КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
колона

Словеначка лига Косова

Nuk mund të shkruhet një histori e saktë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në të cilën Sllovenia nuk do ta kishte një rol shumë të rëndësishëm. Ishin mediat në Slloveni, e pastaj edhe intelektualët, që të parët folën për represionin serb në Kosovë. Ljubljana u bë dritare për të vërtetën rreth Kosovës. Në vitin 1989, pikërisht kur Millosheviqi paralajmëronte luftën me mitingun e tij në Gazimestan, sllovenët larguan forcat e tyre policore nga “njësitë e përbashkëta” nga Kosova. Komunistët sllovenë u larguan nga Kongresi i 14-të i Komunistëve të Jugosllavisë dhe Sllovenia nuk i lejoi mitingashët e Millosheviqit të hynin në atë republikë. Vetë sllovenët në Cankarjev Dom organizuan tubim solidarizues me Kosovën. Dhe, si koincidencë, pikërisht nën kryesimin e Sllovenisë me BE-në, në pjesën e parë të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Një skandal në një koncert në Bruksel, i organizuar nga një komisionere sllovene, ku një bend slloven interpretoi një instrumental të një kënge nacionaliste serbe, nuk mund të përdoret për të krijuar përshtypjen shumë të gabuar sikur sllovenët paskan diçka kundër Kosovës. Ndoshta gjeneratat e reja në Slloveni nuk e dinë, e ato pak më të vjetra kanë harruar se çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1989. Por gjeneratat e reja në Kosovë duhet ta dinë e të vjetrat të mos e harrojnë kontributin e jashtëzakonshëm të Sllovenisë për Kosovën.

Në qershor të vitit 1989, në Gazimestan afër Prishtinës, Sllobodan Millosheviqi kishte mbajtur fjalim në shënimin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës. Ky tubim ishte kulminacioni i fushatës së ngritjes së ndjenjave nacionaliste dhe shoviniste serbe me qëllimin që Jugosllavia e atëhershme të dizajnohej sipas qejfit dhe nën dominimin e Serbisë. Në atë fjalim ai kishte paralajmëruar edhe luftërat që pasuan shumë shpejt. Po në qershor të atij viti, në Ljubljanë, gazetari Sali Kabashi me bashkëpunëtorë nga klubi Migjeni nisën botimin e revistës Alternativa. Ajo ishte revista e parë në gjuhën shqipe që në mënyrë të pavarur shkruante në gjuhën shqipe për atë që ndodhte në Kosovë. Tashmë ishte hequr autonomia e Kosovës, ndërsa represioni serbomadh i Millosheviqit, i ndihmuar nga njësitë policore edhe nga republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Mediat në Kosovë ishin mbyllur me dhunë. Edhe pse në Slloveni vlenin ligjet e njëjta sikur në të gjitha pjesët e shtetit të atëhershëm, vetëm në Slloveni e më vonë në Kroaci shkruhej haptas për dhunën në Kosovë, për vrasjen e shqiptarëve në Armatën Jugosllave dhe në përgjithësi për terrorin që shqiptarët po përjetonin nën regjimin e Millosheviqit.

Në atë kohë, për të mësuar se çfarë po ndodhte në Kosovë, edhe ne të rinjtë prisnim që dikush të sillte ndonjë kopje të gazetës Mladina të Ljubljanës dhe ta lexonim, edhe pse pak dinim të kuptonim sllovenisht. Pak më lehtë ishte kur mbulim të hapur të ngjarjeve në Kosovë nisën edhe gazetat në Kroaci. Aq e madhe ishte mbështetja e Sllovenisë për popullin e Kosovës në atë kohë, saqë serbët, të nxitur nga politika, nisën të bojkotonin blerjen e mallrave nga Sllovenia.

Sllovenët shumë shpejt e kuptuan se çfarë qëndronte prapa përdorimit të miteve të mesjetës për të mobilizuar nacionalizmin serb. Madje, ajo që ndodhi në Kosovë, sipas dëshmisë së shumë intelektualëve dhe veprimtarëve të asaj kohe, kishte ndikim vendimtar në vetëdijesimin e sllovenëve dhe kroatëve për të nisur procesin e pavarësimit të tyre nga Jugosllavia. Presidenti i fundit i ish-Jugosllavisë, kroati Stipe Mesiq, që më vonë ishte edhe president i Kroacisë kur ajo u pavarësua, gjatë dëshmisë së tij në Hagë kundër Sllobodan Millosheviqit tha se dhuna në Kosovë ishte paralajmërim edhe për të tjerët se çfarë i pret nëse Millosheviqi arrin qëllimin e tij për ta bërë Jugosllavinë një Serbi të Madhe, një shtet ku serbët do të dominonin e të tjerët do të jetonin sipas diktatit të Beogradit.

Bota ishte larg, shumë pak e informuar për vuajtjet në Kosovë. Shqipëria i kishte hallet e veta, ende nën komunizëm dhe e varfër, pa asnjë lidhje me Kosovën, dhe kështu Sllovenia e më vonë edhe Kroacia u bënë dritare për të nxjerrë të vërtetën edhe nëpër botë.

Nuk mund të shkruhet një histori e saktë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në të cilën Sllovenia nuk do ta kishte një rol shumë të rëndësishëm. Ishin mediat në Slloveni, e pastaj edhe intelektualët, që të parët folën për represionin serb në Kosovë. Ljubljana u bë dritare për të vërtetën rreth Kosovës. Në vitin 1989, pikërisht kur Millosheviqi paralajmëronte luftën me mitingun e tij në Gazimestan, sllovenët larguan forcat e tyre policore nga “njësitë e përbashkëta” nga Kosova. Komunistët sllovenë u larguan nga Kongresi i 14-të i jashtëzakonshëm i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe Sllovenia nuk i lejoi mitingashët e Millosheviqit të hynin në atë republikë. Vetë sllovenët në Cankarjev Dom organizuan tubim solidarizues me Kosovën. Dhe, si koincidencë, pikërisht nën kryesimin e Sllovenisë me BE-në, në pjesën e parë të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Një skandal në një koncert në Bruksel, i organizuar nga një komisionere sllovene, ku një bend slloven interpretoi një instrumental të një kënge nacionaliste serbe, duke e prezantuar si të Kosovës, nuk mund të përdoret për të krijuar përshtypjen shumë të gabuar sikur sllovenët paskan diçka kundër Kosovës. Ndoshta gjeneratat e reja në Slloveni nuk e dinë, e ato pak më të vjetra kanë harruar se çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1989. Por gjeneratat e reja në Kosovë duhet ta dinë e të vjetrat të mos e harrojnë kontributin e jashtëzakonshëm të Sllovenisë për Kosovën.

Sllovenia ishte e para që u solidarizua me minatorët e Trepçës dhe me popullin e Kosovës në fundvitet tetëdhjetë. Sllovenia ishte e para që tërhoqi policinë nga territori i Kosovës për të mos mbetur pjesë e njësive që shtypnin lirinë e një populli. Sllovenia ishte e para ku hapur mediat nisën të raportojnë për dhunën në Kosovë. Sllovenia nuk lejoi mitingje të njerëzve të Millosheviqit në territorin e saj dhe mbeti e vetmja ku nuk pati të tillë nga gjithë ish-Jugosllavia. Komunistët sllovenë, edhe për shkak të Kosovës, u larguan të parët nga Kongresi i jashtëzakonshëm i Komunistëve Jugosllavë e pas tyre edhe kolegët e tyre kroatë. Me këtë praktikisht edhe përfundoi shteti i përbashkët. Sllovenia, pas çlirimit të Kosovës, ishte një prej investuesve më të mëdhenj në Kosovë, kishte lidhjet më të rregullta të fluturimeve për Prishtinë. Sllovenia koordinoi në BE shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe reagimin e përbashkët evropian. Sllovenia ishte vendi i parë nga territori i ish-Jugosllavisë që njohu në vitin 2008 pavarësinë e Kosovës. Kroacia priti vendet e tjera fqinje të Serbisë për ta bërë të njëjtën ditë, por pasi Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk respektuan marrëveshjen, Kroacia e bëri këtë më vonë të njëjtën ditë me Hungarinë dhe Bullgarinë. Krahasuar me madhësinë e saj dhe numrin e banorëve, Sllovenia ka pasur rol jashtëzakonisht të madh në rastin e Kosovës. Kjo nuk mund dhe nuk duhet të harrohet. Pos që nuk do të ishte mirënjohëse nga ana e kosovarëve, do të ishte edhe në mospërputhje me faktet historike. Por do të ishte mirë që edhe sllovenët ta kujtojnë gjithë këtë lidhje nga e kaluara edhe sot. Janë lidhje që nuk duhet të zbehen për shkak të një incidenti në një koncert në Bruksel.