КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

Уметност Дритона Селманија шапуће историји коју издаје

„Шапат (изван снова)“, као аудиовизуелни пројекат Дритона Селманија

“A Whisper (Beyond Dreams)”, si projekt audiovizual i Driton Selmanit, jehon fort. Në njëfarë mënyre, bën thirrje për një rishqyrtim të historisë. Ose, siç përshkruhet në projekt, merret me kujtesën, autoritetin e narrativave dhe mënyrën se si fjala publike mund të shndërrohet në histori

“A Whisper (Beyond Dreams)”, si projekt audiovizual i Driton Selmanit, jehon fort. Në njëfarë mënyre, bën thirrje për një rishqyrtim të historisë. Selmani luan me fjalimin e shkrimtarit austriak, Peter Handke, në varrimin e Sllobodan Millosheviqi. “Ai flet për mua e jo për Millosheviqin. Ai flet nga pak për secilin, pasi secili është nga pak i tradhtuar nga një gjë që quhet histori, e veçanërisht nëse vjen nga kjo anë”, ka thënë Selmani

Një numër i madh serbësh, përfshirë edhe pushtetarë, janë mbledhur më 18 mars 2006 në Pozharevc. Qenë aty për të nderuar bëmat e Sllobodan Millosheviqit para arkëmortit të tij. Ai vdiq në Hagë, derisa po gjykohej për krime kundër njerëzimit. Shkaktoi edhe gjenocidin e parë pas Luftës së Dytë Botërore. Por, për një pjesë të madhe të serbëve dhe institucioneve të këtij shteti, ai, si udhëheqës, qe madhështor. Për ta forcuar këtë narracion, në qytetin rreth 80 kilometra në lindje të Beogradit do të shkonte edhe një shkrimtar i njohur. Austriaku Peter Handke.

“Bota, e ashtuquajtura botë, di gjithçka për Jugosllavinë, për Serbinë. Bota, e ashtuquajtura botë, di gjithçka për Slobodan Milosheviqin”, do të thoshte ai duke ironizuar. “E ashtuquajtura botë e di të vërtetën. Prandaj e ashtuquajtura botë sot mungon, dhe jo vetëm sot, e jo vetëm këtu”, vazhdonte ai, midis të tjerash. Serbisë dhe narracionit të shtetit që shkaktoi krejt luftërat gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet ’90 u duhej një pëshpëritës i zoti. Një zë i tillë që të binte në vesh të botës. Një njeri i artit si Peter Handke. Dhe kjo pëshpërimë mori jehonë të madhe kur, më 2019, mohuesi i gjenocidit dhe krimeve të Millosheviqit dhe Serbisë u bë laureat i “Nobelit” për letërsi.

Tash, 20 vjet pas fjalimit në varrimin e Millosheviqit dhe 7 vjet pas “Nobelit” për Handken, një artist nga Kosova ka nisur një tjetër pëshpëritje. Ose edhe njëfarë fishkëllime. Pyet për shumë gjëra, përfshirë edhe mënyrën se si pëshpërimat shndërrohen në narracion.

Mund të thuhet se është muzikë e përgatitur nëpërmjet një manuali propagandues. Jo për ta çuar propagandën më tej, por për ta deshifruar atë. Dhe narracioni që bëhet i pashmangshëm del përpara.

“A Whisper (Beyond Dreams)”, si projekt audiovizual i Driton Selmanit, jehon fort. Në njëfarë mënyre, bën thirrje për një rishqyrtim të historisë. Ose, siç përshkruhet në projekt, merret me kujtesën, autoritetin e narrativave dhe mënyrën se si fjala publike mund të shndërrohet në histori.

Mbrëmjen e së martës, në “Kino Armata” në Prishtinë, zëri i Driton Selmanit ka ardhur po ashtu si pjesë e kësaj vepre. Me muzikën që prek Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe Greqinë, projekti, sipas vetë autorit, lëviz mes dokumentit dhe jehonës. E pyetja e përhershme është mënyra se si historia formësohet, bartet, kujtohet dhe sfidohet. “ANA A — Only The Names Have Changed”, me Tristan Halilajn në trumbetë dhe Filippos Raskoviq në piano, dhe “ANA B — Different Architectures Of Memory”, me Fisnik Behlulin në trumbetë dhe Filippos Raskoviq në piano, vijnë si njëfarë narracioni më vete. Selmani herë pas here i afrohet mikrofonit, derisa dyshja e instrumentistëve luan. Ai ka një pult përpara, por në të nuk ka partitura. Duket sikur reciton. Herë pas here e merr vëmendjen. Përmend shtëpi me shumë dhoma.

“Kam marrë transkriptin e Peter Handkes, fituesit të ‘Nobelit’ për letërsi, transkriptin e fjalimit në funeralin e Sllobodan Millosheviqit. Kam thënë me vete se është një tekst shumë i fuqishëm. Një vepër arti shumë e fuqishme. Nëse e dekodon pak, nëse e shkurton pak, duket sikur ai po flet për ne e jo për ata. Ai flet për mua e jo për Millosheviqin. Ai flet nga pak për secilin, pasi secili është nga pak i tradhtuar nga një gjë që quhet histori, e veçanërisht nëse vjen nga kjo anë”, ka treguar Selmani më pas.

Projekti është goxha provokues, përderisa një diskutim mes Besa Lucit, Driton Selmanit dhe Filippos Raskoviq, i moderuar nga Qerim Ondozi, është fokusuar në kujtesën kolektive, ritregimin e historisë, autoritetin e narrativave dhe pyetjen që qëndron në qendër të veprës: Kush e ka fuqinë ta kthejë një narrativë në histori dhe çka ndodh kur arti ia zhbën sigurinë atij narracioni?

Selmani ka luajtur me fjalimin e Handkes, duke i dhënë një dimension tjetër. Ka bërë njëfarë redaktimi, ashtu siç ia ka marrë mendja, për t’i shpërfaqur pyetjet që ka dashur t’i ngrejë.

“E kam bërë një editim të fjalimit të tij dhe, pas kësaj, i kam dërguar disa fragmente muzikore Filipposit. Pastaj Filipposi ka bërë pjesën tjetër. Mendoj se Handke ka fshirë gjithçka që lidhej me funeralin e Millosheviqit pas ‘Nobelit’. Ka mundësi që jam i vetmi që e kam atë transkript dhe ajo që dëgjuat është një version i fjalimit të tij të fuqishëm në sensin e gabuar”, ka thënë ai. 

Muzika është goxha provokuese. Kurse fjalët e Selmanit e plotësojnë narracionin tingullor. Ambienti bëhet një vend ku shoshitet historia. Ose, thënë më saktë, pëshpërimat që nisin të shndërrohen në histori. Projekti është goxha provokues, përderisa një diskutim mes Besa Lucit, Driton Selmanit dhe Filippos Raskoviq, i moderuar nga Qerim Ondozi, është fokusuar në kujtesën kolektive, ritregimin e historisë, autoritetin e narrativave dhe pyetjen që qëndron në qendër të veprës: Kush e ka fuqinë ta kthejë një narrativë në histori dhe çka ndodh kur arti ia zhbën sigurinë atij narracioni?

“Në pyetjen se kush e ka autoritetin të shkruajë historinë, mendoj se askush nuk e ka autoritetin e plotë. Varet se si ushtrohet dhe shihet ai autoritet nga institucionet, shoqëria e kategoritë e tjera”, ka thënë, midis të tjerash, Luci.

Sa i përket muzikës, e cila vjen edhe në një pllakë vinili, Filippos Raskoviq ka treguar se pëshpërima e përdorur ka një tregim më vete.

“Pëshpërima ka njëfarë sekreti, njëfarë të folure më vete. Ka po ashtu njëfarë qetësie. Në këtë kontekst, kjo muzikë më duket e natyrshme”, ka thënë muzikanti, i cili e ka nënën greke dhe babanë serb. Ka treguar se është lindur dhe rritur në Greqi dhe se në Serbi nuk ka qenë asnjëherë gjatë kohës së luftërave. Luftërat disi vijnë edhe në projektin, pjesë e të cilit është Raskoviq. Ose narracioni muzikor bredh nëpër historitë e viteve ’90, të ndryshuara nga Handke e më pas nga Selmani. I pari për t’i hedhur hi syve botës, e i dyti për ta fshirë atë nëpërmjet pyetjeve. Mbrëmja ka vazhduar me

“After the Whisper”, si një program informal me muzikë të Adrian Berishës. E pllaka e vinilit është arkivi i këtij provokimi. Jo për ta marrë përsipër të vërtetën, siç synonte Handke, por për të pyetur se cila është e vërteta.