Në ligjëratën e tij në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, të mërkurën Ardian Vehbiu ka thënë prerë se është kundër pastrimit të turqizmave që kanë zënë vend në ligjërimin bisedor në shqip pasi janë një pasuri. Dhe, siç bën ai, këtë konstatim e ka dhënë pas një shpjegimi të gjatë e të argumentuar. “Ideja ime është se turqizmat që kanë shpëtuar sot, kanë zënë vend në ligjërimin bisedor, janë një pasuri në atë ligjërim. Plotësojnë disa nevoja që nuk i plotëson asnjë grup tjetër fjalësh dhe duhet trajtuar si pasuri, jo si e keqe, jo si sëmundje, e jo si pisllëk”. Në Prishtinë Vehbiu ka gjetur përkrahje edhe nga njerëz, dijen e të cilëve ua njohin edhe institucione shkencore këtej e matanë Atlantikut
Studiuesi i gjuhës, shkrimtari, përkthyesi e eseisti Ardian Vehbiu njihet për pikëpamje më të veçanta dhe më liberale ndaj gjuhës në raport me gjuhëtarët e Shqipërisë që “mbajnë” bajrakun e shqipes, ruajtjes së saj, pastrimit, pasurimit e që normimin e kanë të shenjtë. Normale, ai grup këtë e bën më së paku për arsye shkencore. Por kryekëput për arsye ideologjike. Ose siç thotë Vehbiu, kur flitet për pastrimin, bëhet nga gjuhëtarë që s’kanë çfarë tregojnë por për të rikonfirmuar vetveten. Në ligjëratën e tij në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, të mërkurën ai ka thënë prerë se është kundër pastrimit të turqizmave që kanë zënë vend në ligjërimin bisedor pasi janë një pasuri. Dhe, siç bën ai, këtë konstatim e ka dhënë pas një shpjegimi të gjatë e të argumentuar. E jo sikurse ata që janë ortodoksë të normimit e pastrimit që zakonisht thirren në emër të shqiptarisë. Në Prishtinë Vehbiu ka gjetur përkrahje edhe nga njerëz, dijen e të cilëve ua njohin edhe institucione shkencore këtej e matanë Atlantikut.
Huazimi si koncept i tejkaluar
Ligjëratën e titulluar “Rreth statusit të turqizmave në shqipen e sotme”, Vehbiu i cili tash e tri dekada jeton në New York e ka nisur duke treguar se i ka interesuar veçanërisht mënyra se si janë integruar turqizmat në shqipe, më pas transformimi që kanë pësuar brenda shqipes, trajtimi që u është bërë nga ideologji të ndryshme dhe fati që kanë sot si një familje që ka mbetur pezull. Sipas tij, se çfarë janë turqizmat nuk është e qartë. Ka thënë se ideologjia e bën shumë të qartë por në gjuhësi nuk është e qartë.
“Në gjuhësinë konvencionale i trajtojmë si huazime të shqipes nga turqishtja. Nuk janë nga turqishtja por nga turqishtja osmane. Raportet e shqipes me turqishten e sotme janë fiktive kurse ato me turqishten osmane qenë reale. Çfarë i bën këto fjalë bashkësi? Origjina e përbashkët? Por gjejmë se nuk kanë origjinë të përbashkët pasi brenda Perandorisë përdoreshin shumë gjuhë. Ne i fusim në një grup pasi e kemi më të lehtë”, ka thënë ai. Pas kësaj ka dalë te koncepti i huazimit që e ka përshkruar si problem që nuk lidhte vetëm me turqizmat. Sipas tij, vetë termi huazim vendos një strukturë pasi nënkupton marrjen e një fjale hua. Dhe, huaja, sipas tij s’është e jotja.
“Por duhet edhe ta kthesh. Dhe, kjo nuk është e vërtetë. Janë kuptime parazitare që i sjell fjala huazim”, ka thënë ai. Sqarimet i ka vazhduar duke thënë se huazimi ka qenë koncept i gjuhësisë romantike të shekullit 19 por ai nuk beson që nuk është shkencore të vazhdohet përdorimi i kësaj fjale, pasi fjalët që mbështillen me këtë koncept s’janë huazime.
“Unë do ta përdor këtë fjalë pasi s’kemi tjetër. Do të preferoja që t’i shohim më shumë si replikim ose si kopjime fjalësh. Shqipja dhe turqishtja osmane kanë qenë në kontakt dhe fjala është replikuar, nuk është huazim. Huazim është një koncept i ekonomisë politike që hyn në shqip si metaforë dhe nuk ndihmon për ta kuptuar fenomenin. Përkundrazi pengon”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shkuar më tej në zbërthim të argumentit. Sipas tij, kur për një fjalë thuhet se është huazim, atëherë del se s’është e shqipes. Ka thënë se kjo logjikë më pas çon te ajo se – fjala – është e huaja dhe s’u përket shqiptarëve e as shqipes dhe përfundimi është se duhet pastruar.
“Si pa e kuptuar kalon nga analiza leksikore serioze shkencore në ideologji. Pastaj vetë fjala pastrim si metaforë sjell një kuptim tjetër më vete, atë se këto fjalë janë të pista. Pastaj kjo gjë i orienton njerëzit të marrin vendime gjuhësore të çuditshme siç është ai që i thonë pastrimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe”, ka thënë Vehbiu që pos shumë artikujve studimorë mbi gjuhën ka të botuar edhe librat “Fraktalet e shqipes: Rrëgjimi i gjeometrive të standardit”, “Shqipja totalitare: Tipare të ligjërimit publik në Shqipërinë e viteve 1945–1990”, “Kundër purizmit”, “Fjalë për fjalë: Eksplorime në hapësirat e shqipes” dhe “Gjuha e thyer, gjuha që thyen: Shënime për lirinë dhe vargonjtë e fjalës publike në Shqipërinë totalitare”.
Ka vazhduar duke thënë se sa herë ka dëgjuar për pastrimin dhe pasurimin e shqipes i është dukur kontradiktore pasi pastrimi është varfërim.
“Edhe sikur ato fjalë t’i zëvendësosh me të reja prapë kthehesh në pikën zero. Nuk ke pasuruar gjë. Në rastin e turqizmave hiqen fjalë të rrënjosura në gjuhë për mirë apo për keq dhe zëvendësohen ndonjëherë me neologjizma që janë një sëmundje më e rëndë për gjuhën sesa po them fjalët e huaja”, ka thënë ai.
Sipas tij, me interes për studimin e turqizmave do të ishin edhe të ashtuquajturat turqizma semantike. Ka përmendur se Çabej për shembull fjalën “pikë” për damllanë ose sulmin në tru, e ka paraqitur si huazim semantik nga turqishtja. Në këtë rast ka përmendur edhe fjalën “brez” në kuptimin e gjeneratës. Sipas tij, ka edhe shumë të tjera po që nuk i ka studiuar njeri edhe pse janë në strukturën e leksikut dhe strukturën semantike të shqipes.
“Ne i marrim fjalët në pyetje”
Vehbiu ka sqaruar se në gjuhësinë e shekullit 19 një fjalë konsiderohej si e shpjeguar kur i ishte sqaruar historia e saj. Dhe kjo ishte metoda, sipas tij, jo vetëm në gjuhësi por edhe në shumë fusha të tjera. Sipas tij, sot kjo është kapërcyer pasi është plotësuar nga disa metoda të tjera më të gjera që vënë në pikëpyetje edhe atë dominimin e gjuhësisë historike i cili, sipas tij, në albanologji mbetet ende i pakontestuar.
“Do të thotë ne jo vetëm i kushtojmë rëndësi historisë së fjalëve por edhe i marrim fjalët në pyetje për historinë e tyre. Dhe këtë ua kemi mësuar edhe përdoruesve të gjuhës që nuk janë specialistë. Sepse sot është normale që dikush të të ndalojë dhe të të thotë: ore prej nga vjen kjo fjalë. Këtë nuk e dëgjon në Itali, Francë apo vendet anglishtfolëse”, ka thënë ai. Sipas Vehbiut, bëhet fjalë për një obsesion ekuivalent me pyetjen që dikur u bëhej njerëzve për t’i identifikuar duke u thënë: I kujt je?. Kjo ishte mënyra për ta identifikuar tjetrin. Në këtë rast ka konstatuar se një zakon popullor folklorik është përgjithësuar duke iu qasur edhe fjalëve e duke i pyetur për origjinën.
“Ideja e zëvendësimit të turqizmave destabilizon leksikun. Kështu njerëzit, sidomos profesionistët që e shkruajnë gjuhën mësohen me idenë se fjalët janë të zëvendësueshme. Do të thotë fjala s’ka status normativ siç ka një kategori gramatikore... Atëherë përse do të mendosh ta zëvendësosh fjalën. Secili që shkruan pastaj ka idenë se mund të zëvendësojë. Madje të pyesin njerëzit në rrjete sociale se përse përdor atë apo këtë fjalë. Kjo ndërhyrje ka diçka policore në vete duke dashur të diktohen termat që duhen përdorur”, ka thënë ai.
Intervenimi i Vretos dhe Shuteriqit
Më pas ka dalë te shembujt konkretë duke thënë se zëvendësimi në shqipen letrare në fillimet e Rilindjes ishte një mekanizëm themelor. Si shembull të parë e ka paraqitur “Ervehenë” e Muhamet Çamit që ishte shkruar me alfabet arab. Ka shpjeguar se këtë poemë e gjeti Jani Vreto të pabotuar dhe e mori dhe vendosi ta rishkruajë duke e “pasuruar” dhe duke zëvendësuar orientalizmat në poemë me fjalë të tjera që i dukeshin më të mira. Sipas tij, këtë gjë e ka bërë edhe Dhimitër Shuteriqi duke rishkruar “Këngët e Milosaos” të Jeronim de Radës.
“Është mbështetur në disa elemente të De Radës por tash ajo është poezi e Shuteriqit. Ai që e ndryshoi e ndryshoi me idenë që ta bënte poemën më të afërt me lexuesin bashkëkohor. E bëri. Pra ne e përditësojmë letërsinë. Ky është një fenomen jo i rregullt. T’i thuash një anglishtfolësi se po përditësohet Shakespeare, s’të flet më me gojë”, ka thënë ai. Më vonë ka marrë një shembull të Kadaresë, duke i hyrë edhe më thellë kësaj telashe, por paraprakisht ka treguar edhe diçka. Atë se Xhevat Lloshi në një monografi për fjalët turke të botuar para dy vjetësh thotë se turqizmat janë larguar nga shqipja. Dhe sipas Vehbiut, kjo nuk mohohet.
“Por problemi është se ato janë larguar sepse është larguar vetë bota osmane. Është vyshkur dhe ka rënë. Xhevat Lloshi sjell shembullin e ‘kadiut’. Por kjo fjalë ka ikur pasi ka ikur institucioni i Kadiut”, ka thënë Vehbiu. Më pas ka marrë shembull për fjalë që s’kanë ikur nga ligjërimi bisedor e që jetojnë dhe po i pastruan, sipas tij, e varfërojnë shqipen.
Zëvendësimet te vepra e Kadaresë
Se si është varfëruar shqipja, sipas tij, shembull shumë konkret është ribotimi i vonë i “Kronikë në gurë” i Ismail Kadaresë. Romani flet për Gjirokastrën, qyteti që bashkon edhe Vehbiun me Kadarenë. Ka marrë disa shembuj dhe më pas ka pyetur: “Si mund të zëvendësohet ‘gjylja’ me ‘sferë hekuri’?”.
“Unë thashë se s’mund ta ketë bërë Kadareja. Por mua më thanë se Kadareja s’linte njeri për t’ia prekur veprat. Është hequr ‘dyfek është futur ‘pushkë’. Këto e shkulin tekstin nga Gjirokastra dhe e kalojnë në një dimension ireal. Romani ka irealiet por jo në raport me Gjirokastrën. Pastaj për ‘gjyle’ e përdor edhe fjalën ‘predhë topi’. Por predha shpërthen kurse gjylja jo”, ka thënë ai. Duke elaboruar edhe më tej shembujt është ndalur te fjala “kasaphanë”. Në veprën e ribotuar të Kadaresë kjo fjalë zëvendësohet me “thertore”. Por, te një pasazh krejt i shkurtër, në rastin kur bëhet fjalë për ambientin e therjes së kafshëve, bëhet zëvendësimi me “thertore”, ndërsa kur metafora flet për krim lufte siç është masakra, prapë në veprën e Kadaresë përdoret “kasaphanë”.
“Kasaphanën e zëvendëson me thertore por e lë edhe kasaphanë. E bukura e këtij pasazhi është kasaphana pasi është institucion e jo veç vend ku theren bagëti. Në shqip ndodhi kalimi metaforik nga vendi ku theren bagëtia te kasaphana që ndodh gjatë luftës. Pra është një masakër. Tash çka ndodh në shqip kasaphana bëhet thertore por thertore nuk funksionon si metaforë për luftën. Pastaj ç’ndodh? Njëra fjalë nuk e zëvendëson tjetrën pasi zëvendësimi është bërë me ngut. S’janë marrë parasysh implikimet semantike të fjalës më të vjetër, të themi dhe as pafuqitë e fjalës së re”, ka thënë Vehbiu. Sipas tij, është prishur teksti.
“Tash te botimi i ri fillon me thertore e përfundon me kasaphanë me idenë që të ruhet kasaphanë si metaforë me masakrën por vendi ku theret mishi quhet thertore. Atëherë metaforës i hiqet rrënja, i pritet dhe ajo thahet se s’ka ku ta marrë ushqimin. Një pasazh shumë i fortë në roman, lidhja midis thertores dhe asaj që ndodhte në botë gjatë Luftës së Dytë Botërore, krejt papritur kthehet në atë që unë do ta quaja një leksion të dështuar për pastrimin e shqipes”, ka thënë Vehbiu. Sipas tij, është krejt e panevojshme dhe aq më pak kjo ka nevojë të bëhet nëpërmjet një kryevepre si “Kronikë në gur”.
Vehbiu krejt në fund ka thënë se sot vazhdohet të flitet për turqizmat dhe gati sikur plotësohet një detyrë ideologjike siç bënin dikur ata që ngriheshin në mbledhje të partisë duke thënë: “Populli shqiptar me partinë në krye...”.
“Tash thuhet se: ‘Gjuha shqipe është në një proces pastrimi dhe pasurimi të vazhdueshëm duke filluar nga nevoja për pastrimin e shqipes nga turqizmat’. Çfarë nevoje është ajo?”, ka pyetur ai. Është përgjigjur se bëhet fjalë për një ritual që s’i shërben askujt përveç se riprodhon statusin e disa gjuhëtarëve të cilët s’kanë gjë për të thënë.
“Ideja ime është se turqizmat që kanë shpëtuar sot, kanë zënë vend në ligjërimin bisedor, janë një pasuri në atë ligjërim. Plotësojnë disa nevoja që nuk i plotëson asnjë grup tjetër fjalësh dhe duhen trajtuar si pasuri, jo si e keqe, jo si sëmundje, e jo si pisllëk. Është më mirë për shqipen t’i kemi këto fjalë sesa t’i heqim e t’i zëvendësojmë me neologjizma pasi neologjizmat janë një lloj sëmundjeje edhe më e keqe”, ka thënë ai. Ligjërata e tij është përshëndetur nga disa gjuhëtarë me nam në Kosovë e përtej. Edhe nga një prej autoriteteve linguistike e albanologjike, si akademik Rexhep Ismjali, njëherësh anëtar i Akademisë Evropiane të Shken¬cave dhe të Arteve me seli në Salzburg dhe anëtar ndërkombëtar i nderit i Akademisë Amerikane e Arteve dhe Shkencave. Ismajli ka thënë prerë se ajo që ka bërë Kadareja, te rasti i “Kronikë në gur” sa i përket zëvendësimit të fjalëve, është realizëm socialist.
“Këtij brezi i takon që përfundimisht të heqë dorë nga mendësia e tillë”, ka thënë ai duke iu referuar brezit të gjuhëtarëve të tanishëm. Të mërkurën gjatë ditës kanë vazhduar referimet në Seminar ashtu sikurse kurset e gjuhës. Paradite është mbajtur edhe ligjërata “Hapësirat e jetuara dhe hapësirat e konceptuara të Sami Frashërit” nga Nathalie Clayer.