxjerrë të pamundurën prej tyre.

“Krejt tingujt që mund t’i gjejmë aty. Jemi njerëz kureshtarë. E duam muzikën klasike, por jemi pak të lodhur nga konvencionalja dhe duam të shpikim, të zbulojmë e të vazhdojmë të hulumtojmë gjatë gjithë kohës. Po mundohemi të jemi të pranishëm gjithandej”, ka thënë ajo.

Prishtina e ka pritur “North Sea String Quartet” me mot vjeshte, por edhe me një publik jo shumë të madh. Megjithatë, të pranishmit kanë bërë që muzikantët të kthehen sërish në skenë, duke e mbajtur ritmin e një koncerti që zgjati rreth një orë

Shpjegimi që anëtarët e grupit kanë për punën që bëjnë është se muzika e tyre mund të quhet jazz kamertal, por ata janë të fundit në botë që do ta kufizonin krijimtarinë e tyre me etiketime stilistike. Si instrumentistë të shquar të harqeve që merren me improvizim, në skenën holandeze dhe atë ndërkombëtare, ata frymëzohen nga jazzi modern, muzika klasike, ajo botërore dhe muzika folklorike.
Kritika e përshkruan grupin si një ansambël me ritëm dhe lëkundje të jashtëzakonshme, me të cilin asnjë kuartet tjetër harqesh nuk mund të krahasohet. Vlerësimet për katërshen shkojnë deri aty sa anëtarët përshkruhen si muzikantë me kompozime befasuese dhe improvizime të jashtëzakonshme, që e bëjnë grupin një zbulim të vërtetë dhe unik.

“Duke ndërthurur ndikimet nga muzika klasike, ajo botërore dhe folklorike me një dozë të madhe jazzi, këta instrumentistë të harqeve që improvizojnë krijojnë koncerte emocionuese dhe të vlerësuara”, shkruan platforma “Jazzed.com”.

Prishtina e ka pritur “North Sea String Quartet” me mot vjeshte, por edhe me një publik jo shumë të madh. Megjithatë, të pranishmit kanë bërë që muzikantët të kthehen sërish në skenë, duke e mbajtur ritmin e një koncerti që zgjati rreth një orë. Është pikërisht kjo mënyrë interpretimi ajo për të cilën vlerësohen lart në skenat evropiane. Janë unikë dhe marrëdhënien me instrumentet e kanë sikur ato të ishin pjesë e trupit të tyre.